Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu, e sheh me jo fort optimizëm ditën e hapjes së negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Sipas saj, kjo ditë është e largët. Arsyeja kryesore sipas ish-ministres së Integrimit është përgjumja e qeverisë.
“Procesi ka nevojë për vrull, procesi ka nevojë për vëmendje dhe integrimi ka nevojë për të qenë axhenda ditore e punës së qeverisë. Të them të drejtën shoh që ka një përgjumje, e cila nuk na jep mundësinë jo vetëm për të artikuluar kërkesën për hapjen e negociatash sikurse qeveria ka qejf ta përsërisë çdo ditë. Kjo do të ishte e mrekullueshme sikur të kishte ndodhur dje, jo nesër. Por është krejtësisht e pamundur me problematikat që has sot administrata publike shqiptare dhe me vështirësi e mëdhaja që ka për të përballuar detyrimet në këtë fazë të procesit që jemi, mendo më pas me detyrimet e anëtarësimit”, u shpreh zonja Bregu.
Ajo zhvilloi një takim me 30 studentë të shkolluar në BE, pjesë e forumit të integrimit.
Bregu shprehet se Këshilli Kombëtar i Integrimit është i hapur për kontributin e të gjithë aktorëve në proces.
“Për më tepër që kemi nevoje për analiza e realizëm se si zbatohen detyrimet e procesit nga institucionet shqiptare. Kemi nevoje për debat e fryme te vërtetash që fatkeqësisht i mungojnë këtij procesi. Shqipëria ka nevoje për me shume e jo për më pak të vërteta”, vijoi ajo. /Dita/