Kampionët e shumëfishtë do të ndeshen në Kupën e Konfederatave, Spanja me Uruguajin
Brazili dhe Italia, dy skuadrat me më tepër tituj botërorë të fituar, do të ndeshen me njëra-tjetrën në Kupën e Konfederatave, e cila do të zhvillohet verën e ardhshme. Dje, në Sao Paulo, është hedhur shorti që ka vendosur në të njëjtin grup dy skuadrat, njëra si vend organizator dhe tjetra si nënkampione e Evropës, ndërkohë që dy skuadrat e tjera të Grupit A janë Japonia e Meksika. Kampionia e botës, Spanja, do të ndeshet me Uruguajin në Grupin B. Veç tyre do të jetë edhe Tahiti, ndërsa skuadra e fundit do të mësohet vetëm vitin e ardhshëm, kur të shpallet kampionia e Afrikës. E drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, ceremonia e shortit zbuloi ndeshjet që do të luhen në Festivalin e Kampionëve, nga 15 deri më 30 qershor 2013. Brazili dhe Italia do të ringjallin edhe një herë kujtimet e ndeshjeve të mëdha midis tyre, ku spikatin ato më 1970 e 1982, ndërsa Spanja e Uruguaji janë dy gjysmëfinaliste të botërorit të fundit, ku spanjollët shkuan deri në fitimin e trofeut.
Shorti zbuloi edhe lidhjet e ngushta që ekzistojnë midis kulturës braziliane dhe futbollit. Supermodelja me famë botërore, Adriana Lima, dhe kuzhinieri po aq i njohur, Alex Atala, morën pjesë në tërheqjen e goglave, ndërkohë që ishin në shoqërinë e futbollistëve të mëdhenj, me yje të kalibrit të Bebetos, Ronaldos, e Cafus, i cili prezantoi topin zyrtar të turneut. Futbollistja Marta shte gjithashtu e pranishme, bashkë me personalitete nga bota e artit dhe politikës.
“Në këtë Kupë Konfederatash kemi jo më pak se 12 yje të Kupës së Botës, kështu që nuk është një kompeticion i dorës së dytë”, tha presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter. “Është një Festival i mirëfilltë Kampionësh. Jam i sigurt se Brazili do të organizojë një shfaqje të shkëlqyer, e cila do të pasohet nga një botëror i madh”.
Kupa e Konfederatave zhvillohet çdo katër vjet, një vit para finaleve të botërorit. Ajo luhet në vendin organizator të Kupës së Botës dhe pjesëmarrës të tjerë janë kampionia në fuqi e botës dhe e çdo kontinenti. Fituesi në fuqi i Kupës së Konfederatave është pikërisht Brazili, i cili mundi Amerikën më 2009 në Afrikën e Jugut.