Kreditë e këqija, pra ato kredi që konsiderohen si të pakthyeshme për bankat e nivelit të dytë, zënë një total shqetësues për sistemin bankar dhe çfarë është tashmë e konfirmuar janë 35 kompani të mëdha që e kanë krijuar këtë problem.
Institucioni qendror monetar, pohon se ka marrë një iniciativë për të analizuar dhe hartuar plane rimëkëmbjeje dhe zgjidhjeje për kredimarrësit më të mëdhenj të sistemit, në vështirësi shlyerjeje dhe të ekspozuar në disa banka njëkohësisht.
Në raportin vjetor që u miratua së fundmi nga këshilli i Mbikëqyrjes, Banka Qendrore saktëson se për kredimarrësit e përzgjedhur, (pasi është marrë pëlqimi paraprak për shkëmbimin e informacionit midis bankave), janë propozuar mundësitë më të mira për një zgjidhje të qëndrueshme të aftësisë paguese të kredimarrësit dhe vijimësisë së biznesit.
Sipas Autoritetit Qendror Monetar, kjo iniciativë është mbështetur nga projekti FinSAC i Bankës Botërore, i cili ka angazhuar një shoqëri ndërkombëtare me eksperiencë në këtë drejtim. Kjo iniciativë do të vijojë të zbatohet edhe gjatë vitit 2015.
Në shtator të këtij viti Banka e Shqipërisë do të prezantojë një strategji të re komplekse për mënyrën se si do të ulen kreditë me probleme. Një fakt i tillë u pohua dhe para pak ditësh nga kreu i Bankës, Gent Sejko në intervistën që dha për gazetën “Dita”.
Lidhur me këtë fakt Guvernatori pohoi se ka një asistencë të Bankës Botërore, duke lënë qartë të kuptuar se kreditë me probleme kërkojnë një ristrukturim të tyre. “Sigurisht, ne vlerësojmë cilësinë e kredisë në detaje dhe një nga elementët që analizohen është edhe përqendrimi i saj. Këtu kemi të bëjmë me ekspozimin e huamarrësve në më shumë se një bankë.
Mënyra e trajtimit në këtë rast duhet të konsiderojë një zgjidhje e cila reflekton interesat e të gjitha palëve në mënyrë sa më efektive dhe në maksimumin e mundshëm”, cilësoi ai në këtë intervistë. “Në praktikë, kjo do të thotë të synohet për të gjetur një zgjidhje në përputhje me kuadrin rregullativ dhe që realizohet jashtë sistemit gjyqësor.
Por nëse kjo është e pamundur, duhet të ndiqen procedurat ligjore (ose të përmirësohen këto procedura, nëse është e nevojshme) për të realizuar atë që është më e rëndësishme: Arkëtimin në vlerën më të madhe të mundshme të vlerës së kredisë”, qartësoi Sejko duke pohuar se është e vërtetë që Banka e Shqipërisë ka përfituar asistencë nga Banka Botërore për të tilla raste, “por qëllimi ka qenë të përmirësojmë kapacitetet tona për ta realizuar vetë një proces të tillë”.
Pas këtij pohimi dhe të dhënave të para dy ditëve, tashmë procesi po merr një udhë konkrete zgjidhje që në thelb ka të bëjë me ristrukturimin e këtyre kredive apo kthimin në një masë sa më të madhe të mundshme të tyre.
