Për shumë skuadra e marta pritet të jetë vendimtare për ecurinë e tyre në këtë aktivitet. Sigurisht që ndeshja më interesante do të jetë ajo mes Francës së Deshampit dhe Spanjës, kampionia në fuqi e Botës dhe Evropës. Barazimi me Finlandën ia ka vështirësuar punën përfaqësueses së Del Boskes, e cila duhet të fitojë patjetër në Paris, pasi rezultatet e tjera do ta rrezikonin kualifikimin e tyre direkt në “Brazil 2014”.
Gjermania e Joakim Lëvit do të presë Kazakistanin, me të cilën fitoi 4 ditë më parë në Astana me rezultatin 3-0. Një tjetër fitore do ta çojë në 8 pikë diferencën me Suedinë e vendit të dytë që do të luajë një ndeshje miqësore me Sllovakinë.
Holanda do të kërkojë të vazhdojë serinë e fitoreve në grupin D. Kombëtarja e Van Galit, e cila është skuadra e vetme evropiane që i ka fituar të gjitha ndeshjet në këto eleminatore, do të presë Rumaninë.
Italia e Prandelit ka udhëtuar drejt Maltës me synimin për të marrë fitoren e katërt dhe për të konsoliduar vendin e parë në Grupin B.
Anglia dhe Mali i Zi do të diskutojnë mes tyre vendin e parë në grupin H. Ballkanasit kryesojnë me 13 pikë, ndërkohë që anglezët janë vetëm 2 pikë pas tyre.