Ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, në një intervistë për RTK-në, tha se Gjykata Speciale, nuk duhet të shihet si gjyq kundër UÇK. Ai e ka vlerësuar mjaft të ndjeshme për Kosovën procesin e themelimit të Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës. Miratimin e saj nga Parlamenti I Kosovës e ka vlerësuar si opsionin më pak të dhimbshëm.
“Nuk duhet të shihet ky si një gjyq kundër UÇK-së. Gjykata do të merret me krimet e bëra nga individët, ajo nuk e sjellë UÇK-në para gjyqit. Disa prej të dyshuarëve mund të kenë qenë pjestarë të UÇK-së, por kjo nuk do të thotë se po gjykohet UCK-ja, dhe kështu duhet të kuptohet. Sa i përket Serbisë, mendojë se ka shumë krime të cilat nuk janë adresuar si duhet dhe kjo është një gjë që duhet të bëhet. Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet ti shqyrtojë dhe ti hetojë rastet, për tu ballfaquar me këto krime”, tha ai.
Për vazhdimin e ulëseve të rezervuara, ambasadori Braathu tha se mund të jetë vendim i mençur, por ato duhet të përfundojnë dikur. ” Sot komunitetet jo shumicë kanë 26 ulëse, por kjo është një diçka që s’mund të vazhdojë përgjithmonë” tha ambasadori norvegjez.
Braathu është i mendimit se Misioni EULEX në Kosovë ka ende punë për të bërë.
“ Mendoj se EULEX-i mund të kontribuojë në sistemin gjyqësor të Kosovës edhe më tej. Nëse i shohim anketat e opinionit publik e shohim se qytetarët pak a shumë i besojnë EULEX-it. A mund të ketë bërë më shumë eulex-i, me siguri. Por une e di se kanë punuar mjaftë shumë dhe kanë mjaft raste të cilat janë përgatitur Mendoj se ky mision mund ti ndihmoj Kosovës për tu marrë me këto raste pasi disa prej tyre janë shumë të vështira për ti gjykuar nga prokurorët dhe gjykatësit kosovarë, pasi ata mund të vihen në presion të madh nga opinioni kështu që ndonjëherë duhet të merret ndihma nga jashtë.”, tha ai.
