Qeveria britanike është në kaos sa i përket “Brexit”-it, por administrata ka nisur të lëshojë pasaportat e para pa togfjalëshin “Bashkimi Europian” në pjesën e sipërme të kapakut, edhe pse zyrtarisht procesi i shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar nga unioni është shtyrë.
Pasaportat e reja ngjyrë vishnje janë prezantuar prej 30 marsit, dita që supozohej të ishte e para e Britanisë së Madhe jashtë BE-së, pavarësisht se disa njerëz mund të pajisen ende me versionin e vjetër, që ka mbetur ende stok.
Ndërkohë, pasaportat në ngjyrë blu të errët, që i ngjasojnë dizajnit përpara se Britania të bëhej pjesë e BE-së, pritet të lëshohen nga fundi i vitit.
Vendimi për të hequr togfjalëshin “Bashkimi Europian” nga pasaportat u bë me mendimin se Britania do të largohej nga BE-ja në fund të muajit mars, siç ishte programuar.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme (Home Office) tha se “në mënyrë që të shfrytëzojmë edhe stokun e mbetur dhe të vlerësojmë maksimalisht taksapaguesit”, pasaportat e vjetra me togfjalëshin “Bashkimi Europian” do të vazhdojnë të lëshohen edhe për një “periudhë të shkurtër”.
Megjithatë, ajo u kujdes të theksonte se nuk do të kishte asnjë dallim mes një shtetasi britanik që përdor pasaportën me “Bashkimi Europian” në krye, apo pa të.

o.j/dita
