Rreziku i tsunameve të nxitura prej ndërtimeve të bëra sipas interesave individuale, faktikisht ekziston, sepse studimi gjeo-teknik i zonave ku janë ndërtuar objektet, parashikon lëvizje të thella sizmo-tektonike të cilat janë të heshtura, të thella, pasive për një kohë të caktuar, por tepër aktive dhe agresive në një moment të befasishëm. Këto rreziqe të “fjetura” nuk i parashikon dhe nuk i ndalon askush të “zgjohen” prej veprimit tonë kundër tyre, duke prodhuar tërmete, rrëshqitje, përmbytje, shkatërrime fizike. Po përmendim disa raste, të ndodhura në kodrat e Kallmit në Currilat e Durrësit, në Belvedere të Vlorës, në Shën-Pjetër të Rodonit etj. Në bregdetin e Durrësit e të Vlorës, janë ndërtuar mbi 1700 objekte mbi rërë, 55% e tyre shumëkatëshe. Pavarësisht se këto objekte i kanë themelet në disa metra thellësi, rëra teknikisht “prodhon” rrezikshmëri ritmike kundër tyre sepse siç dihet, ajo ka aftësinë të lëngëzohet, duke rrjedhur qoftë dhe nga një lëvizje e lehtë e tokës, aq më tepër nga tërmetet me shkallë të mesme e të lartë, paçka se këto tërmete mund ta kenë epiqendrën dhe zonen e veprimit qindra kilometër larg, si psh., tërmeti i ditëve të fundit në Fier. Për rrjedhojë, sipas specialistëve, bazamenti i tokës krijon fundosje graduale së bashku me ndërtimin, fundosje që shkon deri në 7 metra thellësi, siç ka ndodhur me lagjen e ngritur mbi ish-Kënetën në Durrës.
Pak ditë më parë, në thellësi të tokës në zonën e Fierit, u ndje një lëkundje e fortë tërmeti. Sipas specialistëve, nëse kjo lëkundje do të ishte në zonën detare, do të krijonte një tsunam. Faktikisht, në Shqipëri ne ende nuk kemi dokumentime për raste tsunamesh, apo tërmetesh të shkaktuar në vijën apo brenda detit Adriatik. Por raste të tilla, janë përsëritur në shumë qytete bregdetare të shteteve të botës si SHBA, Turqi, Japoni, Indi, Egjipt, Itali etj. Rasti i tsunamit në Japoni, i cili krijoji një masakër masive njerëzore e urbane, mendoj se vlen të shërbej “apel” për institucionet shqiptare, për reagim dhe ndërhyrje në lidhje me politikat ndërtimit në vijën dhe zonat bregdetare, ku mund të ndodhin tsuname. Nga biseda me spcialistin gjeolog Gëzim Shima, mësova se në zonat bregdetare shqiptare mund të ketë shumë pak tsuname, por aty nuk do të mungojnë kurrë gjeo-rreziqet e tjera, të cilat nuk janë të pakta dhe kanë kohën e tyre të veprimit.
Në raste tsunamesh, rreziqet shkatërrimtare në zonën dhe vijën bregdetare shqiptare kanë shkak konkrete mosrespektimin e kritereve tekniko-urbane të ndërtimeve. Fakti është ky: në zonën dhe vijën tonë bregdetare janë ndërtuar komplekse objektesh masive, me lartësi prej 8-10-15 kate fare pranë dhe madje brenda vijes ujore detare, me themele në duna natyrore, në zona kënetore e moçalore, në zona me thyerje tektonike, në zona me dru pyjorë, në grykëderdhje përrenjsh e lumenjsh, pa respektuar as kushtin më minimal të (vetë)mbrojtjes natyrore: largësinë prej 200 metrash distance minimale objekt-objekt, kjo e detyrueshme ligjërisht për zbatim në vendin tonë.
Në vendet e tjera, ndërtimet bregdetare realizohen në distanca të miratuara me ligj dhe zbatohen pa asnjë tolerancë si nga shteti dhe nga ndërtuesit. Psh, Anglia e ka distancën e ndërtimit 900 metër nga “vija e verdhë“ bregdetare, Franca e ka 600 metër, Italia e ka 350 metër, Greqia e ka 300 metër. Ndërsa ne shqiptarët, megjithëse e kemi ende në ligj që objektet duhet të jenë 200 metër larg “vijës së verdhë” të bregdetit, vazhdojmë të ndërtojmë deri në… 10 metër larg bregdetit! Kjo distancë është prezente dhe në distancën objekt-objekt, ku afërsia e tyre shkon nga në 3-5 metra larg njeri-tjetrit, megjithëse ato janë deri në 10-12-15 kate! Në Amerikë psh., në vitet ‘50 u arrit të ndërtohen në zonat bregdetare në Teksas, pranë derdhjes së lumit “Misisip”, projekte moderne nga pikëpamja arkitekturore, por nuk vonoi dhe objektet u përballën me gjeo-rreziqe të mëdha si përmbytje, hurikane, subsidencë, lëngëzime të rërave, rrëshqitje të shpateve bregorë, zhvendosje të vijës bregdetare, lëvizje dunash etj. Nisur nga kjo traumë urbane, në vitet ‘60 shkencëtarët amerikanë përgatitën botime speciale, me orientime për këto raste, nëpërmjet të cilëve (duke i kërkuar ndjesë popullit të tyre), u tregonin shteteve të tjerë se pavarësisht nga perfeksionimi dhe përputhja harmonike që mund t’i jepet një fushe të caktuar në veçanti.
Çfarë po ndodh në realisht në vendin tonë? Kujtojmë rrëshqitjet e disa lagjeve në fshatrat e Elbasanit, Librazhdit, Fierit, Beratit, Korçës, Vlorës, banesat e të cilave janë ndërtuar pa studim teknik të gjendjes fizike të tokës. Buzë përroit në qytetin e Patosit dhe buzë lumit Seman në qendër të qytetit të Fierit, janë ndërtuar disa pallate banimi, të cilët janë çarë e po rrëshqasin. Kështu dhe shumë ndërtime të reja në lagjet e Beratit, lokale e banesa të ngritur buzë përrenjve e rrëpirave në Vlorë, Përmet, Kurbin, Dibër, Gjirokastër, Tepelenë, Shkodër etj., të cilat po përballen tashmë me rrëshqitje të tokës. Po t’i shikosh nga “kallëpi”, këto objekte apo zona ndërtimi janë të përkryera nga pikëpamja arkitekturore, por fakti që ndodhen në toka me “aktivitet” të braktisur, me procese tektonike të “fjetura” që befas mund të “zgjohen” nga ngacmimet, ekziston rreziku të vihen nën rrëshqitje dhe shpërthime masive uji e balte shkatërruese. Ky fakt, pavarësisht se si mund të emërtohet dhe të konsiderohet, në trajtën dhe veprimin e vet mbi zonat urbane, quhet tsunam.
Përveç rrezikshmërisë njerëzore, ka dhe një problem të madh arkitekturor në këtë “rrumpallë” të pakontrolluar ndërtimesh, që gjeografikisht ndërtohen dhe shpërndahen sipas shijeve e “vijave të verdha” personale, të kujtdo shqiptari, që pasi ka siguruar “pesë lekë” nis dhe gërmon faqen e kodrës, bregun e detit, apo anën e lumit duke ndërton 5,6,10 kate vilë e pallat, pa studim fizik e urban të tokës, siç ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodh në Përroin e Zagorës në Uznovë të Beratit, nëpër përrenjtë dhe rrëpirat e rivierës shqiptare në Sarandë, përgjatë rrjedhës së Vjosës nga Përmeti, deri në derdhjen e tij në Adriatik, në bregun i Semanit, në parkun dhe bregdetin e Divjakës, të Erzenit, Velipojës, Osumit, Patokut, Porto-Romanos, Shëngjinit etj. Në Sarandë psh., jo vetëm në Ksamil, Borsh, Lukovë, Piqeras, Kakome, Çukë etj., por edhe përgjatë vijës bregdetare brenda qytetit, janë bërë e vazhdojnë të bëhen ndërtime nga 10-15 metër larg ujit, madje me themele të futura disa metër në det!. Kështu ndodh në bregdetin e Vlorës. Kjo nuk është pa rrezik, po të kujtojmë ciklin e tërmeteve që lëkundën frikshëm ditët e fundit këto zona. Tendenca për të ndërtuar ngjitur me vijën e ujit të buzës së detit, kuptohet që lidhet me nepsin për të fituar sa më shumë. Mirëpo, si ndërtuesit dhe shoqëria, në këtë tendencë që “pjell” rrezik për jetën, duket sikur dhe… bëjnë sikur nuk konstatojnë asgjë shqetësuese. Përballë këtij realiteti shqetësues, institucioonet duhet të shqetësohen për situatën teknike e gjeofizike të objekteve në raport me natyrën dhe kapriçiot e saj të befasishme e të pafrenueshme. Bregdeti shqiptar është i betonizuar. Edhe e vetmja inciativë qeveritare e muajit dhjetor 2005, për pastrimin e bregdetit nga katrahura ndërtimore, nuk kishte si synim evitimin e rreziqeve natyrore prej tsunameve, por problemet e pronësisë dhe mungesat e procedurave shkresore në dhënien lejeve të ndërtimit!
Leave a comment