Opozita ka vijuar akuzat e ashpra ndaj situatës së krijuar në vend për shkak të konfliktit mes CEZ dhe Qeverisë. Deputeti socialist Erjon Brace thotë se situata e krijuar në tregun energjetik i ka rrënjët pas, në vitin 2009 kur qeveria vendosi të privatizonte monopolin e shpërndarjes. “Pikërisht atëherë ne kundërshtuam me forcë privatizimin e kompanisë, duke i thënë Sali Berishës që nuk mundet që një monopol natyral të transferohet po si monopol tek një kompani private; që siguria kombëtare e do që Qeveria e Shqipërisë të mbante shumicën e aksioneve; e kundërshtuam për shkak të procedurave që po ndiqeshin; e kundërshtuam për shkak të çmimit me të cilin u shit; e kundërshtuam për një arsye akoma edhe më të fortë, mungesën totale dhe dramatike të transparencës të procesit të privatizimit”, u shpreh dhe Braçe për mediat.
Akuzat ndaj qeverisë
Braçe akuzon se Qeveria heshti edhe atëherë kur opozita paralajmëroi se sistemi energjetik po zhytej në kolaps financiar, duke kërcënuar ekonominë kombëtare. “Ju kam thënë para shtatë muajsh, që i gjithë sistemi elektroenergjitik shqiptar po hyn në mes të një zinxhiri borxhesh, që po e kthen sistemin në një piramidë shumë të madhe financiare. Një zinxhir i tërë borxhesh që e kalon vlerën e 1.2 miliardë dollarëve”, tha Braçe. Deputeti socialist mendon se privatizimi i shpërndarjes për qëllime politike dhe në rrethana të dyshimta ka nga pas faturën, pjesa më e madhe e së cilës duhet ende të vijë. “Shifra që CEZ pretendon nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë për t’u larguar nga Shqipëria është me tetë zero dhe janë para që nuk i ka të vetat as Sali Berisha, as ministri i Ekonomisë janë para që do të dalin nga xhepat e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Ta dëgjojnë sot mirë të gjithë shqiptarët se do të paguajnë një kosto si pasojë e veprimeve kriminale të Sali Berishës që prej vitit 2008 me tetë zero”, deklaroi Braçe.
Leave a comment