Kryeministri britanik, David Cameron, paralajmëroi se emigrantë e paligjshëm do të dëbohen nga Britania e Madhe në mënyrë “që njerëzit të mësojnë se nuk është një “parajsë e sigurt”.
Që nga Vietnami, një nga etapat e vizitës së tij zyrtare në Azinë juglindore, Cameron ka thënë se situata është shumë e komplikuar sepse është një “tufë” njerëzish që kalojnë Mesdheun në kërkim të një jete më të mirë”.
Përdorimi i fjalës “tufë” është cilësuar nga “Refugee Council”, organizata në mbrojtje të refugjatëve në Mbretërinë e Bashkuar, si një gjuhë e tmerrshme dhe ccnjerëzore për një lider botëror. Edhe Andy Burnham, një nga kandidatët për kreun e Partisë Laburiste, e cilësoi termin e përdorur nga Cameron si të turpshëm.
Ndërkohë në Kalais, në veri të Francës qindra emigrantë u mblodhën për të tretën natë me radhë, së bashku përgjatë gardheve të terminalit të tunelit që kalon përmes Kanalit të La Manshit. Përgjatë kësaj jave ka pasur më shumë se 3500 tentativa për të kaluar terminalin e tunelit. 9 persona kanë vdekur këtë muaj, i fundit prej tyre ishte një qytetar sudanez rreth të 30-ave që humbi jetën pasi u përplas nga një kamion të martën në mbrëmje.
Cameron ka konfirmuar se pala franceze do të dërgojë edhe 120 oficerë policie më shumë në këtë zonë dhe është zotuar se Britania e Madhe do të destinojë më shumë para për sigurinë në këtë rrugë. “E kemi të nevojshme të mbrojmë kufijtë tanë duke punuar ngushtë me fqinjët tanë francezë, dhe kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë”, tha kryeministri.
“Duhet ta trajtojmë problemin që nga origjina dhe kjo do të thotë që të parandalojmë që shumë njerëz të kalojnë Mesdheun në kërkim të një jete më të mirë”. Më shumë politikanë britanikë i janë bashkuar Nigel Farage, lideri i partisë anti-europiane UKIP, në kërkesën ndaj qeverisë për të vendosur një ushtri në Kalais. Ndërsa deputeti konservator, Charlie Elphike, tha se mendon se Franca nuk po bën mjaftueshëm për të kontrolluar tunelet. Së fundmi David Cameron theksoi zotimin e tij për të bërë të mundur që “të bëhet më pak i lehtë qëndrimi i emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar”.
Prandaj së fundmi kemi vendosur që emigrantët nuk mund të marrin një patentë drejtimi, nuk mund të marrin me qira një shtëpi, nuk mund të hapin një llogari bankare dhe do të dëbojmë së më shumë emigrantë ilegalë nga vendi ynë që njerëzit të mësojnë se nuk është një parajsë e sigurt për ta”, shtoi ai.
