BSH nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë

Edlira Shehu

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,  Gent Sejko, priti në një vizitë zyrtare në ambientet e Bankës së Shqipërisë, Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya.

Gjatë kësaj vizite zhvillua ceremonia e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi, i cili ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit midis dy bankave qendrore.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se dy vendet kanë shumë elemente të përbashkëta për të ndërtuar e konsoliduar urat e bashkëpunimit dhe ky memorandum është shprehje e vullnetit dhe e dëshirës së përbashkët për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin reciprok që të dy institucionet kanë pasur në vite.

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se bashkëpunimi ekonomik dhe financiar me Turqinë është i një rëndësie të veçantë për Shqipërinë, duke qenë se vendi fqinj përfaqëson një partner kryesor për ekonominë e vendit tonë.

Banka e Shqipërisë është një mbështetëse aktive e integrimit financiar dhe ekonomik, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat më të rëndësishme për të çliruar potencialin e ekonomisë.” – shtoi Guvernatori Sejko.

Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Murat Çetinkaya, theksoi se Turqia dhe Shqipëria janë dy vende me marrëdhënie të ngushta të mbështetura në miqësinë dhe besimin reciprok; veçanërisht kohët e fundit vihet re që marrëdhëniet dypalëshe janë rritur në një nivel më të lartë dhe është shtuar solidariteti mes tyre në arenën ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, edhe ne si banka qendrore të dy vendeve mike, prej vitesh kemi marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi. Por, sot me këtë memorandum, ne i japim një dimension të ri këtyre marrëdhënieve, duke filluar një proces më të fuqishëm shkëmbimi eksperience dhe me programe konkrete trajnimi”,  tha Guvernatori Çetinkaya.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *