Bujar Nishani xhelozohet me Lali Erin, organizon shkuma party në Presidencë

Alqi Kociko

 

Nga ankesa pleqërishte për zhurmat sportive të bashkisë në sheshin “Nënë Tereza” ku mijra vetë shohin futboll, presidenti Nishani bëri një kapërcim gjigant, duke organizuar ndjekjen live të ndeshjeve të Euro 2016 në Presidencë. Por kush mendonte se xhelozia institucionale se kush mbledh më shumë fansa do mbyllej me kaq, ka gabuar rëndë.

Gojët e Liga kanë mësuar se Nishani po përgatit një hap tejet cilësor me hyrjen në sezonin veror 2016: Në Presidencë do të organizohen përgjatë kohëzgjatjes së Euro 2016 dhe më pas, shkuma party masive.

“Janë të ftuar të rinj e të reja, burra e gra të çdo moshe e përkatësie partiake. Padyshim edhe mijëra e mijëra socialistë të ndershëm, të zhgënjyer nga kjo qeveri dhe nga Lali Eri. Yeahh baby”, deklaroi Nishani në një spot televiziv ku shfaqej i veshur si reper.

“Oferta për dy ditë dhe tre net, 125 euro”, shtoi ai.

Presidenca po përfundon ndërkohë ndërtimin e një pishine në pjesën anësore, mësojnë Gojët e Liga. Një sistem modern fonie po instalohet dhe janë bërë provat e para, ku vetë kreu i shtetit dhe disa këshilltarë kanë provuar zërin, duke kënduar sipas shijeve dhe preferencave.

Nishani këndoi hitet e tij të preferuara, “Shqipëria po ndryshon” dhe “Oficerë të Enverit jemi ne”, por i kërkoi dixheit të shtonte basin.

“Plako, je tuj fjet në kom’. Duhet ritëm usta, ritëm”, e shkundi djaloshin presidenti energjik.

Mësohet se sot paradite u zhvillua një provë gjenerale e lëshimit të shkumës së importuar enkas për ngjarjen nga Kamza, me pjesëmarrjen e Nishanit dhe stafit presidencial.

“Uau this iz a mirakëll of Xhelal”, thirri i entuziazmuar kreu i shtetit, duke porositur mekanikun e aparatit të shkumës: “Vazhdo vazhdo, mbaje me shkumë!!!”

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Ngjarjet dhe situata e përshkruara këtu ende nuk kanë ndodhur  

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *