Botimet në DITA, vëllai i Mehmet Shehut: Duam zhvarrim dhe rihetim për vdekjen

editor

Botimi nga ‘Dita’ i dëshmive sekrete të ekspertëve dhe mjekëve personalë që kryen veprimet proceduriale pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut mesnatën e 17-18 dhjetorit të vitit 1981, ka sjellë reagimin e familjarëve të ish-kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë. Nga Kanadaja ku jeton familjarisht për më shumë se 10 vitesh, 86-vjeçari Duro Shehu, ka pohuar se ‘do të ndërmarrim të gjitha hapat ligjor për rihetim nga ekspertët, në mënyrë që të dalë në shesh e vërteta, ajo që ne si familjarë kemi dyshuar, kërkuar dhe akuzuar që në momentin kur na lajmëruan për vetëvrasjen e vëllait tim’. Në prononcimin e tij, ashtu si dhe herë të tjera, ish-ushtaraku i lartë Shehu, kundërshton versionin zyrtar të vetëvrasjes dhe këmbëngul në atë të vrasjes. “Duke lexuar ato që ka botuar gazeta juaj, dëshmitë e personave që kanë administruar ngjarjen e 17-18 dhjetorit 1981, na përforcohet më tej bindja se Mehmet Shehun e kanë vrarë. Unë kam denoncuar që ditën e parë, që në momentin që na njoftuan për ngjarjen, se vëllanë e kanë eleminuar.

 

Unë kam akuzuar dhe akuzoj si realizues të skenarit Kadri Hazbiun, të urdhëruar nga kreu i vendit. Unë dhe familjarët e tjerë, që nga vrasja e vëllait, kemi kontaktuar me shumë persona që kanë pasur lidhje direkt dhe indirekt me ngjarjen, e ata na kanë konfirmuar dyshimin tonë për vrasje të inskenuar. Kemi shumë fakte për këtë, që nga pamundësia e vetëvrasjes me plumb e mbulimit në krevat(!!!), mos kontrollin e ambienteve të studios së Mehmetit, mos bërja e autopsisë, zhdukja enigmatike e një vajze që ka qenë në mjediset e vilës atë natë, e shumë veprime të tjera proceduriale të anashkaluara. Dyshimin, apo më saktë provat tona, i përforcojnë dhe dëshmitë e publikuara së fundi të mjekëve personalë, personelit të shërbimit dhe ekspertëve të hetimit. Në disa raste ato nuk përputhen, apo anashkalojnë enkas detaje kompromentuese të skenarit. Për më tepër, është e pa falshme, që me urdhër nga lart, trupit të Mehmetit nuk i është bërë autopsia. Qoftë dhe vetëm ky fakt, në kundërshtim me procedurat e domosdoshme ligjore, flet shumë. Ne e kemi ngritur zërin vazhdimisht, por tashmë, do të kërkojmë nga strukturat përgjegjëse të shtetit që të bëhet zhvarrim dhe rihetim per vdekjen e Mehmetit. Në këtë mënyrë, të dalë në shesh e vërteta e asaj ngjarje të rëndë”-pohon Duro Shehu.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Me vjen keq qe z. Duro kerkon te kryhen veprime qe nuk te cojne askund. Z. Duro, ju si familje duhet te jeni ne nje mendje. Zgjidhni kete, se pa zgjidhur kete rrezikoni te demtoni veten.
    Z.Bashkim (djeli i te ndjerit) e ka thene qarte shkakun e vdekjes. Ne keto qe botohen e qe per shumekend jane te njohura nuk ka asgje te justifikoje kerkesen tuaj per ekspertime te reja.
    Nese ndiheni se duhet te jeni ne vemendjen e publikut gjeni nje teme tjeter, pasi pershtypja ime eshte se i keni mundesite te trajtoni nje teme tjeter ne shtyp.
    Me respekt

    • Po ty kush te autorizon ti tregosh babait arat?! Te ka djegur ndonje gje nga ato qe po thote Duro, apo si? Mqs po i tregon Duros rrezikun, edhe une po te them ty, ruaj veten e mos rreziko me nje race trimash, se ajo dere nuk ka pjelle vetem Bashkim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *