BOVILLA, SHKOPETI DHE MONRO…

redaktor

Prej tashmë disa ditësh Tirana është pa ujë në çezma. Reshje intensive “shpëlanë malet” dhe “turbulluan” liqenin artificial të Bovillës, liqen i cili kur u hodh bazamenti dhe u ngrit diga jepte shpresë se Tirana do të kishte ujë me rrjedhje të lirë edhe në katet më të larta të pallateve.

Tirana këto ditë nuk ka ujë. Tirana tash prej shumë vitesh nuk ka ujë të mjaftueshëm për të furnizuar popullatën gjithnjë në rritje, nuk ka ujë njëzet e katër orë pa ndërprerje. Tirana, po të mos ishin “kazanët” e stërmëdhenj mbi tarracat e pallateve të vjetër e nëntokë në pallatet e reja, “kazanë” që vlerësuar në lekë apo euro e investuar në ujësjellës do të ndërtonin një “Buvillë” të dytë (në mos dy), do të thahej në fyt e në trup.

Shqipëria vlerësohet se është një nga vendet e para në Evropë për ujë të rrjedhshëm të pijshëm për njësi sipërfaqeje e për frymë të popullsisë.

Shqipëria duke perifrazuar Nolin është “anës lumit i pa larë, anës kroit gojëtharë”.

Buvilla shënon “hapin e parë” në daljen nga furnizimi me ujë i qyteteve nga “burime natyrore” e bashkë me të edhe problemet e para që lidhen me marrjen dhe përpunimin e ujit “të ndenjur”.

Gjatë këtyre dy dekadave është folur e shkruar shumë për problemet e basenit ujëmbledhës të Buvillës, për zhveshjen drastike që iu bë atij duke prerë në rrëzë pyjet e kësisoj duke i krijuar hapësirë erozionit (çka këtë radhë u bë katastrofik), për ndotjen organike nga disa banorë “kokëshkretë” që nuk donin të “lëviznin”, për problemet e filtrimit dhe funksionimi i impianteve… etj., etj.

Me sa u pa Shqipëria nuk ishte (dhe nuk është) e përgatitur për të marrë ujë nga ujëmbledhës artificialë e për ta çuar atë të pastër në çezmat e pallateve, me vetërrjedhje, edhe në katet më të larta.

Në këtë kuptim Bovilla është një dështim.

Shqipëria, edhe dje, edhe sot, por (me sa mendësohet) edhe nesër do të jetë rob i psikologjisë së “ujit në burim”. Drejtuesit e saj, si kuajt në karrocë i ka penguar dhe i pengon shikimi anash. Ata mundohen të ecin përpara pa parë anash, pa i hedhë sytë se si e kanë zgjidhur ujin e pijshëm me rrjedhje të lirë deri në katet më të larta, fqinjët.

Këtë po e ilustroj me shembullin e Greqisë, shembullin e fqinjit ku jeton dhe punon një “çerek Shqipërie” në mërgim ekonomik.

Athina në tërë shtrirjen e saj Atiki, furnizohet me ujë të pijshëm të bollshëm me rrjedhje të lirë deri në katet më të larta të pallateve dhe të maleve-kodra rreth e qark, pa ndërprerje. Një popullsi sa dyfishi i gjithë Shqipërisë dhe sa 5-6 fishi i Tiranës ka ujë të bollshëm edhe për të pirë, edhe për tu larë, edhe për të ujitur kopshtet pa kufizim.

Në Athinë qytetarët pinë ujë drejtpërdrejt në çezmë. Dhe uji i Athinës konsiderohet si një ndër ujërat e pijshëm më të mirë në Evropë…

Po si e ka arritur vendi fqinj këtë?

Me anë të lumit dhe të liqenit të Monrosë…

…Lumi i Monrosë, prej atje ku buron e derisa derdhet në gjirin e Korinthit është shtatëdhjetë e shtatë kilometra i gjatë. Është një lumë i vogël si të gjithë lumenjtë e Greqisë. Më shumë se kaq nuk thotë teksti i gjeografisë së gjimnazit…

Por një tekst tjetër “gjeografie”, ai që është i lidhur me EIDHAP ( Εταειρεία Ύδρευσεις και Αποχέτευσης Πρωτεύσας – Ndërmarrja e ujë-kanalizimeve të kryeqytetit- ) dhe furnizimin pandërprerë të Athinës dhe rrethinave me ujë të pijshëm thotë të tjera gjëra…

Lumi Morno nëpërmjet një dige që citohet të jetë “diga më e lartë prej dheu në Evropë me lartësi 126 m.”, kthehet në një liqen të bukur, si liqenet e bukur të vendit tim; ai i Ulzës, Shkopetit, Vaut të Dejës, Komanit, Fierzës, Thanës, Buvillës… Ngritja e digës dhe formimi i liqenit nuk kanë pas synim prodhimin e energjisë elektrike por furnizimin me ujë të pijshëm të kryeqytetit grek Athinës dhe të tërë Atikës. Duhet theksuar se ai nuk është i vetmi ujëmbledhës që është krijuar për të njëjtin qëllim. Si ai është edhe liqeni i Marathonës dhe të tjerë. Duhet theksuar gjithashtu se ai dhe të gjithë ujëmbledhësit e tjerë nuk janë vepra të “kohëve të fundit” por vepra me një zanafillë masive të viteve ’30-të të shekullit të kaluar. Dokumentet e shkruara dhe veçanërisht fotografitë e publikuara në internet flasin për një punë sistematike për sigurimin e ujit të pijshëm për kryeqytetin por edhe për të gjitha zonat e Greqisë.

Kanali që lidh ujëmbledhësin e Mornosë me Athinën është 188.5 kilometra i gjatë. Ai përshkon 67.5 kilometra tunele, 113,5 kilometra kanale të sistemit të hapur e të mbyllur, 7.5 kilometra sifone…

Në ujësjellësin e hapur ndërtuar me ferrobeton në çdo sekondë qarkullojnë 20-22 metro kub ujë…

…Nuk po vazhdoj më gjatë, veçse një brengë dua ta vazhdoj e ta ndaj me të gjithë.

Vendi ynë, Shqipëria, ka aq “liqene Morno” sa do të furnizonte me ujë të bollshëm jo vetëm fqinjët në kufij tokësor por edhe të kalonte detin. Shkopeti, matur me “kilometrat Morno” është shumë afër Tiranës, Durrësit, Kavajës…Vau i Dejës e Komani janë shumë afër Shkodrës e Lezhës…

Të ndalemi vetëm tek njeri, liqeni i Shkopetit i cili në “rrugë automobilistike” nuk është më larg se 50-60 kilometra nga Tirana dhe Durrësi.

Uji pasi rrotullon turbinat dhe, që nga viti 1962 përcjell dritë elektrike për vendin, mbetet “i lirë”, pa asnjë pengesë për të rrjedhë drejt detit.

Uji është i pastër, ndër më të pastrit e liqeneve natyrorë dhe artificialë.

Një kanal i hapur (si ai i Mornosë) ose një trase me tuba të diametrave të ndryshëm, një impiant pastrimi me parametra kohorë do të bënte të mundur që tërë hapësira nën kuotë të furnizohej me ujë të pijshëm të bollshëm në linjën Milot-Laç-Fushë Krujë-Vorë-Shijak-Durrës-Kavajë…

Pse jo edhe një pjesë të ultësirës së Tiranë…

Uji i liqenit të Shkopetit nuk ndotet nga rrjedhjet në basenin e tij, është gjithnjë i patër.

Sa do të ishte investimi?

Le ta vlerësojnë specialistët por unë, nga sa kam lexuar dhe lexoj (edhe në internet) them se kostoja e tij do të ishte shumë më e ulët se sa kostoja e marrjes së ujit për Durrësin nga burimet nëntokësore të Fushë Kuqes. Lexoj në internet se për këtë janë shpenzuar (dhe vazhdojnë të shpenzohen) qindra miliona euro dhe përsëri Durrësi vuan për ujë, e ka të racionuar atë në orare të lëvizshme.

Tirana këtë javë ripërjetoi dramën e rëndë të furnizimit me ujë të pijshëm.

Zyrtarët ia kanë lënë të gjithë fajin natyrës, reshjeve të jashtëzakonshme, ndotjes nga dheu i basenit ujëmbledhës… Zyrtarët për vete nuk morën asnjë përgjegjësi… E si të marrin kur nuk kanë as sy për të shikuar, as veshë për të dëgjuar, as kokë mbi shpatulla për të menduar?

 

 

 

 

Share This Article
6 Comments
  • ARTIKULL I SHKELQYER QE DUHET TA LEXOJE QEVERIA DHE SHUME INSTANCA TE TJERE. NJI PROJETK QE MUND TE RREALIZOHET ME NDIHME NGA BB DHE QE BORXHI MUND TE SHLYHET SHUME SHPEJT- QOFTE EDHE ME NDIHMEN E ITALISE E CILA MUND TE PERFITOJE NGA KY PROJEKT MEQE KA MUNGES NE REZERVAT UJORE

  • Artikull qe duhet te zgjoje nga gjumi nje popul, te droguar nga drogat e forta te riciklimit te botes se krim-korrupsionit-imoralo-politik ne te tri pushtetet,plus ate pjese te medjas qe i shon pas per te pastruar leke te pista.
    Nje shkrim briland per kohen, nderin dhe progresin njerezor qe po pengohet nga djajt e politikes shqiptare si Berisha,nano,meta,basha dhe rama faqezi deri me sot.
    Cojuni shqiptare prej gjumit,cojuni dhe protestoni deri ne largimin e ketyre mostrave qe vazhdojne dhe luajne me fatet e popullit,futboll me dy porta nen moton”nje here une dhe nje here ti qe ta shqyejme kete Shqiperi”.Fatkeqesisht kjo eshte dhe po mbetet pasyre rreale e poltikave te peshtira te Tiranes zyrtare deri me sot.
    Vetem protesta pa pushim deri ne pastrimin e te tre pushtetet nga bota krimit dhe e superkorrupsionit te Tiranes zyrtare,nen udheheqjen e intelektualeve te paperlyer me te djeshmen dhe te sotmen sa superkorruptive dhe superkriminale do te bente te mundur nje Shqiperi vertet te lire e demokratike dhe ne progres njerezor,c’do shprese e djalli do te behet njeri eshte nje grusht ndaj vetes,familjes dhe Shqiperise ne progres njerezor.
    Gjeniu i lashtesise Eskili ka thene;nga nje e drejte e neperkembur,lind nje borxhe per t’u paguar.
    E se fundi populli thote;c’do te bejshe ne dete do ta gelltisesh me kripen,po patriote.

  • E the mor e the,Por kujt ja the se….Ne jemi nga soji qe s’kemi as sy per te pare e as vesh per te degjuar,Kemi vetem goje per te bere (Lehur) ….ham-ham,ose gam-gam si qente per problemet personale.

  • Zyrtare miope,qeveritare makute,shtirraqer demagoge,po ju meson miku!Nuk ka nevoje te paguani miljarda!Vetem 5 km kanal nga hidrocentrali “Lenin”,deri ne Tirane.50 km nga hidrocentralet K.Marx e F.Engels deri ne Durres dhe Tirane,se po e paguajme ujin me flori e s`po kemi!Oooo Tyca,ju qe mesoni Evropen per krizen energjitike,ti profesor Edi qe e nxorre vendin nga kriza energjitike,lexoje pak kete mikun,cfare shkruan per Greqine e thate.

  • E keni mare vesh qe hidrocentralet e Ulzes dhe shkopetit jane dhene per nje cape buke me koncesion tek Turqit e ‘KURUM”.
    Duhet te presim edhe 25 vjet z.Abdurrahim te mbaroje afati i koncesionit,pushtetaret tane mendojne si t”ja hedhin (vjedhin)nje legjislature por me tej le te behet kjameti….Rri e qofsh shendoshe atje ku je se ne na ka mare lumi me kohe!!

  • Une kam edhe nje zgjidhje me te mire dhe perfundimtare ! Le te hapin portat e digave te Shkopetit , Ulezes , Komanit , Fierzes apo te gjitha digave dhe le te pime uje nje here e mire sa te ngopemi per ne boten e pertejme !

    Te pakten ikim te pire dhe pa pishmane per uje , bashke me ceveritaret tane 28 vjecare !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *