Nën asistencën e Baroneshës Catherine Ashton ka përfunduar takimi mes Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe Presidentit të Serbisë Tomisllav Nikolic. Takimi me dyer të mbyllura u mbajt në kabinetin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, takim ky që nisi në orën 17:30 për të përfunduar në 18:18.
Zyra për mardhenie me publikun e BE-së, pritet që të lëshoi njoftim për media, ku do të tregojë për rezultatet e takimit trepalësh.
Më herët Ashton ka zhvilluar takime të vecanta me Presidentët e dy shteteve, ndërsa vetë Jahjaga është takuar me zyrtarë amerikanë, të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
Takimi i sotëm shënon edhe takimin e nivelit më të lartë ndërmjet dy vendeve që kur Kosova shpalli pavarësinë, pesë vjet më parë. Ai shihet si mbështetje për bisedimet që po zhvillojnë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se ky është një takim i rëndësishëm për të diskutuar hapat e nevojshëm në kuadër të këtij procesi.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që është njohur nga mbi 90 vende të botës, por është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve meqë kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.
Në Prishtinë partitë politike thonë se nuk ka asgjë të keqe nga takimi, përveç lëvizjes Vetëvendosje e cila kundërshton takimin sikundër edhe bisedimet e pakushtëzuara me Serbinë.
Analistët politik thonë se takimi është më tepër i karakterit simbolik dhe nuk pritet të sjell ndonjë risi në kuadër të bisedimeve që tashmë po zhvillojnë kryeministrat e të dyja vendeve.
Në Beograd ndërkaq pati protesta kundër takimt të sotëm. Përfaqësuesit e Partisë Radikale të Serbisë, e akzuan presidentin serb për, sic thuhet, tradhëti të qartë, ndërsa borhoritën kundër Bashkimit Evropian.
Në mars të vitit 2011 të dyja vendet filluan një seri bisedimesh pë zgjidhjen e cështjeve teknike të interesit të përbashkët, ndërsa në tetor të vitit 2012 në bisedime u përfshinë kryeministrat e të dyja vendeve duke ngritur nivelin e tyre.
Prishtina zyrtare e cila synon integrimet evropiane, shpreson që në fund të marrë datën për fillimin e negociatave për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian dhe nëpërmjet bisedimeve, të zgjidhë edhe situatën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e saj.
Çështja e veriut pritet të mbizotërojë bisedimet ndërmjet kryeministrave, që do të vazhdojnë në pjesën e dytë të këtij muaji.
Vëzhguesit thonë se zgjidhja do të mund jetë diç ndërmjet ofertës së Prishtinës të bazuar në planin e kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari dhe kërkesave të Beogradit për autonomi territoriale të komunave veriore të Kosovës.