Andrea Leadsom, kandidatja e mbetur në garë së bashku me Theresa May për të zëvendësuar kryeministrin në ikje David Cameron, pritet të tërhiqet nga pretendimet për t’u bërë udhëheqësja e ardhshme e Partisë Konservatore e rrjedhimisht edhe kryeministrja e ardhshme e vendit britanik.
Një burim i afërt me ministren e Energjisë tha se “abuzimet e saj kanë qenë shumë të mëdha”, e kjo mund ta pengojë atë të vijojë garën për kreun e partisë.
Leadsom i kërkoi falje Sekretares së Brendshme May gjatë kësaj të hëne, pasi ishte shprehur më herët se të qenit nënë (May nuk ka fëmijë) e bënte atë kandidate më të mirë për udhëheqjen e partisë dhe të vendit.
Leadsom pritet të japë një deklaratë për shtyp rreth orës 13:15 të kësaj të hëne.
Por, nëse zyrtarizohet tërheqja e saj nga gara, pasuesja e Cameronit pritet të emërohet “shumë më shpejt sesa 9 shtatori”, siç ishte parashikuar, pasi të përfundonte gara për kreun e partisë. Do të jetë sërish në duart e komitetit 1992 të parlamentarëve konservatorë për të përcaktuar kohën e zyrtarizimit të May si pasuese të Cameronit, apo nëse do të vijohet me garën partiake deri në fund.
Nëse vendoset që May të shpallet udhëheqësja e re e konservatorëve pa garë, ajo do të kthehej në kryeministre të caktuar apo “të zgjedhur” vetëm pas deklarimit si e tillë nga komiteti në fjalë.
Në të njëjtën mënyrë, pa zgjedhje, edhe Gordon Brown pasoi në krye të laburistëve ish-kryeministrin Tony Blair, një proces që zgjati vetëm 38 ditë.
