Në këtë Botëror kemi parë gjithçka, nga tifozët që bëjnë magji në shkallët e stadiumit, nga ata që udhëtojnë me mijëra kilometra për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës apo dhe lojtarët që kafshojnë në fushën e lojës. Botërori pak a shumë është skena, në të cilën me dëshirë ose jo, hapet perdja dhe të gjithë shfaqen ashtu si janë në të vërtetë ose pothuajse, në të vërtetë, si në rastin e këtyre dy tifozëve, që menduan se për një ditë mund të bëheshin Pele ose Maradona. Kafshimi i Suarezit nuk është i vetmi gjest që do të mbahet mend, pasi vështirë se tifozët, dhe jo vetëm ata gjermanë, do ta harrojnë për të dytin Botëror radhazi, gjestin e Joachim Low në stol në ndeshjen me Ganën, me fansat që dukej sikur luteshin që kamerat të mos e fokusonin më. Në këtë Kupë Bote do të kujtohet gjithashtu dhe Joe Hart, jo aq shumë për pritjet sesa për lutjen e tij për të pasur një top në përballjen me Italinë.
Kërkesë që nuk ju plotësua dhe futbollisti shkoi e shkelmoi tabelat publicitare. Më shumë arsye megjithatë për t’u ndjerë të irrituar kanë patur tifozët anglez, që pasi shpenzuan me mijëra paund për të ndjekur skuadrën e zemrës në Brazil, përfituan falas…eliminimin që në fazën e grupeve…e paçmueshme vërtetë siç thotë dhe kjo pankartë. Patëm gjithashtu dhe tifozë që treguan guximin e tyre duke u infiltruar në strofullën e kundërshtarëve, si ky fans i Kroacisë, që ishte i vetmi në betejë kundër tifozëve të Selesaos. Veprim që gjithsesi nuk e pengoi të shfrynte ndaj kryesorit japonez në momentin e akordimit të 11-metërshit në favor të Fred. Ndërsa kishte dhe prej atyre që u bënë oportunistë, duke u hakmarrë për atë penallti me një puthje braziliane në transmetim direkt.
Në Botëror ishte dhe Mario Balotelli, që pas fitores me Anglinë, i kujtoi të gjithëve rezultatin duke i kërkuar të rrinë urtë, por në fund e qepi vetë gojën, duke u zhytur në stolin e kaltërt, teksa Italia e tij eliminohej me Urguajin. Stadiumet papritur na u kthyen në opera gjigante, falë brazilianëve që kapën notat më të larta, të shoqëruar dhe nga një kor prej 80 mijë personash. Gjithashtu kemi parë dhe qen që zënë vendin e futbollistëve në stërvitje, si në rastin e Kamerunit, që e zëvendësoi mungesën e tij pas humbjes me Meksikën në stërvitje me praninë e mikut me katër këmbë të njeriut. Dhe meqenëse jemi te Kameruni, futbollistët e kombëtares afrikane ishin më të zënë të konfliktoheshin me njëri-tjetrin sesa të ndalnin sulmuesit kroat. Dhe në fund e mbyllim me Ronaldon, që deri në këto momente vërtetë nuk ka shënuar asnjë gol, por me “gjuajtjet” e tij arriti të “peshkojë” një tifoze gjermane në shkallët e stadiumit të Salvadorit, ndërsa një tjetër kërkoi ta “peshkojë” CR7 nëpërmjet formave të saj. Në fund të fundit, dhe ky është Botërori.
Ja kush janë futbollistët më të vjetër në Botëror
Botërori është vitrina e futbollistëve të talentuar, por gjithashtu është dhe kompeticioni, kur përkrah të rinjve qëndrojnë dhe ata të vjetër më përvojën e tyre. Në minutën e 85-të, të ndeshjes me Japoninë, Kolumbia aktivizoi në fushë, Faryd Mondragon që me 43 vjeç e dy ditë u bë futbollisti më i vjetër që ka luajtur ndonjëherë në këtë turne, aq sa është gjithashtu dhe futbollisti i vetëm që ka marrë pjesë plot 6 herë në eliminatoret për kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik në glob. Por historia e Mondragon është vetëm vazhdimi i një sfide kundër moshës që shumë kampionë të tjerë të së kaluarës kanë guxuar ta bëjnë. Futbolli është i mbushur me emra që kanë tejkaluar çdo limit, duke mos ndjerë mbi supe peshën e rëndë të viteve, nga Roger Milla, i cili në 1994, jo vetëm që në moshën 42- vjeçare u bë lojtari më i vjetër që kishte luajtur ndonjëherë në Botëror, por gjithashtu ishte dhe më i vjetri që shënoi, teksa realizoi golin e vetëm të Kamerunit në humbjen 6-1 me Rusinë.
Milla theu rekordin e irlandezo-veriorit Jennings në Botërorin e 1986, ndërsa i treti në listë qëndronte Piter Shilton që në ndeshjen për vendin e tretë dhe të katërt në Botërorin italian ishte plot 40 vjeç e 9 muaj e 19 ditë. Por ka dhe prej atyre që karrierën e tyre futbollistike dhe rekordin e kanë thyer duke ngritur lart një trofe, si rasti i Dino Zoff që në Spanjë 1982, arriti në finishin e jetës së tij futbollistike duke mbajtur në duar Kupën e Botës pas finales së Madridit në 1982. Asokohe ai ishte 40 vjeç e 4 muaj e 13 ditë. Mondragon ishte vetëm rasti i fundit i një serie futbollistësh, që do të vazhdojnë të sfidojnë kohën…në kërkim të rekordeve të reja, në një kompeticion, që nuk i përket vetëm të rinjve shpërthyes por dhe përvojës së më të vjetërve.
Një avion me 3 mln USD për Ganën
E ku mund të ketë stimul më të mirë sesa paratë? Fuqinë e jashtëzakonshme që sjellin kartëmonedhat, Federata e Ganës po përpiqet ta shfrytëzojë në këtë Botëror për të nxitur lojtarët e kombëtares, që rrugën e tyre në Brazil ta çojnë sa më larg. Në fakt situata tek skuadra afrikane ndryshon pak nga përfaqësueset e tjera, pasi deri më sot asnjë prej lojtarëve apo prej stafit nuk është paguar. Brenda ekipit kishte tension, gati për të shpërthyer nga momenti në moment, por zgjidhja edhe pse me vonesë ka ardhur me avion.
Me një fluturim të posaçëm, plot 3 milionë dollarë kesh u nisën drejt Brazilit për t’iu shpërndarë lojtarëve ganezë para sfidës vendimtare me Portugalinë. Yjet e Zinj kishin kërcënuar se nuk do të largoheshin nga baza e tyre stërvitore deri në momentin që paratë do t’i kishin në duar. Federata fillimisht u premtoi transferim bankar, por futbollistët këmbëngulën në pagesën kesh e kështu u desh ndërhyrja e numrit një të vendit për t’i dhënë zgjidhje situatës. Presidenti John Dramani bisedoi në telefon me kapitenin Asamoah Gyan dhe yllin e Milanit, Sulley Muntari, duke i sigurar se pakot me 3 milionë Dollarë u dërguan dhe tani Gana duhet të luajë e qetë dhe e motivuar kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldos. Shanset për kalimin në raundin tjetër janë reale, vetëm se Shtetet e Bashkuara ose Gjermania duhet patjetër të humbasë.
“Vampiri” Suarez bëhet mbret në Twitter
Psikologu i një universiteti në Britani, Thomas Fawcett kishte paralajmëruar se Luis Suarez do të kafshonte sërish, por nuk mund të parashikonte se kush do të ishte viktima e radhës. Askush nuk ia vuri veshin dhe pas Ivanovic që provoi në lëkurë forcën e dhëmbëve të uruguaianit, tani e pati radhën Chiellini. Kohë më parë, psikologu Fawcett tha i bindur se Suarez do t’i rikthehej zakonit të vjetër sepse kafshimi për të është një impuls, një reagim i pamenduar, krejtësisht spontan. Dhe kështu ndodhi, në një moment totalisht të panevojshëm, shpatullat e Chiellinit duket sikur e ftonin sulmuesin e Uruguait për të ngulur dhëmbët e tij të mprehtë. E nga ky moment, Suarez u shndërrua rrufeshëm në të gjithë botën në personazhin më të diskutuar në rrjetet sociale, u bë mbreti i Twitterit.
Një vampir i fushave të blerta e quajnë disa dhe herë shfaqet si protagonist i serialit “True blood” e herë si aktori kryesor i filmit shumë të njohur “Twilight”. Në mënyrë ironike, diku tjetër bomberit uruguaian i jepet çmimi për kafshimin e vitit, ndërsa të tjera ironizojnë dhe e shfaqin si peshkaqenin më të rrezikshëm të oqeaneve. Nga ana tjetër ka edhe marka të njohura që këtë incident po përpiqen ta shfrytëzojnë për marketingun e produkteve të tyre. I tillë është rasti i zinxhirit “Nandos”, në Britani që e fton Suarez të ngulë dhëmbët në diçka më të shijshme e po kështu edhe Snickers, në profilin zyrtar në Twitter, ka postuar këtë foto, ku thuhet “Më e kënaqshme se italianët”. Duket sikur të gjithë po mundohen të argëtohen e të përfitojnë nga Konte Suarez. Ndërkohë që Chiellini qante për dhimbjet në shpatull, dikush në Norvegji gëzonte me të madhe. Një tifoz kishte vendosur bast 4 Euro për gjestin e famshëm të uruguaianit dhe qëlloi drejt e në shënjestër. Nga 4 Euro, falë kafshimit të lojtarit të Liverpoolit, xhepit të tij iu shtuan gati 700 Euro. Në Twitter po e ironizojnë, në Itali duan ta shikojnë të kryqëzuar, por në Uruguai, Luis Suarez vazhdon të jetë një hero kombëtar.
