Banka e Shqipërisë pret rimëkëmbje graduale të rritjes ekonomike dhe kthim të inflacionit në objektiv, duke filluar nga viti 2015. Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e katërt të vitit 2014 konfirmon projeksionet në përgjithësi pozitive, por duke nënvizuar se rreziqet do të vazhdojnë të jenë të pranishme dhe lidhen me kthimin e besimit të bizneseve dhe individëve në vendin tonë, ashtu edhe me klimën e pasigurtë që vazhdon të tejçojë zona euro.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2014 rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga kërkesa konsumatore dhe më pak nga aktiviteti investues i sektorit privat dhe atij publik. Përmirësimi i besimit në ekonomi, normat e ulëta të interesit dhe zgjerimi i kredisë, rritja e punësimit, si dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura nga sektori publik, vlerësohen të kenë mbështetur shpenzimet e sektorit privat gjatë tremujorëve të fundit.
Nga ana tjetër, kërkesa e huaj ka rezultuar e dobët dhe shkëmbimet e mallrave e shërbimeve me partnerët tanë tregtarë kanë dhënë një kontribut neto negativ prej 3.8 pikësh përqindjeje në rritjen ekonomike të tremujorit të tretë. Rritja e ngadaltë e eksporteve pasqyron kërkesën e dobët të partnerëve tanë tregtarë, por edhe goditje të ofertës në disa sektorë të caktuar të prodhimit.
Nga ana tjetër, rritja e importeve reflekton më së shumti tendencat e përmirësimit të konsumit e të investimeve në vend. Edhe për tremujorin e fundit të vitit 2014, parashikimet e Bankës së Shqipërisë janë për një kontribut minimal negativ të eksporteve reale neto në ecurinë e kërkesës agregate.
Megjithë tendencat përmirësuese, Banka e Shqipërisë gjykon se ecuria e kredisë vazhdon të mbetet e zbehtë, si pasojë e problemeve të kërkesës e të ofertës. Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike nën potencial dhe pasiguria e sektorit real i detyron bizneset të shtyjnë në kohë planet e tyre të investimit dhe të kërkesave për financim.
