Letër e nënshkruar
Saba Lama
Përdorimi i internetit nga fëmijët e të gjitha moshave, ku do të veçoja moshën e adoleshencës, përbën një shqetësim në drejtim të edukimit, pasi po keqpërdoret masivisht nga brezi aktual e për rrjedhojë po infektohet me dukuri negative. Mësuesit dhe prindërit si aktorë kryesorë në këtë edukim, duhet të tregohen aktivë. Në programin e shkollës, është e nevojshme të futen edhe lëndë mësimore, enkas për edukimin e fëmijëve dhe të brezit lidhur me mirëpërdorimin e internetit. Nisur nga praktika, fëmijët e moshave të ndryshme po e përdorin internetin duke harxhuar më shumë kohë në aspekte jo edukuese dhe të padobishme, se sa në dobi të marrjes së informacionit për ato aspekte që u nevojiten për programin që u diktojnë lëndët mësimore, apo për njohuri të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimet e sotme të shkencës etj. Madje përdorimi i internetit pa kriter, po u harxhon aq kohë sa po i shkëput nga angazhimi për t’u përgatitur në shkollë. Sigurisht që kjo ndikon edhe në shëndetin e fëmijëve si dëmtimi i syve, probleme shëndetësore të natyrës psikologjike etj. Është pikërisht mosha kur fëmijët marrin drejtimin e duhur për jetën apo dalin nga shinat nga mungesa e edukimit të nevojshëm. Ndaj ju prindër mundohuni t’i kufizoni shumë fëmijët tuaj nga ambientet e internetit kur ata shkojnë duke qëndruar shumë kohë atje, madje deri natën vonë për gjëra të panevojshme, në vend që ta konsumojnë kohën për përgatitjen në mësime. Edhe shumë ngjarje të shëmtuara që kanë ndodhur, janë rrjedhojë e ndikimit të internetit nga keqpërdorimi i tij. Ish-inspektor në Zyrën Arsimore Krujë.
