BSH: Bankat e nivelit të dytë janë të qëndrueshme

anazapta

Shëndeti financiar i sistemit bankar u përmirësua në gjysmën e dytë të vitit 2013. Indeksi i fortësisë financiare, tregues që llogaritet me bazë gjashtëmujore nga Banka e Shqipërisë, u rrit në nivelin 92.5, nga 87.3 që kishte qënë një vit më parë. Ky indeks përbëhet nga treguesit kryesorë të shëndetit financiar të bankave, si cilësia e aktiveve, gjendja e likuiditetit, përfitueshmëria, kapitalizimi dhe rreziqet e kursit të këmbimit dhe normës së interesit. Për gjysmën e dytë të vitit 2013, pothuajse të gjithë përbërësit e indeksit të fortësisë financiare kanë kontribuar pozitivisht në ecurinë e tij. Rritja e indeksit ka ardhur sidomos falë përmirësimit të ndjeshëm të rezultatit financiar, por edhe falë shëndoshjes së kapitalizimit. Për vitin 2013, sistemi bankar arriti një fitim mjaft të lartë, në vlerën e 6.5 miliardë lekëve, kryesisht falë një përmirësimi në muajt e fundit, përfshi edhe pastrimin e një sasie të konsiderueshme të kredive me probleme, duke i shitur ato te shoqëri të specializuara. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 18%, çka përfaqëson nivelin më të lartë në më shumë se shtatë vjet. Ky tregues është përmirësuar falë rritjes së fitimeve, injektimit të kapitalit shtesë nga aksionerët por edhe falë rënies së kredisë, që ka ulur vlerën e aktiveve në rrezik. Njëkohësisht, në rritjen e treguesit të fortësisë financiar të bankave kanë kontribuar edhe parametrat mjaft të mirë të likuiditetit dhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *