“Brexit” mund të shtyhet deri në 2019

Ornela

Londra mund të vonojë aktivizimin e nenit 50 deri në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme që priten majin e ardhshëm në Francë dhe në shtator të vitit 2017 në Gjermani
Britania e Madhe mund të mbetet në BE deri në fund të vitit 2019, pothuajse një vit më vonë se sa ishte planifikuar nga Qeveria Britanike, siç është raportuar nga The Sunday Times. Ekzekutivi i kryeministres britanike, konservatores Theresa May, po përgatitet për t’iu drejtuar nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, i cili përcakton një periudhë ligjore prej dy vjetësh për të rënë dakord me Brukselin kushtet e këtij divorci. Ekzekutivi i Londrës ka deklaruar publikisht se nuk ka ndërmend të nisë këtë proces deri në fund të këtij viti ose në fillim të 2017-ës, gjë që do të vendoste datën e Brexit për në fillim të 2019-ës.

Megjithatë “The Sunday Times” thotë se disa ministra në pozicione kyçe kanë informuar se nuk do të jenë gati për të filluar bisedimet në datat e parashikuara. Ndër të tjera, e përjavshmja përmend vështirësitë në departamentin e Brexit, një njësi e krijuar nga May për të drejtuar negociatat me Brukselin dhe që është nën kontrollin e euroskeptikut David Davis.

Këtë departament e kompleton Liam Fox, Ministër i Tregtisë Ndërkombëtare, i cili ka për detyrë të gjejë partnerë globalë për vendin e tij pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja si dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Boris Johnson.

“The Times” gjithashtu thotë se Londra mund të vonojë aktivizimin e nenit 50 deri në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme që priten majin e ardhshëm në Francë dhe në shtator të vitit 2017 në Gjermani. “Nuk mund të negociosh, kur nuk e di se me kë do të negociosh”, shpjegon një burim i City për këtë medium. Mundësia që Brexit të shtyhet më gjatë se sa pritej mund të “mërzisë” deputetët konservatorë euroskeptikë, dhe atë pjesë të elektoratit që votoi në favor të largimit nga BE në referendumin e 23 qershorit.

Deputeti Nigel Farage, ish-lideri i partisë eurofobe UKIP, ka thënë se mungesa e progresit mund të paralizojë vendimmarrjen mbi emigracionin, një nga çështjet kyçe për elektoratin britanik që votoi pro daljes. Farage argumenton se ka një “rrezik real” se mijëra të rinj të radikalizohen dhe të bashkohen me organizata ekstremiste, nëse kuptojnë se qeveria injoroi vendimin në votime.

“Disa ministra besojnë tani se aktivizimi i neni 50 mund të vonohet deri në vjeshtën e vitit 2017”, thotë për The Times një tjetër burim, i cili e përshkruan situatën në departamentet e reja të krijuara nga May si “kaotike”. “Nuk kanë infrastrukturë për të punësuar njerëzit që iu duhen. Nuk dinë se cilat janë çështjet që duhen adresuar, kur më në fund të fillojnë të negociojnë me Evropën”. Një zëdhënëse e kryeministres kujton se May ka bërë të qartë se prioritet i qeverisë së saj është që të respektojë vendimin e elektoratit dhe të sigurojë që Brexit të jetë një sukses. /DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *