Pesë titujt botërorë janë fituar me trajnerë vendas dhe kështu do të vazhdohet
Federata Braziliane e Futbollit heq dorë përfundimisht nga alternativa Guardiola. Presidenti i CBF-së, Jose Maria Marin u dha fund hipotezave për një kalim të mundshëm të Pep Guardiolës te Seleçao, teksa konfirmoi me gojën e tij se trajneri i ardhshëm i kësaj përfaqësuese do të jetë një brazilian. 80-vjeçari, i cili gjendet në këtë post që nga 12 marsi i këtij viti, shprehu respektin për Guardiolën, megjithatë këmbënguli në faktin se të pesë titujt botërorë të fituar deri më sot nga verdhjeshilët janë fituar me trajnerë brazilianë. Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit e bëri një deklaratë të tillë në Panairin e Futbollit, Soccerex, event që mbahet nga data 24-28 nëntor, në Rio de Janeiro, ku Jose Maria Marin shtoi se është gati gati e pamundur që trajneri i ri i kombëtares braziliane të jetë i huaj. E përditshmja sportive “Lance”, një ndër më të rëndësishmet e këtij vendi pati nisur një fushatë për të mbështetur emrin e Guardiolës si seleksionues të përfaqësueses braziliane, duke e nxjerrë vazhdimisht në faqe të parë emrin e 41-vjeçarit spanjoll që nga e premtja e kaluar, ditë kur u shkarkua zyrtarisht trajneri Mano Menezes.
Drejtuesit e kësaj gazete kishin hyrë në kontakt me njerëz shumë të afërt të ish-trajnerit të Barcelonës, madje ditën e hënë në numrin e saj kjo e përditshme publikoi një letër të hapur dërguar presidentit të Federatës, në mbështetje të Guardiolës. Jose maria Marin insistoi se trajneri i ardhshëm i Brazilit duhet të jetë me profil fitues, në mënyrë që të përmbushë më së miri synimet e këtij vendi për t’u shpallur kampion në Botërorin e vitit 2014. Sipas shtypit brazilian, emrat më të lakuar për këtë detyrë janë trajneri i Santosit, Muricy Ramalho, trajneri i Corinthians, Tite, ish-trajneri kampion bote Luiz Felipe Scolari, që aktualisht është pa ekip si dhe Abel Braga, që për momentin drejton fituesen e sivjetshme të kampionatit brazilian, Fluminensen. Në fund të fjalës së tij, 80-vjeçari deklaroi se që pas largimit të Mano Menezes nuk ka folur ende me askënd për këtë post, sidoqoftë Marin konfirmoi se emri i trajnerit të ardhshëm të përfaqësueses së Brazilit do të bëhet i ditur në një konferencë për shtyp, që do të mbahet vitin e ardhshëm, në javën e parë të janarit.