Arrestimet e ditëve të fundit të disa prej zyrtarëve të lartë të FIFA-s, kanë bërë që të shtyhet procesi për përzgjedhjen e vendit organizator për finalet e Kupës së Botës 2026.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Jerome Walcke bëri të ditur se është i pamundur zhvillimi i një procesi të tillë, për shkak të situatës në të cilën ndodhet FIFA.
Në mes të krizës së shkaktuar ku 14 zyrtarë janë akuzuar për korrupsion dhe janë në proces hetimi nga ku 4 prej tyre e kanë pranuar fajësinë, Valcke deklaroi se vendet e Azisë nuk do të jenë pjesë e kandidaturave, ndërkohë që pjesë e tyre pritet të jenë ShBA-ja, Meksika dhe Kanadaja.
Skandali që ka shpërthyer në FIFA që detyroi edhe presidentin aktual të qeverisë së futbollit Botëror zviceranin Sepp Blatter të jepte dorëheqjen ka vënë në pikëpyetje përveç Kupës së Botës që është programuar në Katar në vitin 2022 edhe zhvillimin Botërorit Rusi 2018, me Anglinë që është gati të marrë përsipër organizimin e tij nëse këtyre të fundit u hiqet e drejta.
Në lidhje me këtë çështje Vitali Mutko anëtar i UEFA-s dhe Ministër i Sporteve në Rusi deklaroi se organizimi i Botërorit 2018 do të jetë në nivelet maksimale. Nga ana tjetër Presidenti i Rusisë, Putin, foli me tone të ashpra ndaj zyrtarëve të FBI-së. Ai theksoi se e gjithë kjo ishte një komplot ndaj Sepp Blatter.
