Pas barazimit 1-1 me Maqedoninë dhe fitores 4-3 të Belgjikës dje ndaj Bosnjës, kombëtarja italiane ka siguruar matematikisht fazën e play off-it, ku do të tentojë të shkojë në Botërorin e “Rusi 2018” nga porta dytësore.
Gjithsesi, paraqitja e kombëtares “azzurre” ka lënë shumë për të dëshiruar në sfidën e fundit dhe nesër do të luajë ndaj Shqipërisë sfidën e fundit eliminatore të Grupit G.
Ai që ka folur para nisjes për në Tiranë ka qenë kapiteni i Italisë, portieri veteran Gigi Buffon, që kërkon të karikojë skuadrën në prag të këtij takimi delikat.
“I kërkoj të rinjve më shumë impenjim në fushë, por na takon neve, që jemi më ekspertë për ta nxjerrë Italinë nga kjo situatë dhe për ta çuar kombëtaren në Botëror”, tha Buffon.
Më tej, trajneri juventin shprehet: “Po të kishim fituar ndaj Maqedonisë do të kishte qenë më e lehtë për të gjithë.
Nuk dhamë atë që pritej, madje bëmë një ndeshje të dobët. Ndaj kemi nevojë që në sfidën tjetër, atë ndaj Shqipërisë, të bëjmë një paraqitje pozitive.
Të gjithë duhet të reagojmë në këtë sfidë dhe të tregojmë se kush jemi. Italia do të shkojë në Botëror. Fanella e kombëtares është e rëndë, të gjithë dueth ta nderojmë.
Të luash 90 minuta për Italinë nuk është asnjëherë e lehtë, sidomos për të rinjtë, që duhet të impenjohen më shumë për të ndjekur ritmin në fushë. Nuk duhet të kritikojmë askënd dhe t’ia hedhim fajin të tjerëve”, u shpreh Buffon që kërkon impanjim maksimal nga “azzurrët”.
