Zëvendësministri i METE, Eno Bozdo ka reaguar sërish sot në lidhje me programin e opozitës. Sipas Bozdos deklaratat e Ramës janë retorikë boshe. “Ai vazhdon me slogane boshe të ngjizura në dhomën e tij pink të gjumit, ndërkohë që nuk ka ende një plan për krijimin e vendeve të punës, por vetëm një plan për rritjen e taksave që shkaktojnë humbje të vendeve të punës. Le t’i pyesë zoti Rama këta sipërmarrës, se si ndihen ata për planin e tij, për rritjen e taksave? Le t’i pyesë ata po pati guxim, kur ata vetë e dinë që do të detyrohen t’i heqin punëtoret nga puna po u ra për pjese taksa me kate e Rames, qe edhe ai vetë nuk e di se sa kate do të ketë. Por ka thënë se do t’ua tregojë pas zgjedhjeve. Ata do të të thonë, zoti Rama, se duan të rrisin biznesin e tyre dhe të punësojnë më shumë njerëz, dhe jo t’i heqin punëtorët nga puna sa hap e mbyll sytë. Ata do të tregojnë se i vetmi plan konkret qe ke ti zoti Rama, plani për rritjen e taksave me 50 % për bizneset e vogla, dëmton pikërisht ata sipërmarrës që krijojnë vënde pune. Ata do të të tregojnë, z.Rama, se je ti me taksën tënde më kate që shkatërron klimën e favorshme për rritjen e biznesit. Ata do të të thonë z.Rama se je ti qe ke bllokuar Gjykatën Administrative që do t’i ndihmonte ata per te zgjidhur çështjet me qeverinë, në mënyrë të ndershme dhe të paanshme. Ata e dinë shumë mirë tashmë që në vënd të kësaj gjykate, ti zoti Rama, kërkon të kesh një zyre politike që të raportojë tek ti. Dhe ti në mënyrë selektive të ndëshkosh ata që s’do, dhe të falesh ata kontrabandistë pa të cilet ti nuk merr dot frymë, pa te cilët ti nuk e mban dot Partinë Socialiste. Ata e dinë tashmë, zoti Rama, se ti je një mace e zezë për bizneset dhe punësimin që u pret jo vetëm rrugën, por ua prish edhe ëndrrat. ”, deklaroi Bozdo për mediat.
