Me 136 gola të shënuar në fazën e grupeve Botërori i Botërorëve shënon një tjetër rekord, por tashmë vëmendja shkon drejt 1/8-ve ku priten të tjera surpriza, emocione në çdo dribling të Cuadrados, gol të Messit apo Neymar, çdo përqafim lumturie të Kosta Rikës apo zhgënjim të skuadrave që do të eliminohen. Me vështrimin drejt 1/8-ve le të shohim se çfarë na pret ndeshje pas ndeshje.
Aventura e eliminimit direkt nis sot në orën 18:00 me të zotët e shtëpisë, favoritët e mëdhenj, në duelin Brazil-Kili. Dikur Selecao ngjallte vetëm simpati, por penalltia e Fred ndaj Kroacisë dhe një lojë jo në lartësinë e traditës i kanë ndryshuar pak ekuilibrat. Por gjithsesi kjo nuk ndodh në fushë ku Neymar ka mbushur boshllëqet dhe në pritje për të sfiduar Messin bën provat me një tjetër shok skuadre te Barcelona, Alexis Sanchez. Scolari ka gjetur ndoshta te Fernandinho njeriun që mund të nxisë manovrën, ndërsa Kili ka lënë të pushojë Vidal kundër Holandës do të duhet version më i mirë i “mbretit” Artur për t’i hapur luftë “penta campeaos”.
Kolumbi–Uruguai është ndoshta sfida më e ekuilibruar e 1/8. Në eliminatore në shtëpinë e tyre “Los Cafeteros” i dhanë një leksion Celestes duke i mundur 4-0, por në takimin e kthimit Cavani me shokë u hakmorën duke fituar 2-0. Diferencën mund ta bëjë mungesa e Suarez që i dha fund Botërorit me kafshimin ndaj Chielliniy, por dhe rritja e dukshme e Cuadrados dhe James Rodriguez, mes lojtarëve në formën më të mirë që janë parë deri tani në Brazil. Tema taktike është e qartë, Kolumbia do të bëjë ndeshjen, Uruguai do të niset në kundërsulm.
Holandë–Meksikë, sulmi më i mirë kundër mbrojtjes më të mirë. 10 golat e shënuar nga portokallinjtë kundër të vetmit gol të pësuar nga Ochoa që la thatë edhe Neymar. Por Van Gaal nuk luan një futboll sulmues dhe Herrera nuk bën katenaço. Janë ekipe që luajnë me modulin 3-5-2. Holanda i beson klasit të individëve, ndërsa Meksika organizimit të hekurt.
Të dielën në mbrëmje luhet Kosta Rika-Greqi. Kosta Rika është zbulimi absolut i Botërorit, luante në grupin e ferrit me Uruguain, Anglinë e Italinë, të cilin e fitoi pa pësuar asnjë gol në aksion. Greqia e arriti kualifikimin duke fituar në sekondat e fundit ndaj Bregut të Fildishtë, por ndeshje pas ndeshjeje skuadra helene është rritur, nuk ka kualitete të mëdha, por kundërsulmon me shumë njerëz dhe ka karakter. Kosta Rika mund të paguajë sindromën e vetëkënaqësisë, por dhe taktikën greke që synon t’ia lërë iniciativën kundërshtarit.
Të hënën në orën 18:00 është momenti i Francë-Nigeri. Barazimi 0-0 me Ekuadorin nuk mund të përfaqësojë një kambanë alarmi, Les Bleus luajtën me kualifikimin në xhep, në dy ndeshjet e mëparshme bindën më shumë. Benzema është në formë, ndërsa Valbuena dhuroi kualitet duke bërë të harrohet Ribery. Cabaye-Matuidi ose në alternativë Sissoko formojnë një mesfushë të frikshme. Nigeria trembi Argjentinën me Musa, por Deschamps nuk lë kurrë aq hapësira sa mbrojtja albiceleste. Në letër nuk ka sfidë.
Gjermani-Algjeri është teorikisht gara me bastin më të garantuar. Virtyti më i mirë i afrikano veriorëve janë goditjet standard aty ku gjermanët nuk vuajnë kurrë. Në kompensim Algjeria ka pësuar gol në çdo ndeshje dhe Tomas Myller mund të vazhdojë vallëzimin. Në 1982 Algjeria e Madjer fitonte 2-1 kundër Gjermanisë Perëndimore që më pas shkoi në finale, por ajo ishte Algjeria e Madjer, jo e Slimani e Feghouli, pastaj këtë të shtunë nis dhe muaji i Ramazanit.
Të martën në orën 18:00 luhet Argjentinë-Zvicër. Nëse mbetemi te ndeshjet e fundit në grupe Shaqiri mposht Messin 3-2 përsa i përket golave të shënuar. Por nëse heqim këtë të dhënë, nuk ka shumë faktorë të tjerë pas të cilëve mund të kapen helvetët. Albiceleste u shfaq në rritje ndaj Nigerisë me një distancë inferiore mes reparteve dhe më shumë lëvizje përpara. Mbrojtja vuan ende dhe cilësitë e Shaqirit mund ta dëmtojnë, por Sabella ka Messin. 4 gola në 3 ndeshje lojtari më i mirë dhe këtu ulet sipari.
Turi i 1/8-ve mbaron të martën në orën 22.00 me Belgjikë-SHBA. Belgjika duhej të ishte surpriza më e madhe e turneut, fitoi 3 ndeshje në grupin më të lehtë dhe kurrë nuk bindi deri në fund. Kjo pasi ka lojtarë të mirë dhe një kampion si Hazard, por duket se shikohet shpesh në pasqyrë dhe qendërsulmuesi Lukaku ka shkuar në Brazil në gjendje të keqe. Ndeshje me kundërshtarë si Algjeria, Rusia e Korja a Jugut janë objektivisht pak për të gjykuar. Klinsman mund të bëjë një tjetër goditje befasuese nëse luan si kundër Portugalisë, duke vertikalizuar shpejt me lëvizjet e Dempsey dhe duke shfrytëzuar shpejtësinë e Jones.
