Brexit, rifillon në Bruksel raundi i tretë i bisedimeve

Gazeta Dita

Bisedimet formale të Brexit do të rifillojnë sot në Bruksel, teksa negociatorët britanikë po nxisin Bashkimin Europian të tregojë “fleksibilitet dhe imagjinatë”.

Sekretari i Brexit, David Davis kërkon të zgjerojë diskutimet për të përfshirë tregtinë.

Por Bashkimi Europian këmbëngul se fillimisht duhet të ketë progres në çështjen e të drejtave të qytetarëve, në kufirin me Irlandën dhe në “faturën e divorcit” përpara se të mund të flitet për tregtinë.

Të dyja palët kanë deklaruar se nuk ka asnjë perspektivë reale për arritjen e një rezultati në këtë raund të tretë të bisedimeve.

Bashkimi Europian ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar për planet për të krijuar një kufi të padukshëm me Irlandën pas finalizimit të Brexit.

Ndërkohë Britania është shprehur se europianët janë tepër këmbëngulës në kërkesat e tyre financiare.

Sekretari i Brexit, David Davis pritet të mbrojë qëllimet e Mbretërisë së Bashkuar për një marrëveshje reciprokisht të dobishme që do të funksionojë për personat dhe bizneset përqark Europës. Ndërkohë, kryenegociatori i Komisionit Europian Michel Barnier është shprehur se fokusi i këtyre bisedimeve do të jetë një “largim i rregullt”. Sipas tij, pozicioni i Bashkimit Europian ka qenë i qartë që në ditën e parë të negociatave.

Mbretëria e Bashkuar është përcaktuar të largohet plotësisht nga Bashkimi Europian në fund të marsit 2019, pas referendumit të një viti më parë.

Teksa partitë britanike kanë qasje të ndryshme sa i përket qëndrimit ose jo në tregun e përbashkët europian, Dhoma Britanike e Tregtisë dhe Shoqata e Dhomave Gjermane të Tregtisë i kanë kërkuar politikanëve të vendosin në plan të parë interesat ekonomike të vendit gjatë bisedimeve për Brexit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *