Bujqësia italiane dhe ç’mund të mësohet prej saj

anazapta

Mund të duket paradoksale, por i vetmi sektor që e ka përballuar më mirë krizën ekonomike që vazhdon prej disa vitësh në Itali dhe në të gjithë zonën Euro është sektori i bujqësisë, i cili gjatë vitit 2012 e rriti punësimin me mbi 10 përqind. Shpesh televizionet italiane japin rubrika ku tregojnë se njerëz të kualifikuar në profesione që nuk kanë të bëjnë aspak me bujqësinë po “eksperimentojnë” një fillesë të re në profesionin e fermerit. Dikush i kthehet fermës së familjes të braktisur prej kohësh por ka edhe nga ata që kanë blerë sipërfaqe të tëra toke dhe janë transferuar përfundimisht në zonat rurale. Një fakt tjetër interesant është ai që të rinjtë, sidomos ata të Jugut po i kthehen gjithnjë e më tepër bujqësisë dhe nuk marrim me shumë zell rrugën drejt Veriut apo edhe jashtë Italisë pasi mundësitë për tu punësuar edhe në ato zona janë tepër të pakta. Me sa duket kriza ekonomike i ndërgjegjësoi të gjithë për rëndësinë e bujqësisë dhe mund të thuhet se ka një ri-zgjim të përgjithshëm të këtij sektori.

 

Një nga tiparet dalluese të bujqësisë italiane dhe po ashtu të të gjitha vëndeve të zhvilluara perëndimore është se dallimi midis zonës urbane dhe asaj rurale është eliminuar pothuaj plotësisht dhe zëvëndësuar me atë që quhet “urban – rural” që shoqërohet me një zhvillim masiv të infrastrukturës dhe të sektorit të shërbimeve në zonat rurale. Modeli i zhvillimit ekonomik italian ka vërtetuar edhe faktin që diversifikimi i bujqësisë dhe i zhvillimit rural në tërësi është një domodoshmëri e pashmangshme pasi vetëm me të ardhurat nga sektori agrar familja fermere nuk mund ta përballojë më koston e jetesës.

 

Qeveria italiane, në vijim edhe të politikave të BE-së për zhvillimin rural është shumë e ndjeshme ndaj sektorit bujqësor. Kjo vjen jo vetëm për faktin e shtimit të punësimit dhe të rritjes së eksporteve por edhe sepse prodhimet italiane kanë fituar një famë botërorë që nga verërat cilësore, vaji i ullirit, prodhimet blegtorale e të peshkut, e deri tek llojet e pafundme të makaronave dhe të salcave përkatëse. Nuk është rastësore që shumë produkte të falsifikuara si italiane por të prodhuara në Kinë apo diku tjetër ndalohen shpesh nga doganat italiane dhe prodhime të tilla groposen menjëherë.

 

Disa nga tiparet tipike të bujqësisë italiane

Një nga tiparet tipike të bujqësisë italiane është forca e saj konkurruese si në tregun e brëndshëm por sidomos në atë të jashtëm falë cilësisë së lartë e cila vërtetohet nga etiketimet DOC (produkt origjinal i kontrolluar) apo DOP (produkt origjinal i mbrojtur). Sigurisht këto janë arritje që nuk mund të realizohen nga familje fermere individuale por nga një bashkësi fermerësh të cilat në Itali janë tëpër të përhapura dhe quhen kooperativa. Bashkimi në kooperativa vullnetare ju krijon mundësitë fermerëve të përballojnë më mirë konkurencën dhe duhet thënë se shumë prej tyre nuk bashkohen për të prodhuar por më shumë për të shitur prodhimet e tyre dhe për tu mbrojtur nga spekulatorët e tregut. Nga ana tjetër edhe bankat, të cilat janë të gjitha private, e kanë më të lehtë të japin kredi pasi garancia për vjeljen e tyre është shumë më e madhe.

 

Eshtë një fakt i admirueshëm që shumë nga këta prodhues u goditën rëndë nga tërmeti i Majit 2012 në zonën e Emilia Romanjës por falë vullnetit dhe punës së tyre heroike në më pak se 6 muaj ja arritën që të eleminojnë një pjesë të mirë të pasojave të tërmetit dhe ti ri-kthehen ritmeve normale të prodhimit. Sa për dijeni këtu prodhohen djathrat e famshëm Parmigiano Reggiano apo Grana Padano. Në kushte të tjera, jo vetëm fermerët e Emilia Romanjës por e gjithë ekonomia e këtij rajoni tepër të rëndësishëm për Italinë do ta kishte shumë më të vështirë të ri-mëkëmbej, proçes i cili vazhdon akoma megjithë vështirësitë burokratike në lëvrimin e fondeve. Eshtë edhe për këto arësye që BE-ja vendosi të akordojë 670 milionë euro si ndihmë ekonomike për rindërtimin e këtyre zonave.

 

Italia ka një pozitë gjeografike që fillon që nga Alpet zvicerane e përfundon me ishullin e Lampeduses i cili ka më pranë Tunizinë se sa Siçilinë. Rrallë ndonjëhërë vënde të tjera europiane kanë një larmi të tillë klimatiko tokësore. Por ajo që bujqësia italiane demonstron është pikërish një zhvillim i ekuilibruar i zonave rurale në varësi të kushteve ekologjike e shprehur me një ekonomi bujqësore, përpunuese dhe pyjore që rritet e zhvillohet përgjithësisht mirë e në harmoni me mjedisin. Pa dyshim që investimet kombëtare apo edhe ato të BE-së kanë luajtur një rol të pamohueshëm në këto arritje. Një nga zonat më produktive është ajo e Luginës madhështore të lumit Po (Pianura Padana) që është rrafshira aluvionale më e madhe e më pjellore e Europës dhe perla e bujqësisë italiane. Nisur nga këto fakte vetë ministri italian i bujqësisë shtroi së fundi me të madhe problemin e ruajtjes së kësaj pasurie kombëtare nga urbanizimi apo “çimentimi” pa kriter duke përmëndur faktin që vetëm për periudhën 2003-2008 Emilia Romanja ka humbur 15,700 ha tokë bujqësore e barabartë me prodhimin e 114,771 tonë grurë në vit ndërsa e gjithë bujqësia italiane për periudhën 2000-2010 humbi në total 300,000 ha tokë bujqësore.  Fatkeqsisht probleme të humbjes, shpërdorimit dhe zënies së tokës bujqësore me ndërtime pa leje janë të theksuara edhe në Shqipëri, pamvarësisht se prej vitesh egziston një Ligj për Ruajtjen e Tokës Bujqësore, te cilin shumë vëndë të BE-së nuk e kanë akoma.

 

Një nga tiparet më pozitive italiane në bujqësi është përvoja tradicionalisht e pasur, kualifikimi teknik i përsosur i fermerëve dhe zelli i tyre per biznes. Por vlen të theksohet se edhe fuqia punëtore me kosto të ulët e imigrantëve ka luajtur rolin e vet në suksesin e bujqësisë italiane, e cila përfiton edhe nga një shërbim efikas dhe i kualifikuar ekstensioni dhe shërbimi veterinar. Përvoja e BE-së sidomos në kuadrin e programeve të tipit LEADER është gjithashtu shumë e vlefshme dhe prandaj Italia bashkë me Francën insistojnë që buxheti i BE-së për periudhën 2014-2020 të ruajë financimet për bujqësinë (që kapin 40 përqind të vlerës totale të buxhetit).

 

Një tjetër fakt interesant lidhet me madhësinë mesatare të fermës që në Itali  është afro 2-3 hektarë dhe vjen si rezultat i reformave agrare të kryhera që në epokën fashiste apo edhe të mbas luftës së dytë botërore. Por kjo nuk manifestohet me fragmentimin e bujqësisë pasi është mënyra e prodhimit  që i bashkon fermerët edhe kur ata nuk angazhohen në kooperativa. Kjo është një mënyrë inteligjente ku “bashkimi” i fermërëve arrihet nëpërmjet “kulturëzimit” të bujqësisë dhe seicili prej tyre mbetet pronar i tokës së vet. Në këtë mënyrë lehtësohen shërbimet për bimët si dhe vjelja e tregëtimi i prodhimit dhe në fund fitojnë të gjithë. Të drejtat e fermerëve, qofshin individualë apo të bashkuar në kooperativa i mbron Konfederata Italiane e Fermerëve ndërsa Confagricoltura është organizata që përfaqëson industrinë agro-përpunuese. Të dyja këto organizma kanë një peshë të rëndësishme në vendimet që merren dhe në politikat që harton Qeveria.

 

Por jo çdo gjë shkon si “në vaj”

Por jo çdo gjë shkon si “në vaj” edhe në bujqësinë italiane. Ndodh shpesh që fermerët me traktorët e tyre të bllokojnë autostradat apo ta derdhin qumështin rrugëve. Problemet e tyre nuk lidhen me prodhimin, por me tregëtimin e tij pasi ka raste kur fermeri siçilian merr vetëm 50 cent për një 1 kg domate të tipit qershizë kur ajo shitet 3-4 euro për kg e më shumë në tregjet e Veriut. Në këto kushte bëhet shumë e vështirë për fermerin të përballojë shpenzimet e prodhimit pa le më tej të sigurojë fitimin e duhur për të mbijetuar. Në fund ata që humbin janë prodhuesit dhe konsumatorët dhe fitojnë spekulatorët apo konglomeratet tregëtare të fuqishme që vendosin çmimet dhe kontrollojnë tregun. Një nga mënyrat për të evituar këto spekullime janë tregjet e fermerëve në qytet apo tregëtia eko-solidare të cilat po përhapen gjithnjë e më shumë edhe pse pesha e tyre në tregun kombëtar të shitjes së produkteve bujqësore e blegtorale është akoma e papërfillshme.

 

Italia është një vënd tepër i ndjeshëm ndaj rreziqeve natyrore që përshijnë tërmetet, shëmbjet e dhéut, përmbytjet dhe vullkanet. Një shpërthim i mundshëm i Vezuvit do të ishte katastrofik dhe i pakrahasueshëm me varrosjen e Pompeut 2000 vjet më parë. Eshtë për këto arësye që ministri i mjedisit i kërkon parlamentit italian të akordojë 40 miliardë euro për 10 vitet e ardhshëm për të marrë masa urgjente për mbrojtjen nga këto katastrofa natyrore të cilat priten të shtohen edhe më shumë si rezultat i ndryshimeve klimatike. Bujqësia është nga ata sektorë të ekonomisë që i vuan më gjatë këto pasoja.

 

Bari, 28 Nëntor 2012. Autorët janë 1 – Profesor i Shkencës së Tokës, CIHEAM, Instituti Agronomik Mesdhetar i Barit, Itali 2 – Profesor i Zhvillimit Rural, Universiteti i Basilikatës, Potenza, Itali / Anëtarë të grupit të punës të Zhillimit Rural pranë PS

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *