Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar se po planifikon të përforcojë masat kundër kompanive që punësojnë emigrantë të paligjshëm. “Punëdhënësit mashtrues që u japin punë emigrantëve të paligjshëm po ua mohojnë atë qytetarëve britanikë dhe emigrantëve të ligjshëm përveç se kontribuojnë në uljen e pagave”, pohoi Ministri i Shtetit për Emigracionin, James Brokenshire.
Qeveria e kryeministrit konservator, David Cameron, parashikon të fillojë në vjeshtë një fushatë inspektimesh në kompanitë e ndërtimit, kujdesin në shtëpi dhe shërbimet e pastrimit. “Eksperienca na thotë se kompanitë janë ato që thyejnë rregullat e punësimit, shkatërrojnë rregullat e sigurisë dhe paguajnë më pak taksa”, tha Brokenshire. “Për këtë arsye, do të përdorim të gjithë forcën e makinerisë së qeverisë për t’i goditur nga të gjitha drejtimet dhe t’i japim fund avantazhit të padrejtë që shijojnë ata që u ofrojnë punë emigrantëve të paligjshëm”, shtoi Ministri.
Fjalët e tij vijnë pasi ministri i Jashtëm britanik, Philip Hammond, tha gjatë vizitës së tij në Singapor se emigrantët që vijnë nga Afrika janë një rrezik për standardet e jetës dhe strukturën sociale të vendeve evropiane. “Hendeku midis standardeve të jetës në Europë dhe Afrikë bën që gjithmonë të ketë miliona afrikanë që përpiqen të vijnë në Europë për motive ekonomike”, tha Hammond. Tentativa nga ana e qindra emigrantëve për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca përmes tunelit të kanalit të La Manshit ka shkaktuar polemika në ishujt britanikë në javët e fundit.
“Ndërkohë që ka një numër të madh emigrantësh mjaft të dëshpëruar që vërtiten në zonë gjithmonë do të ketë një kërcënim për sigurinë e tunelit”, pohoi ministri. Për Hammind zgjidhja e problemit është që të kthehen ata që nuk kanë të drejtë të kërkojnë azil në vendet e tyre të origjinës”. Tre nga kandidatët për kryesinë e Partisë Laburiste, kritikuan deklaratat e Hammond. Yvette Cooper i përshkroi si “alarmante”, Liz Kendall i cilësoi si një gjuhë çnjerëzore dhe Jeremy Corbyn pohoi se komentet e tij janë të bazuara në paragjykimin dhe armiqësi.