Brukseli në Tiranë, “Tirana” në bunker

redaktor

Këto ditë zbarkuan në Tiranë Komisioneri Europian për zgjerimin e BE-së, z. Fyle, dhe kryetari i Delegacionit Parlamentar Europian për  Ballkanin Perëndimor, z. Kukan. Emisarët e lartë të Bashkimit Europian erdhën në Tiranë për të marrë pjesë në një veprimtari të organizuar me shoqërinë civile vendase, gjithnjë lidhur me ecjen më të shpejtë të Shqipërisë sonë drejt afrimit me familjen evropiane.

Ajo që habiti vendas e të huaj këtë herë, nuk ishte ndonjë nga ato fjalimet paftë-mbi-paftë, që brigadieri aktual i pushtetit të Tiranës nuk ka asnjë lloj droje të mbajë edhe në takimet e Partive Popullore të Europës, duke gënjyer veten se po u jep mësime demokracie dhe demokracive më të zhvilluara të Europës e të Amerikës. Jo. Këtë herë pushteti aktual i Tiranës u dha urdhër të urdhëruarve të vet të ekzekutivit e të Kuvendit të Rruzhdies që të braktisin veprimtarinë e organizuar për Shqipërinë nga të dërguarit e Brukselit(!) Dhe të urdhëruarit e përjetshëm të këtij palo pushteti u larguan në heshtje nga veprimtaria europiane kushtuar Shqipërisë. U larguan se ashtu u urdhëruan. U urdhëruan që pushteti nuk ka nevojë për ta mësuar Europa se si të afrohet me Europën e Bashkuar. Se këtë lloj skote të sëmurë për të sunduar e për t’u pasuruar në kurriz të qytetarëve të varfër të këtij vendi të lashtë europian, nuk e ha aq shumë malli për ta afruar vendin me Europën e lirive, por ka merak vetëm për të ruajtur me çdo kusht e me çdo çmim pushtetin e vet. Atë pushtet të kalbur nga korrupsioni e të lidhur aq ngushtë me botën e nëndheshme të krimit, sa të ketë paturpësinë të dalë e të veprojë haptazi kundër ëndrrës evropiane të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe kundër vetë interesave kombëtarë.

 

Ikën nga ajo veprimtari të urdhëruarit çirakë të pushtetit aktual të Tiranës, sepse Komisioneri Europian për Zgjerimin, z. Fyle dhe kryetari i Delegacionit Europian për Ballkanin Perëndimor, z. Kukan nuk erdhën për të përshëndetur brigadierin e pushtetit aktual të Tiranës, por erdhën për të shqyrtuar me shoqërinë civile ato probleme që po vonojnë ecjen e Shqipërisë drejt integrimeve evropiane. Komisioneri për Zgjerimin këtë herë foli më shkoqur se kurrë më parë. Foli sikur të dinte mirë shqipen tonë dhe tha troç se Bashkimi Europian kërkon që dhe Shqipëria e drobitur keq nga një tranzicion i pambaruar, më në fund duhet të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme. Dinjitari i lartë i BE-së foli shqip këtë herë  në Tiranë. Foli shqip e tha se tanimë BE-ja kërkon dhe nga Shqipëria zgjedhje të lira e jo vjedhje të lira! Foli Komisioneri Europian për Zgjerimin dhe tha shkoqur: Edhe po t’i kishit miratuar ato “tre ligjet” e famshme, me të cilët po përtypet kaq kohë propaganda e pushtetit të Tiranës, nuk do ta merrnit dot statusin e vendit kandidat për në BE. Dhe nuk mund ta merrni atë status, jo ngaqë nuk ka kohë BE-ja e ngarkuar me problemet e veta të krizës së zgjatur ekonomike, por sepse politika juaj nuk e njeh fare fjalën e artë kompromis, që e bën politikën një shërbim të urtë qytetar në dobi të zhvillimit të vendit e në të mirë të të gjithë qytetarëve. Nuk e merrnit dot atë status në këtë gjendje të punëve tuaja, tha shkoqur e shqip z, Fyle, sepse nuk keni rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe prandaj po ju largohen edhe investitorët e huaj. Nuk merrni dot statusin e vendit kandidat për në BE, tha z. Fyle, sepse në vend të luftës pa kompromis kundër korrupsionit, ju keni bërë kompromis jo me opozitën por vetëm me korrupsionin e zyrtarëve të lartë të pushtetit tuaj  dhe se në vend të sundimit të ligjit të barabartë për të gjithë, keni vendosur sundimin e pandëshkueshmërisë së pushtetarëve të babëzitur. Nuk mund ta merrni dot atë status të kërkuar nga populli mbarë e të padëshiruar fare nga pushteti, sepse shqiptarët e varfër janë të lodhur keqas nga ky proces pa fund i integrimit, në një kohë që pushteti i bie kavallit të vjetër të propagandës që nuk e lejon opozita të bëjë as detyrat e veta(!)

Dhe këtë propagandë e bën paprerë një pushtet, që nuk po lë gur pa lëvizur për të shpikur një lloj demokracie pa opozitë, një lloj të shpifur demokracie pa zgjedhje të lira e të ndershme, një lloj të padëgjuar demokracie OMGJ,  ku sulmohet në mes të ditës me polici e me përmbarues edhe rrjeti televiziv më prestigjioz i vendit, vetëm sepse nuk u bie sazeve  për pushtetin e nuk hedh dot vallen e pështirë të pushtetlëvdimit.

Emisarët e lartë të Brukselit erdhën në Tiranë për të ndihmuar ecjen normale të Shqipërisë drejt integrimeve europiane, kurse pushteti aktual i Tiranës e braktisi atë veprimtari evropiane (!) E braktisi pushteti aktual i Tiranës atë veprimtari evropiane në dobi të Shqipërisë, sepse ndihet më i sigurt i futur në bunkerin e famshëm të propagandës komuniste. Në bunkerin e një propagande aq të vjetruar komuniste, që ky lloj pushteti i kalbur nga zullumet po e përdor si armën e vet më të fuqishme për të ruajtur karrigen e vet me anën e manipulimit të zgjedhjeve.

 

Këto tha me mënyrën e vet edhe dinjitari tjetër i Europës së Bashkuar, kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, z. Kukan. Me atë nënqeshjen e njohur diplomatike që ruan përherë gjatë shprehjes së mendimeve të tij të urta, diplomati  Kukan u përpoq t’i thoshte pushtetit aktual të Tiranës se, sa kohë që nuk lejoni zgjedhje të lira e të ndershme, ju do mbeteni një pushtet antidemokratik, sado që të’u bini daulleve propagandistike mbi përgjërimin tuaj për demokraci. Sa kohë që nuk e njihni fjalën kompromis në politikë, ju do të mbeteni një lloj pushteti antishtet. E sa kohë që nuk e luftoni realisht korrupsionin e pushtetarëve të lartë , por përkundrazi vendosni sundimin harbut të pandëshkueshmërisë së pushtetarëve hajdutë, ju do të mbeteni një lloj pushteti  që ka mëri të pashuar me progresin e vërtetë të vendit tuaj, do të mbeteni një lloj pushteti i nëmur antikombëtar e antieuropian njëherësh.

 

***

Të qarta qenë edhe përgjigjet që dha Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, z. Fyle, kur u pyet përse munguan në atë veprimtari evropiane përfaqësuesit e partisë në pushtet. Një mungesë që tregoi se pushtetarëve  aktualë të Tiranës u mungon edhe etika më elementare diplomatike në marrëdhëniet me miqtë. Mungesë që tregoi faqe botës e në një mënyrë tejet të shëmtuar edhe sëmundjen e rëndë për sundim që kanë pushtetarët  aktualë të Tiranës.

“Ne i ftuam, ju pyetini ata përse munguan”- tha duke u munduar të fshihte zhgënjimin z. Fyle. Ne jemi miq të Shqipërisë e të shqiptarëve dhe do të mbështetim gjithnjë e më shumë përpjekjet e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e familjes evropiane- vijoi më tej Komisioneri i Zgjerimit të BE-së. Sepse nuk e lejonte kultura dhe etika europiane e komunikimit publik që të thoshte hapur se demokracitë e zhvilluara të BE-së nuk mund të jenë miq të pushtetit aktual të Tiranës, aq keq të sëmurë e të verbuar nga zullumet e kryera në kurriz të popullit të vet. Një pushtet që arrin të mburret se ka vrarë qytetarët e vet demonstrues në mes të ditës e në mes të bulevardit , nuk e ka e as nuk e kupton dot ndërgjegjen qytetare e politike të ish-kryeminsitrit bullgar, që para pak ditëve dha dorëheqjen duke deklaruar plot dinjitet se “Nuk mund të qëndroj në krye të qeverisë kur policët përleshen me popullin!”…

 

***

Por nuk nguroi këtë herë z. Fyle të pranonte edhe gabimet e Brukselit ndaj deformimeve të demokracisë shqiptare prej pushtetarëve tanë të rritur në oborrin e kalifatit të kuq të Lanës e të mbrujtur me mësimet politike të asaj diktature…

“Edhe neve na duhet të pranojmë gabimet tona”- tha pastaj z. Fyle në intervistën e tij para largimit nga Tirana. Sepse edhe mjaft përfaqësues të BE-së , për të mos folur pastaj për ndoca përfaqësues të OSBE-së e të ODHIR-it që na kanë kënduar për më tepër se dy dekada atë refrenin e ngjirur “Këto zgjedhje qenë më të mira se të parat, por përsëri nuk i arritën dot standardet e vendeve demokratike”(!) E për të mos përmendur pastaj atë deklaratën alla Gorsruk që bëri OSBE-ODHIR-i për zgjedhjet e vitit 2009:”Numërimi në një të tretën e qendrave ishte i keq apo shumë i keq, por përsëri këto zgjedhje qenë një hap përpara”(!) …

Ai “një hap përpara” , që na deklaroi pa u turpëruar fare institucioni i specializuar për zgjedhjet, dukej më shumë i marrë hua nga një deklaratë e pushtetarëve të Tiranës në një fushatë zgjedhore, kur deklaruan se “e gjetëm Shqipërinë në buzë të greminës dhe e shpumë një hap më përpara”…

Këtë herë emisarët e lartë të Brukselit u bojkotuan nga pushtetarët aktualë të Tiranës , ndoshta për arsyen e thjeshtë se dhe ata ngulmuan në deklaratën që bëri në Kuvendin e Shqipërisë Sekretarja amerikane e Shtetit, znj. Klinton: “Zgjedhjet e 23 qershorit duhet të jenë të lira e të ndershme”. Gjë që nënkupton batërdinë e bërë nga pushteti më zgjedhjet në të gjithë tranzicionin shqiptar, qysh nga viti 1996 e këtej. Emisarët e lartë të Brukselit i bënë pushtetarët aktualë të Tiranës të fshihen në bunkerin e vjetër të diktaturës, pasi na kërkuan tok me Sekretaren Klinton që dhe Shqipëria jonë të ketë Drejtësi të pavarur nga politika, institucione kushtetuese që varen vetëm nga ligji, pa kërkuan dhe shtyp e media të lira, në një kohë që pushteti aktual i Tiranës është hedhur në një sulm bashibuzukësh kundër medias më të madhe të vendit, televizionit kombëtar TCH. Këto kërkesa të demokracive më të zhvilluara të botës, pushteti aktual i Tiranës  i quajti të tepruara e gati-gati si ndërhyrje në punët e brendshme të një “vendi të pavarur e sovran”, të udhëhequr nga pushteti jo drejt demokracive të zhvilluara euroatlantike, por drejt sulltanateve të kuqe, të trashëguara Kim-pas-Kimi.

Sepse pushteti aktual i Tiranës duket që tanimë ka arritur në atë shkallë kalbëzimi prej korrupsionit e prej krimeve të kryera ndaj qytetarëve të vet, sa të na deklarojnë me mburrje se “Partia është Kimi dhe Kimi është Partia”(!) Dhe nuk turpërohen fare, jo më nga populli i vet por edhe nga demokracitë euroatlantike! Jemi apo nuk jemi një “vend i pavarur e sovran” i varur vetëm në çengelin e ndryshkur të pushtetit të përjetshëm të Kimëve tanë?…

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *