Qeveria britanike tha ditën e sotme se po heq “vizat e arta”, që u ofrojnë rezidencë investitorëve të huaj të pasur, mes shqetësimeve të sigurisë dhe thirrjeve të vazhdueshme që Britania e Madhe të rishikojë lidhjet e saj me Rusinë.
Zyra e Brendshme tha se këto viza për investitorët e nivelit 1 i kanë dhënë mundësi “elitave të korruptuara të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Ajo tha se në disa raste, vizat “kanë shkaktuar shqetësime për sigurinë, pasi përfshihen njerëzit që kanë fituar pasurinë e tyre në mënyrë të paligjshme dhe janë lidhur më shumë me korrupsionin.”
Vizat, që u prezantuan në vitin 2008, i ofronin rezidencë njerëzve që investonin 2 milionë paund (2.7 milionë dollarë) ose më shumë në MB dhe u lejonte familjeve të tyre të bashkoheshin me ta. Më pas, individët mund të aplikonin për qëndrim të përhershëm brenda dy vjetësh, në varësi të sasisë së investuar.
Sistemi do të mbyllet për të gjithë aplikantët e rinj nga të gjitha kombësitë me efekt të menjëhershëm, tha qeveria.
Një raport i vitit 2018 i publikuar nga komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit paralajmëroi se zyrtarët mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare duke injoruar praninë e “parave të pista” ruse në Londër.
I pyetur të enjten në lidhje me këtë lëvizje kryeministri Boris Johnson tha se ishte në kuadër të “sanksioneve të ashpra” kundër Rusisë.
“Është e qartë se është koha për të vendosur disa sanksione të ashpra kundër regjimit rus, kundër kompanive të mëdha ruse, organizatave me rëndësi strategjike. Kjo duke u siguruar që të ndalojmë mbledhjen e fondeve nga kompanitë ruse në tregjet financiare të Londrës, “tha Johnson.
a.m/dita
