Bujar Shala, një histori suksesi në Norvegji

Dita

Bujar Shala është shkodran, 35 vjeç. Ai banon në Norvegji dhe ka vënë kandidaturën për deputet atje për zgjedhjet që mbahen në 11 shtator. Është një histori suksesi se si e ka përshkuar ai këtë rrugë. Në këtë intervistë ai rrëfen karrierën dhe ëndrrat për të ardhmen…

Intervistoi Xhevdet Shehu

 – Cila është rruga e një emigranti shqiptar si ju, deri sa arritët të jeni kandidat për deputet i një partie të madhe në Norvegji? Pra, si i kini përballuar sfidat në jetën tuaj, si student dhe pastaj në pozicionet që ke zënë në jetë?

– Sfidat gjatë viteve të emigrimit kanë qenë të shumta. Duke filluar që nga plani familjar, në planin shkollor dhe pastaj atë profesional. Për mua ka qenë mbështetja dhe edukata familjare e kombinuar me vullnetin personal çelësi i zgjidhjeve.

A e kini ndier ndonjëherë diskriminimin dhe si i kini bërë norvegjezët të të respektojnë?

– Nuk mund të them që nuk jam ndjerë i diskriminuar. Mendoj se çdo emigrant në momente të caktuara ndihet i tillë në një formë ose një tjetër. E thënë kjo, diskriminimi ka qenë më tepër si rezultat i padijes/mungesës së njohurive mbi prejardhjen time dhe Shqipërinë sesa diçka personale. Në kulturën norvegjeze, shpesh herë, diçka që është e panjohur ose e re… është diçka e cila duhet t’i afrohesh me kujdes dhe ta mbash në distancë derisa ta njohësh/ ta kuptosh tamam.

Për mua ka pasur vetëm një mënyrë që t’i bej norvegjezët të më respektojnë. Kjo ka qenë që nëpërmjet punës dhe shkollimit të tregoj që edhe ne shqiptarët jemi pjesë e denjë e shoqërisë norvegjeze dhe jemi njerëz me dëshira, ambicie, kontribute njësoj si ata. Unë kam punuar shumë gjatë viteve që të krijoj dhe të fitoj besimin në shoqërinë norvegjeze. Ky është rezultati i një pune të vazhdueshme i cili pa dyshim kërkon kohën vet. Besimi tek individi… është një ndër gur-themelet mbi të cilët është ndërtuar shoqëria dhe shteti norvegjez.

– Çfarë ju mungon dhe mundon atje larg?…

– Në Norvegji më mungojnë njerëzit e mi që kam në Shqipëri. Me mungon Shkodra më mungon kultura jonë…më mungon gjallëria dhe alegria e qytetit tim të lindjes. Më mungojnë ato gjëra për të cilat në Shkodër thuhet : “disa gjana janë me t’leme e jo me t’bleme”.

Sa më shumë që shof dhe përjetoj atje ku jam më mundon pyetja : pse mos të jemi edhe ne kështu ? kur do bëhemi edhe ne? Më mundon ideja që vendi im ka akoma rrugë për të bërë për t’iu afruar atij zhvillimi për të cilat aspiron populli ynë. Më mundon ideja se unë sot nuk mund t’i them fëmijëve të mi që të kthehen në Shkodër ndërkohë që shqiptarët vazhdojnë të ikin me shumicë.

– Si i mbani lidhjet me Shkodrën dhe a ktheheni shpesh?

– Lidhjet me Shkodrën mundohem t’i mbaj në mënyrë të vazhdueshme bashkë me shokët dhe familjarët e mi. Vij relativisht shpesh, dhe sipas mundësive të paktën 2 herë në vit. Sidomos tani që edhe femijët janë të vegjël dua që edhe ato të krijojnë një lidhje shpirtërore për fëmijërinë e tyre me Shkodrën.

– A shikoni ndryshime kur ktheheni në Shqipëri dhe si i vlerësoni ato?

– Pa dyshim që shof ndryshime sa herë që kthehem në Shqipëri. Çdo ndryshim që ndodh është shenjë jete që tregon se shoqëria jonë leviz… shoqëria jonë jeton.

Kur kthej kokën mbrapa….dhe sa më larg në kohë ..aq më shumë duken edhe ndryshimet që ka bërë Shqipëria ndër vite.

E thënë kjo… bota nuk ka ndenjur vend numëro. Edhe ato ecin përpara… biles ato vrapojnë. Ndaj ne na duhet të ecim edhe më shpejt në mënyrë që të kapim ritmin dhe të jemi pjesë e asaj për të cilën …edhe sot pas 27 vjetësh përsëri e ëndërrojmë.

Nuk ka ndonjë recetë apo formulë që e zgjidh këtë. Zgjidhja ndodhet vetëm tek shqiptarët. Shqiptarët vetë duhet ta duan ndryshimin dhe të punojnë për këtë.

Europa dhe bota nuk do e bëjnë këtë gjë për ne. Edhe ato raste kur ne na duket sikur ato po bëjnë detyrat tona…është thjeshtë një zgjidhje e detyruar për interesa madhore ndërkombëtare dhe jo domosdoshmërisht për shoqërinë tonë konkretisht.

 – Ku ndryshojnë fushatat zgjedhore në Norvegji me ato në Shqipëri?

– Fushata zgjedhore në Norvegji është pak më ndryshe se në Shqipëri. Atje nuk lejohen mitingjet, pankartat rrugëve, flamuj etj etj. Pjesa më e madhe e fushatës bëhet në ambiente të mbyllura, kafe, restorante, salla etj etj. Takimet derë më derë me popullin është një pjesë e rëndësishme e fushatës. Fushata në përgjithësi është një garë alternativash dhe një përballje kundërshtarësh në interes të vendit. Dita zyrtare e votimit është 11 Shtatori ndërkohë që kutitë hapen që në datën 10 gusht. Dmth qytetarët kanë plot 1 muaj kohë të votojnë. Nuk ka komisioner që ruajnë ose numërojnë votat. Janë punonjësit e administratës në qendrën përkatëse të votimit, që mund të jetë një shkollë ose bashki ose zyrë tjetër, të cilët merren me këtë proces.

– Çfarë i mungon klasës sonë politike për të ecur më shpejt përpara?

Unë shpresoj dhe besoj që klasa politike shqiptare në të ardhmen e afërt të punojë më shumë në të mirën e popullit dhe jo në kurriz te popullit. Pjesës dërrmuese të klasës sonë politike i mungon dëshira për të kontribuar për popullin dhe vendin ndërkohë që janë një dëshirë të pashtershme për t’u pasuruar dhe rehatuar në kurriz të tij. Pa dyshim që në klasën tonë politike kemi individë që nuk përfshihen në këtë, ama ato janë një numër aq i vogël sa e kanë thuajse të pamundur të bëjnë ndryshimin që ka nevojë vendi.

Homazh për nënën e Bujarit

Një nga pyetjet më të thjeshta, ndoshta e para, që bëhet në këtë rast është kjo: Si arriti një djalë prej Shqipërie të bëjë një karrierë kaq të suksesshme? Kjo pyetje është e natyrshme.

Gjatë bisedave që kam bërë me Bujarin këto ditët e fundit, ajo që më la më shumë përshtypje dhe që më ka prekur shumë, është historia e nënës së tij të shtrenjtë dhe të paharruar, një mjeke kardiologe që, çuditërisht është më e njohur në Norvegji se sa në Shqipëri.

Unë po e riprodhoj historinë e nënës së Bujarit, ashtu si ma tregoi vetë ai në klubin e Dritëro Agollit pak  ditë më parë:

Në 1993 nëna ime  Dr. Emroda Shala (Beli) i shpëtoi jetën një norvegjezi që kishte ardhur të sjellë ndihma në Shqipëri. Dihet se si ishte situata në vendin tonë në atë kohë. Nëna ime, mjeke kardiologe, pasi e viziton norvegjezin, e urdhëron të kthehet urgjentisht në vendin e tij për të marrë kurën e duhur që të mos vdiste…

Kur ai kthehet ne Norvegji per kurim, mjeket habiten sesi Dr. Emi (Kshu e thërrisnin mamin teme të gjithë) kishte zbuluar atë sëmundje vetëm me një stetoskop. Ta thashë nana ishte kardiologe.

Direkt e ftojnë në Norvegji për specializim 3 mujor dhe atje del në faqe të parë të gazetës në artikull ku e prezantojnë: “Mjekja shqiptare me stetoskop të artë. Norvegjia një planet i ri për të”.

Kthehet në Shqipëri prapë dhe mbasi ndodhi ’97-a, ajo dhe babai donin që unë dhe vëllai të studionim jashtë. Kolegët e saj norvegjezë e kontaktuan dhe i thanë: Hajde, se për mjekë si ti ka gjithmonë nevojë këtu. Me shumë mund dhe përpjekje ne u zhvendosëm në Norvegji.

Pas dy vjetësh e gjysmë qëndrimi atje, nana pati një aksident i cili i mori jetën (2001).

Ndërkohë pastaj stafetën e mori Baba i cili tha që do të rrimë në Norvegji të vazhdojmë atë për të cilën erdhëm. Dmth që ne djemtë të shkollohemi dhe të dalim në jetë…

 

 

Share This Article
4 Comments
  • Ju lumte, nderoni vehten e juaj, familjen, qytetarine e Shkodres dhe popullin dhe kombin shqiptar.
    Mjaft me ndigjesa te tilla nga shqipfolesit shqiptar me veprime prej gangsterash, kriminelash, injorantesh dhe te distancohemi nga cdo veprim negativ qe bejne kudo neper bote.
    Me persona te tille si BUJAR SHALA nderohet vendi.

  • Faleminderit Bujar Shala per nderimin qe na perfaqeson aty. I ndritet shpirti atje ku eshte nenes tende dhe i nderuar ati yte qe qendroi aty.
    Mire fort qe shkelqen aty…se po te ishe ketuuu do ti nenshtroheshe vetingut dhe krye gangesteri do ta akuzonte nenen tende si mjeke “grabitqare”.

  • Bujarin e kam pase nxenes. Nji djale shume intiligjent. Rrjedh nga nji familje qytetare shkodrane me shume kulture dhe edukate.
    Me prinder shembullor dhe nje nane (doktoreshe Emin paste ndjese) qe nuk gjej fjale ta pershkruaj. Vajze dhe grua model, me te gjitha cilesite e mira qe mund te kete nji njeri. Bujarit i uroj suksese ne jete e kudo.
    Me konsiderate!
    Antonieta Luli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *