Braktisja totale e turizmit

anazapta

Qeveria në ikje këtë vit e ka lënë në mëshirën e fatit degën kryesore të ekonomisë sonë, turizmin (jep më shumë se ndërtimi në Produktin e Brendshëm Bruto të vendit), pavarësisht nga tamburet që ka lëshuar herë pas here për gjoja vëmendje të shtuar ndaj tij. Këtë e dëshmon edhe numri në rënie të theksuar i turistëve, tregues me të cilin qeveria jonë e papërgjegjshme, gjatë viteve të fundit gjithnjë është mburrur, edhe pse s’ka bërë asgjë për t’i tërhequr vizitorët vendas apo të huaj në destinacionet tona turistike. Më e ndjeshme, rënia ka qenë te emigrantët tanë, të cilët, për shkak të krizës ekonomike dhe rënies së fuqisë financiare, kanë zgjedhur të mos udhëtojnë drejt vendit të tyre gjatë sezonit veror, duke shmangur fluksin, por edhe çmimet e kripura të biletave të avionëve apo trageteve. Nga qershori deri më 15 gusht 2013, kanë vizituar Shqipërine rreth 785 mijë shtetas të huaj, me një ulje prej 8 për qind, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sezoni turistik i këtij viti po shënon shifra negative kudo. Të dhënat më të fundit nga Drejtoria e Kufirit të Policisë së Shtetit për periudhën qershor – 15 gusht të këtij viti, konfirmojnë rënien e hyrjeve të shtesave vendas dhe të huaj në pikat tona kufitare. Në total, gjatë këtij sezoni, kanë udhëtuar drejt Shqipërisë 1.7 milionë individë, me një rënie prej 8.6 për qind në raport me një vit më parë. Ajo që bie në sy është rënia e ndjeshme e turistëve nga Kosova që kanë hyrë në Shqipëri gjatë këtij sezoni veror. Kanë kaluar kufirin shqiptar rreth 199 mijë shtetas nga Republika e Kosovës, nga 283 mijë një vit më parë, ose një rënie prej 30 për qind gjatë këtij viti. Qeveria qendrore nuk ka dhënë asnjë fond, nuk ka përgatitur asnjë program për pushuesit vendas dhe të huaj në plazhet tona, apo në pikat malore. I ka lënë në mëshirën e fatit edhe bashkitë e komunat turistike, duke mos u akorduar asnjë grant të kushtëzuar apo fond shtesë për përgatitjet për sezonin turistik. Ka qenë shumë e zënë dhe e preokupuar me përgatitjen e zgjedhjeve dhe blerjen e votave. Kjo indiferencë ka rezultuar vrastare për turizmin tonë, ndërkohë që destinacionet turistike në Greqi dhe Mal të Zi janë mbushur me turistë, duke përfituar dhe nga ofertat dhe fondet e programet ndihmëse e promovuese të qeverive përkatëse. Turizmi shqiptar është lënë në fatin e vet, duke lënguar mes morisë së ndërtimeve pa leje që e prishin tërësisht dhe e betonojnë bregdetin tonë të bukur, varfërisë së shërbimeve turistike dhe mungesës totale të programeve të pushteteve vendore e atij qendror. Me rënien e numrit të turistëve dhe numrit të ditëve qëndrim për një vizitor në vendin tonë, ekonomisë shqiptare do t’i mungojnë këtë vit rreth 300 milionë euro, të cilat mund të ishin marrë dhe ndoshta edhe mund të ishin shtuar, në rast se qeveria në ikje do të ishte treguar e përgjegjshme dhe do të kishte caktuar fonde, përgatitur programe e projekte për pastrimin total të vijës sonë bregdetare nga mbeturinat, për rregullimin e plazheve, gjallërimin e jetës kulturore, artistike e dëfryese gjatë qëndrimit në plazhet tona, etj. Ka një praktikë të gjerë për këto ndërhyrje të qeverisë qendrore në dobi të turizmit tek vendet tona fqinje, prandaj dhe asnjë nga ministrat e kësaj qeverie nuk mund të justifikohet duke thënë se nuk e dinte. Turizmi shqiptar është ndoshta e vetmja industri parësore në Evropë e lënë tërësisht jashtë vëmendjes dhe përpjekjeve të qeverisë qendrore. Mjafton të krahasojmë fondet publike  që merr sektori i turizmit tek ne me fondet që merr turizmi malazes, grek(po, grek, edhe pse Greqia është në krizë të thellë ekonomike) apo kroat, në raport me  Produktin e Brendshëm Bruto të vendit. Tek ne fondi i Agjensisë Shtetërore të Turizmit është më i vogël se fondi i Zyrës së Promocionit të Turizmit kroat në Tokio! Por nuk qëndron puna thjesht dhe vetëm tek paratë, tek fondet. Asnjëherë në këto vite, megjithë propogandën e madhe për të kundërtën, turizmi shqiptar nuk është parë si dega kryesore dhe me më shumë të ardhme e ekonomisë. As edhe taksa mbi vlerën e shtuar e hoteleve nuk është arritur të ulet(nga 20 përqind të paktën në 7 përqind, sa e ka Kroacia), megjithë kërkesat e vazhdueshme të biznesit privat turistik tek ne. Rezultati mjeran është rënia e dukshme e numrit të turistëve dhe e të ardhurave nga turizmi. Një rënie që nuk do të vendosë njeri në bangën e të akuzuarve, por që përbën mirëfilli krim ekonomik. Kjo, në një kohë kur të paktën ato 300 milion euro që mund t’i merrnim dhe që nuk i morëm nga turizmi këtë vit, për shkak të indiferencës dhe papërgjegjshmërisë qeveritare, sot do të na kishin shërbyer për ta kaluar më butë këtë periudhë tejet të vështirë të krizës.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *