“Qeveritë e Britanisë dhe SHBA-së në të vërtetë nuk duan të luftojnë Shtetin Islamik. Poltikanët thjesht duan të duken sikur po e bëjnë”, pohon gazetari Peter Hitchens, i të përditshmes britanike “Daily Mail”.
“Nuk besoj se qeveritë e Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara realisht duan të luftojnë kundër Shtetit Islamik. Ajo që duan ata është që të duken sikur po e bëjnë. Unë i gjykoj njerëzit jo për atë që thonë, por për atë që bëjnë dhe gjatë muajve të fundit kam vënë re që ata bëjnë (dhe nuk bëjnë) disa gjëra shumë interesante”, deklaron Peter Hitchens në artikullin e tij të publikuar në të përditshmen “Daily Mail”.
SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar “duken të indinjuara” nga bombardimet ruse në Siri, megjithatë personat e sulmuar nga Rusia kanë pikëpamje dhe sjellje që me siguri do të akuzoheshin për ekstremizëm dhe arrestoheshin nëse do të ndodheshin në Mbretërinë e Bashkuar, mendon Peter Hitchens. “Atëherë përse politikanët britanikë i quajnë këta persona, rebelë të moderuar?” pyet gazetari.
“Nuk është se Londra dhe Uashingtoni janë kundër bombardimeve si metodë luftimi. Bëmë këtë zgjedhje (të duhurën) në Beograd, Bagdad dhe Tripoli ku bombat tona pa dyshim (edhe pse jo qëllimisht) vranë civilë të pafajshëm duke përfshirë edhe fëmijë”, komenton Hitchens dhe shton se qeveritë e Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk e gjykojnë aleatin e tyre të NATO-s, Turqinë që në vend që të luftojë kundër grupit terrorist në Siri (qëllim i njoftuar nga ana e qeverisë turke verën e shkuar) bombardon milicitë kurde. Kurdët përkrah ushtrisë siriane kanë qenë për një kohë të gjatë rezistenca më madhe e Isis në luftimet në terren.
Po atëherë përse një anëtarë kyç i koalicionit anti ISIS shkon në luftë kundër tyre? Jam rritur duke dëgjuar shprehjen e vjetër “Armiku i armikut tim është miku im”, megjithatë në këtë rast duket se kjo shprehje nuk vlen. Në vend të kësaj, armiqtë e armikut tim, rasti i kurdëve, qeverisë siriane dhe Rusisë, janë çuditërisht armiqtë e mi gjithashtu. Ndërkohë armiqtë turq të miqve tanë kurdë janë në një farë mënyrë aleatët tanë fisnikë. Krahasoni qëndrimin tonë të pazakontë ndaj armikut tonë të tmerrshmit Bashar Al Assad, por që njëkohësisht është edhe kundër ISIS, me pikëpamjen e mençur që kishte Winston Churchill-it për Stalinin.
Stalini u bë aleati ynë kur nazistët pushtuan Rusinë. Churchill, armik i përbetuar i komunizmit sovjetik, menjëherë kuptoi se kohët duhet të ndryshonin. “Nëse Hitleri do të pushtonte ferrin,- tha ai- minimalisht do të bëja një referencë pozitive për djallin në Dhomën e Komunëve”. Kjo është për shkak se, në trup, zemër dhe shpirt, në gjumë apo zgjuar, me gjithë forcën e shpirtit, ai u angazhua në luftën kundër Hitlerit mbi çdo gjë. Kështu që, do të pranonte çdo lloj aleati kundër tij.
Por a po ndodh kjo me liderët tanë, të cilët vazhdimisht portretizojnë Assadin (dhe Putinin), si Hitleri, dhe e imagjinojnë veten si Churchill-at modernë? Çështja është se retorika anti-ekstremiste e politikanëve perëndimore është kontradiktore, ata luajnë një lojë të dyfishtë duke u shpallur luftë ekstremistëve islamikë dhe në të njëjtën kohë duke i shitur armë Arabisë Saudite, “strofullës së fanatizmit islamik”.
Gjërat nuk janë ashtu siç duken. Veprimi i Rusisë mund të jetë i nxituar dhe i rrezikshëm. Mund të dështojë, sidomos tani që ne po përpiqemi ta minojmë atë, por të paktën është i sinqertë dhe i hapur”, e mbyll shkrimin Hitchens. /DITA
