Greqia do të ketë 3 muaj afat për korrigjim dhe nëse ky afat kalon dhe problemi vijon Komisioni mund të aplikojë procedurat e parashikuara nga neni 26 i Kodit Shengen
“Greqia po neglizhon seriozisht obligacionet e saj dhe ka mangësi serioze në kryerjen e kontrolleve në kufijtë e jashtëm, mangësi që duhet të korrigjohen dhe të trajtohen nga autoritetet greke”. Vlerësimi nga Komisioni Evropian është shkatërrues dhe i drejtpërdrejtë. Mes 10 dhe 13 nëntorit, teknikët e komunitetit kryen inspektime të paparalajmëruara në “kufirin tokësor mes Greqisë dhe Turqisë dhe ishujt Kios dhe Samos” dhe konstatuan zyrtarisht atë që të gjithë e dinë, e që OJQ-të po denoncojnë prej muajsh dhe askush nuk ka arritur ta ndalojë. Rezultati është “Schengen Evaluation Report on Greece”, një raport i shumëpritur që nuk është publik, por përfundimet e të cilit u njoftuan dje nga zëvendës/ presidenti i Komisionit, Valdis Domvroskis, në Bruksel.
Pavarësisht se është e kuptueshme që Greqia është nën “presion të madh”, dokumenti, i cili analizon ndër të tjera “praninë e policisë dhe personelit të rojeve bregdetare, efikasitetin në procesin e identifikimit dhe regjistrimit, monitorimin e kufijve detarë dhe të bashkëpunimit me vendet fqinje, është jashtëzakonisht kritik. Raporti denoncon se në Greqi “nuk ka një identifikim efikas dhe regjistrim të emigrantëve të parregullt, shenjat e gishtërinjve nuk regjistrohen në mënyrë sistematike në sistem dhe se dokumentet e udhëtimit nuk po shqyrtohen sistematikisht”. Prandaj, “mbi këtë bazë, raporti konstaton se Greqia po neglizhon seriozisht detyrimet e saj dhe se ka mangësi serioze në kryerjen e kontrolleve në kufijtë e jashtëm që duhet të korrigjohen nga autoritetet greke.
Pasojat e raportit të diskutuara dje nga komisionerët janë shumë të rëndësishme. Të hënën e kaluar, Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së shprehimisht kanë kërkuar nga Komisioni që të bënte hapat e nevojshëm për zbatimin e nenit 26 të Kodit Shengen. Aktualisht, deri në gjashtë vende zbatojnë kontrollet kufitare (Gjermani, Austri, Francë, Suedi, Norvegji, Danimarkë) dhe ministrat besojnë se është e nevojshme që të zgjatet kjo periudhë e përkohshme për gjashtë muaj. Dhe për këtë është i nevojshëm neni 26.
Me këtë raport në duar hapat e mëtejshëm janë të qartë. Në fillim një komitet i koordinuar nga Komisioni do të diskutojë raportin dhe më pas bëhet miratimi i tij. Komisioni do të dërgojë në Athinë rekomandime dhe Greqia do të jetë e detyruar të paraqesë një Plan Aksioni të menjëhershëm ku shpjegon se si do të korrigjojë mangësitë e regjistruara. Për këtë Greqia mund të kërkojë dhe asistencë teknike nga ekspertët e BE-së.
Greqia do të ketë 3 muaj afat për korrigjim dhe nëse ky afat kalon dhe problemi vijon, dh në këtë rast është pothuajse e pamundur që Athina të mund të korrigjojë diçka, Komisioni mund të aplikojë procedurat e parashikuara nga neni 26 i Kodit të Shengenit që është zbatimi nga ana e njërit, apo më shumë vendeve të kontrollit të kufijve.
Situata tani është kritike. Presioni mbi Greqinë është i madh. Gjermania flet për “detyrimin e kryerjes së detyrave të shtëpisë”. Ministrja austriake kërcënoi të hënën që “të zhvendoset kufiri i Shengenit nga Greqia në Europën Qendrore”, pra de fakto të përjashtohen vendi nga zona e lëvizjes së lirë. /DITA
