Presidenti i FIFA-s, Sep Blatter, ka pranuar se vendimi për t’i dhënë Katarit të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2022 mund të ketë qenë një gabim, duke e ditur shumë mirë se organizimi i turneut në verë mund të shkaktonte probleme serioze. Vendit arab iu dha e drejta e organizmit të botërorit të vitit 2022, por veç pakënaqësive nga vendet e tjera kandidate menjëherë pas dhënies së vendimit, së fundmi janë ngritur shqetësime serioze lidhur me sigurinë e lojtarëve dhe tifozëve gjatë turneut në muajt e verës, kur temperaturat mund të arrijnë deri në 50 gradë celsius. Blatter, në shkurt 2011 insistoi se Kupa e Botës Katar 2022 do të organizohej në verë, por ndryshoi qëndrim kohët e fundit dhe muajin e ardhshëm do t’i propozojë Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s që të ndryshojë datat e zhvillimit të turneut për të bërë që kampionati botëror i Katarit të luhet në dimër. I vënë para akuzave se edhe më parë ai e dinte situatën në lidhje me temperaturat gjatë verës në Katar para se të jepej vendimi për kandidaturën fituese për organizimin e botërorit Blater u përgjigj në këtë mënyrë: “Kjo mund të jetë e vërtetë, po aq i vërtetë sa dhe fakti që ne mund të kemi bërë një gabim në atë kohë. Pas shumë diskutimesh, debatesh dhe kritikash mbi këtë çështje, unë arrita në konkluzionin se zhvillimi i Kupës së Botës në verën e Katarit thjesht nuk ishte diçka e përgjegjshme për t’u bërë, pavarësisht faktit se unë e di shumë mirë se Katari i ka të gjitha kushtet për të garantuar teknologjinë më të mirë për sa i përket freskimit nëpërmjet ajrit të kondicionuar. Kjo është dhe arsyeja përse unë i sugjerova Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s të rishikojë periudhën e organizimit të turneut dhe të shikojë se çfarë pasojash mund të ketë nëse ai zhvillohet në dimër”.
