Qeverisja tani e tutje do të ushtrohet sipas ndarjes së re territoriale, me bashkitë qytet-fshat, që barazon nivelin qeverisjes dhe investimet në të gjithë territorin. Për herë të parë, të tërë banorët e njësisë administrative do të thirren me emrin e përbashkët kushtetues, qytetarë. Qeverisjen me komuna nuk e shpikën shqiptarët. Ata që e zgjodhën, nuk morën parasysh specifikat e fshatit shqiptar. Fillimi i administrimit me bashki fshat-qytet, për mua është oguri më i mirë për ta zhvilluar bujqësinë në drejtimin e duhur. Kandidatët që konkurruan, e patën në program se do ta zhvillojnë bujqësinë me prioritetin që meriton.
Politika që sundoi tranzicionin, ishte teoria aventuriere e arrorëve, që u formulua dhe u zbatua me shumë pasion nga ish-Kryeministri Berisha. Kjo aventurë jo vetëm bujqësore, e tërhoqi zvarre gjithë pushtetin në rrugën pa krye të injorimit të shërimit të plagëve reale, nga të cilat fshati ishte i plagosur, nga furia shkatërrimtare e teorisë zero.
Komunat nuk prodhonin energji as për t’u rrotulluar rreth vetes. Aktualisht kemi një fshat të sfilitur ekonomikisht dhe një bujqësi të tjetërsuar shkencërisht. Si mund të parafytyrohet bujqësia, në një tokë të moçalizuar që përmbytet pas çdo shiu dhe thahet me hënë? Kjo është bujqësia dhe ky është fshati që gjeti ndarja administrative në 23 Qershor 2015, kur fshati shqiptar do të qeveriset në mënyrë njerëzore nga Bashkitë e mëdha. Kjo qeverisje presupozon që fshati do të barazohet me qytetin në trajtim ligjor, urbanizim, kulturë dhe mbi të gjitha, do t’i dëgjohet zëri dhe do t’i shërohen gradualisht dhembjet e shkaktuara për 80 vjetët e fundit.
Është thelbësor prioriteti i zhvillimit bujqësor, pavarësisht kostos. Për prioritetin bujqësor të ekonomisë, nuk u ndërgjegjësua asnjë lloj pushtetari, deri në 23 Qershor 2015. Nuk besoj se gjendet ndonjë shqiptar me arsim mesatar, që të mos jetë i bindur se politika përcakton fytyrën e bujqësisë të çdo vendi. Plejada e klasës politike të viteve 90 ka meritat e veta, sepse u vendos rendi demokratik me të tëra mekanizmat për ta çuar vendin përpara. Ekonomikisht, në tranzicionin e gjatë janë shënuar suksese edhe në fshatin shqiptar, por në këtë fushë rolin thelbësor e ka luajtur shpirti i sipërmarrjes, që sistemit paraardhës i kishte munguar. Klasa politike e tranzicionit quhet e dështuar, sepse Shqipëria nuk u bë si gjithë Europa dhe aktualisht, vazhdon të diskutohet nëse i kemi plotësuar kushtet për t’u pranuar në BE, kur dihet se historikisht ne i kemi pritur në kontinent dhe i kemi mbrojtur shumë nga shtetet që sot përbëjnë bërthamën e Europës zyrtare.
Tre janë shkaqet e prapambetjes dhe varfërisë, që pllakosi fshatin këtë çerekshekulli të tranzicionit demokratik dhe e ktheu bujqësinë disa dekada pas arritjeve të vitit 1990. E para është indiferenca qeveritare për të riparuar atë që e shkatërroi vetë në fshatin shqiptar, në vitet e ndërrimit të pushteteve. E dyta është prishja e pastudiuar e ish-fermave shtetërore dhe e treta është copëzimi i pushtetit në komuna, që u shndërruan në qendra korrupsioni anadollak, nga më të paskrupulltit që ka ndodhur në vend.
Do të ripërsëris dëmin kolosal që u shkaktua nga shkatërrimi i ish-fermave shtetërore. Shpërbërja e ish-fermave u bë me ligj të ideuar dhe zbatuar nga Pashko, Berisha, Meksi, Xhuveli. Sipas këtij ligji antikushtetues, tokën shtetërore të ish-fermave e ndau për frymë të banorëve, që kishin bujtur në territorin e fermës thjesht për t’u punësuar familjarisht.
Kur po flitej se toka e fermave do të ndahej, në shtypin e kohës u shkruan shumë shkrime nga specialiste të fushës, me të cilat i luteshin Qeverisë të mos i prishte ish fermat, por t’i privatizonte me ortakëri. Shumë artikuj ka shkruar Ilia Pali, ish Drejtor i përgjithshëm i fermave, kryesisht në “Republika”, por dhe në organe të tjera, përfshirë dhe RD. Kanë shkruar punonjës të vjetër të ish fermave. Unë kam shkruar disa shkrime, një prej tyre në gazetën “Sindikalisti”. Shtypi i kohës mbajti qëndrim koherent ndaj këtij problemi jetik.
Njeriu që e ka kundërshtuar nga brenda këtë veprim antikushtetues, ishte ish Ministri i Bujqësisë, Petrit Kalakula. “Nuk kam çfarë t’i bëj Berishës dhe Meksit, si dhe “teoricienit” Pashko. Jam i pafuqishëm për këtë problem”, më ka sqaruar mua Kalakula. Ai, Ilia Pali dhe të tjerë, vdiqën përpara kohe, nga meraku që nuk mundën të ndalonin furinë shkatërruese të ish-fermave shtetërore. Të tërë kanë qenë në gjendje shëndetësore për punë. Ish fermat ishin një pasuri e madhe e pa llogaritshme në vlerë dhe garanci e vetme për përparimin kohor të fshatit shqiptar.
Ish punonjësit e fermave nuk kishin asnjë lidhje me tokën që punonin me dekada, sepse gjithçka zhvillohej nën parullën bolshevike, “toka i takon atij që e punon”. Njerëz të ardhur nga të tëra trevat shqiptare morën tokë në Lushnjë që ishte tokë e përfituar nga ish këneta e Tërbufit. Njerëz të zbritur nga malësia, morën tokë në Torovicë, që ishte përfituar nga këneta e Kakariqit. Të tjerë morën tokat më produktive të përfituara nga tharja e ish kënetës së Maliqit, e kështu me radhë. Si mundi ta pranojë drejtësia një grabitje të tillë ligjore?
Ish fermat shqiptare ishin ndërtuar sipas modelit të fermës Fulltz dhe s’kishin asgjë të përbashkët me stalinizmin. Atyre, po t’u ndryshoje pronarin, bëheshin ferma kapitaliste. Punësonin 70 mijë njerëz, 125 mijë banorë dhe jepnin një produkt bruto, prej 3.5 miliardë dollarë. Ky prodhim, jo vetëm u reduktua me ndarjen e tokës për frymë, por për 25 vite, mbeti sa 1/3 e prodhimit maksimal bujqësor të realizuar në vitin 1990. Shumica e ushqimeve sot importohen, duke filluar nga Maqedonia deri në Brazil.
Ky dëm ekonomik, kam guximin të pohoj se është kryer me qëllim të varfërimit të
pakorrigjueshëm të popullit shqiptar. Pushtetarët e kanë dashur popullin sa më të varfër që të ishte edhe i bindur, siç bëri Enveri, siç kanë bërë të tërë sundimtaret. Prishja brutale e ish fermave është akt i pastër kriminal. Kjo duket qartë, derisa pas 25 vjetësh kërkohet të ngrihen prapë, por që mbetet proces i vështirë.
Askush nuk foli për këtë krim nga të dy anët e politikës që morën pushtetin. Ideologu Gramoz Pashko, me profanët ambiciozë Berisha, Meksi, Hajdari dhe të tjerë të ngjashëm, ngrohnin duart në zjarrin që ndezën anë e mbanë fshatit shqiptar, të dalë nga varfëria e kooperativizmit enverist. Ministrat tranzitivë nuk u merakosën kurrë se bujqësisë ju shkatërrua infrastruktura dhe për bujqësinë nuk duhet vetëm mekanizimi, por në radhë të parë infrastruktura e tokës, që përpara syve të tyre po kënetëzohej nga dita në ditë. Këto realitete ja fshehën popullit jo vetëm pushtetarët, por dhe shtypi. Më gjeni një organ shtypi që të ketë ngritur me forcë dhe në mënyrë sistematike këto probleme. Tek-tuk ka pasur ndonjë shkrim kritik bujqësor, por kanë qenë nisma autorësh specialistë dhe gazetarë bujqësorë, që janë zhdukur si zëra në shkretëtirë.
Pa mjaftuar të tëra këto plagë, fshatarësia e leckosur ju dorëzua komunave, një formë demokratike e pushtetit, por krejt e papërshtatshme për fshatin shqiptar. Kryekomunarët të zgjedhur me votë të deformuar, në shumicën e komunave u kthyen në bejlerë të rinj. Ndihmat, grandet, fondet i kanalizuan drejt ca tenderëve mostruozë që vetëm mbushin xhepat të soj e sorollopit komunar. Disa prej këtyre komunarëve dallkaukë flisnin në emisionet televizive për lulëzimin e fshatit shqiptar post komunist. Po si mund të lulëzonte fshati pa bujqësi që nuk ekziston ende sot e 25 vjet? Këtë duhet t’ja thonë drejtësisë ata që e krijuan gjendjen. Veçanërisht fshati shqiptar vazhdon të mbahet gjallë nga emigracioni, një zgjidhje që nuk ja solli pushteti aventurier i Sali Berishës, por ishte zgjidhja universale që e gjeti mençuria popullore.
E vetmja Qeveri që nuk ka përgjegjësi për gjendjen e fshatit dhe të bujqësisë, është Qeveria Rama, deri sa erdhi në pushtet në 23 qershorin historik të vitit 2013. Përgjegjësia e Ministrisë së Bujqësisë të kësaj Qeverie për këtë periudhë një vjeçare e gjysmë është evidente, sa edhe e ministrive paraardhëse saliste. Kjo ministri fatkeqësisht vijon të klloçisë vezët që shtroi ish ministri Genc Ruli, qeveritari me i zellshëm i bujqësisë së tjetërsuar. Ky njeri gjeti forma të stërholluara, për ta eliminuar bujqësinë edhe si nocion. Të mos figuronte në evidenca dhe në dokumente, madje që të mos linte asnjë gjurmë, mbylli dhe të vetmin organ të shtypit bujqësor. Sipas ministër Gencit, bujqësia mund të rritej me përqindje të larta edhe kur toka nuk mbillet. U gjet borizani. Mjeku Sali Berisha sajoi teorinë famëkeqe të arrave, lajthive dhe shegëve, për të cilat kam shkruar sa jam lodhur dhe nuk më kanë dëgjuar ata që duhej.
Protestuesit më të vendosur kundër politikës bujqësore Berisha-Ruli, ishin profesorët bujqësorë që dogjën diplomat përpara zyrës së Gencit. Gencit nuk i luajti qerpiku, sepse ai bujqësinë nuk e sabotoi aksidentalisht, por ishte misioni i tij. Është zbatuesi konseguent i teorisë “zero”. Ai u zgërdhi prapa xhamave zais, me xhestin e profesorëve që përfaqësojnë pjesën më të devotshme të inteligjencës shqiptare.
Qeveria aktuale nuk mund t’i lejojë vetes që gjendja të lihet siç u katandis për 25 vjet, ku këndon qyqja në shumicën e fshatrave të Shqipërisë.
Ndjehem i plotësuar se platformën time për shëndoshjen e gjendjes së bujqësisë dhe të fshatit e kam shkruar në kohen e duhur dhe nuk kam ndenjur sehirxhi, por kam kritikuar majtas dhe djathtas, pa pyetur për festen e askujt. Për këtë gurgule, që kam 15 vjet që e bëj me të tëra mjetet e mundshme më shtyjnë origjina ime fshatare, jeta e suksesshme profesionale dhe prirja gazetareske që e ushtroj për 50 vjet dhe pa të do të isha një zë që do të shuhej në heshtje, siç janë shuar dhe po shuhen shumë zëra të kolegëve të mi, që kanë qenë ndoshta më të përkushtuar se unë.
Ku e shoh ndryshimin dhe mundësitë e gjallërimit të fshatit?
Ndarja territoriale mundëson kufizimin e parcelizimit ekstrem të tokave bujqësore. Adapton mekanizim në një parcelizim të paevitueshëm. Fshatari i bashkon parcelat kur e sheh interesin. Kufijtë aty janë; nuk i prek kush. Bashkia e madhe, presupozon një frymëmarrje shkencore bujqësore. Bujqësia kërkon specializimin e prodhimit, por dhe kooperimin me degë të tjera të ekonomisë. Janë baraspesha që i vendos një organizëm komleks, që është bashkia me territor dhe vendbanime të zgjeruara. Mirëmbajtja e infrastrukturës duhet të drejtohet nga pushteti lokal, me sipërmarrje të specializuara dhe të pajisura me makineri të nivelit kohor. Nuk mund të drejtojë kullim-ujitjen ministria nga Tirana. Ndërmarrjet e tjera të prapavijës ndihmohen drejtpërdrejt nga pushteti vendor.
Ç’duhet mbajtur parasysh, nga Bashkia e madhe?
Kurrë nuk mund të bëjë një ministri, sado e aftë, se sa do të mund të bëjnë 61 administrata, me shumë sens operativ, pasi janë afër terrenit dhe brenda problemit. Zëvendësi i kryebashkiakut duhet të jetë drejtori i bujqësisë së rrethit, mundësisht të mos jetë specialist bujqësie, por të jetë ekonomist, njeri që njeh fshatin dhe bujqësinë dhe t’i dëgjohet fjala. Këta do të jenë 61, pavarësisht ngjyrës politike do të operojnë në të tërë cepat e Bashkisë me kontrolle, me udhëzime, me urdhra, me administrim fondesh dhe lidhje me kontraktorët. Në qendër të vëmendjes do të jetë puna me tokën dhe ujërat sipërfaqësorë, cila është gjendja e tyre dhe si ndryshojnë ato periodikisht. Bujqësia nuk është kaq e vështirë sa i kanë nxjerrë namin ata që nuk dinë të drejtojnë. Bujqësia pasi të ketë politikë të studiuar zhvillimore dhe fuqinë e rregullt punëtore, determinon menaxhimi i punës drejtuese, duke filluar nga punët ditore. Një menaxher i mirë i vë të tëra levat në punë, pa firo dhe pa përplasje. Drejtuesi kryesor nuk ndërhyn në punët e specialistëve që janë tre. Kabineti i inxhinierëve, grupi i specialistëve të bujqësisë dhe të shkencës dhe grupi i mbrojtjes së bimëve dhe kafshëve. Këto grupe (zyra) krijojnë përvojën e tyre bashkëpunuese dhe urat e komunikimit me prodhimin e gjerë të fushës. Janë specialistë që punojnë operativisht por dhe studiojnë për të dhënë udhëzime të tjera në përshtatje me gjendjen e terrenit. Nuk mbeten rob të punëve operative që populli i stigmatizon me shprehjen “Shif yllin dhe merr pyllin”. Në qendër të vëmendjes duhet të mbahen 3 probleme me ndjekje operative periodike: Gjendja e rrjetit kullues -ujitës, toka e pa mbjellë dhe stimulimi i krijimit të fermave shumëdegëshe, sipas traditës dhe përvojës botërore. Puna e tyre, në të tëra shkallët matet me arritjet e treguesve ekonomiko-financiarë vjetorë të terrenit. Të mos kursehen specialistët bujqësorë dhe blegtoralë të terrenit, që do të punojnë bashkë me fermerët. Praktika ka treguar se në këtë fushë kur kursen një rroge specialisti, humbet 100 e më shumë të tilla, sipas aftësive individuale të specialistit që shkurton. Bujku ynë është ende konservator. Nëse vërtetë duam të shkurtojmë vende pune, shkurtimi duhet të bjerë në pushtetin qendror, por gjithnjë të argumentuar me arritjet në pune.
Këto këshilla për organizimin bujqësor të Bashkisë duken shumë të rëndomta, kështu më duken dhe mua që po i shkruaj, por bujqësia bëhet e komplikuar kur nënvlerësohen problemet e rëndomta, sepse vetë bujqësia si profesion i parë i jetës së stabilizuar të njerëzve, mbetet një mori problemesh të rëndomta, që lidhen organikisht në mënyrë harmonike.
Përvoja bujqësore e komunave këto 25 vite është diku afër zeros. Në këto kushte duhet që të emëruarit e ri të krijojnë një dosje të re pune që do t’u shërbejë atyre dhe pasardhësve. Janë këto arsyet, që ndarja e re territoriale quhet një shans i madh i fshatit dhe bujqësisë shqiptare. Por shansi mbetet shans, nëse nuk di të menaxhosh punët dhe t’i drejtosh energjitë fizike dhe mendore të njerëzve drejt punëve të dobishme, që i shërbejnë e ruajtjes së pa ndërprere të prodhimit.
Në Amerikë secila fermë ka një tabelë dhe një histori të rritjes së saj, ku pasqyrohet rruga që ka ndjekur dhe perspektiva e afërt dhe e largët e saj. Të vizitosh një fermë, del me përshtypjen se ke vizituar një fabrikë të gjerë dhe të komplikuar. Në fakt, ajo është një fushë ku njerëzit derdhin energjitë fizike dhe mendore.
U kënaqa pa masë kur dëgjoja kandidatët për kryetar bashkie që shpalosnin ide për ta vënë në qarkullim të tërë tokën e komunës së tyre. Bujqësia nuk identifikohet me ngjyrat e flamujve partiake, por me ngjyrën e gjelbër universale. Kur kjo ide do të bëhet realitet, këta kryebashkiakë do të shkruhen në historinë e popullit shqiptar, si prekursorë, që sollën demokracinë reale në Shqipëri, dekada vitesh diktaturash, që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën nga viti 1924 deri në 2015.
Mendoj se zgjidhjen më të mirë dhe më herët e paraqiti kryebashkiaku Dako, që ka menduar të krijojë zonën e lirë të përzier tregtare, sepse brenda zhvillimit krijohen edhe mundësi për fonde. Me pëlqeu edhe platforma e kryebashkiakut të zgjedhur në Lezhë, Frrokaj. Mbetet të gjykojnë vetë kryebashkiakët e zgjedhur në 21 qershor. Qëllimi mbetet një: Të synohet që të mbillet çdo vit, çdo pëllëmbë tokë bujqësore e kadastruar. Ajo njësi vendore dhe qeveri, që nuk e mat veten me këtë objektiv, nënshkruan dështimin. 21 qershori 2015 është vija e demarkacionit, që ndan fshatin dhe bujqësinë e nëpërkëmbur dhe të përbuzur nga fshati shqiptar, që aspiron Europën e zhvilluar.

E RREGULLON ILIRI KETE PUNE.