BUJQËSI / Niko ndërron mbiemrin që t’i ecë puna e granteve

redaktor

 

Ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi e ka zënë belaja: Ai ka gjashtë muaj që i tund katundit, domethënë fshatit, 93 meleonë evro si grante për bujqësinë, por askush nuk vjen t’i marrë.

“Ore, këta katundarët qenkan fshatarë fare,” i tha Niko zëvendësit të tij Dhimo Kote, me një të kaluar të freskët prej fshatari shembullor, “ne u themi eni merrni lekat, këta hiç. Mesa duket duhet të zbresim këmbëkryq katund me katund, me fshatarët”.

Dhe në fakt, ashtu bënë. Niko pa u lodhur u fliste katundarëve të fshatit për grantet, fondin e posaçëm të agrikulturës, direktivat e BE-së, subvencionet preliminare dhe ato suplementare, raportin mes inputeve dhe autputeve, koeficientin e prodhimit për çdo fidan në vitin e parë, vitin e dytë e të tretë, paketën super që do vijë nga BE nëse hapen bisedimet e anëtarësimit, paketën Ahtisaari etj.

-E kuptuat punën e kësaj paketës, pse është me shumë leverdi? – pyeti Niko në një fshat.

-… Nashinë… kjo paketa s’duket keq more djalë, po kam hall mos është nga ato me cigare të holla, se unë s’i vë në gojë, – ja ktheu një xhaxho duke shkundur llullën.

 Të tilla dialogje konstruktive pati kudo, po grantet nuk i preku kush me dorë.

“Nuk e di pse nuk i duan,” i qante hallin zëvendësi i tij Dhimo, “unë bile u kam premtuar që pesticidet e firmës sime t’ua shes me ulje çmimi. Mjaft të vijë katundari fshatar që dëshiron të bëhet fermer, e të më thotë: Vij nga granti i Nikos!”

Kështu, prej disa javësh Nikos i është mbushur mendja se bujqësia nuk po ecën, ngaqë mbiemri i tij krijon konflikt interesi, duke qenë nënprodukt puro blegtoral.

“Unë kam lindur për punë qyteti bre byrazer, për ndonjë kullë aaa, ndonjë Pazar Korçe aaa,” thoshte me vete mendueshëm. Po mu ato ditë, edhe Pazari i Korcës u përmbyt nga shiu dhe Tirka i bashkisë u detyrua të shqepte kanalizimet edhe një herë. Gjithsesi, pazari i përmbytur dukej shumë bukur nga maja e kullës, si liqen.

 Tek e fundit, kapakun e vuri bëma e fundit: Ca korçarë i kishin falur aktores Tinka Kurti një foto kalamanke dhe i kishin thënë, “na me, Tinkë! Këtu ke dalë ti kur ke qenë e veckël, dgjon o!”

Ndërkohë që në fakt vajza e vogël ishte mbesa e Melanisë së djalit të Pandeli Doracit të Kolit të Tabakëve.

Kur Niko e mori vesh, e vendosi: “Siç ja ndërruan Tinkës foton, po ndërroj edhe unë emrin. Nuk mbahet leshi dimër verë”.

Kështu thirri Dhimo Koten dhe i tha: Dëgjo byrazer, nga sot e gjer në fund të mandatit, ti do quhesh Dhimo Kimiku, ndërsa unë Niko Akriliku. Hajt për hajër!

Shënim: Gojët e Liga mund të jetë rubrikë satirike acide, por ama anti-pesticide

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *