Buka shkakton debate në kuvend

Edona Llukacaj

Ashpërsimet e Kodit Penal për çështjet e sigurisë ushqimore dhe ato të mjedisit kanë shkaktuar debate mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të sapofutur në kuvend.

Deputët e rinj kërkuan që Ministria e Bujqësisë  të lejojë vetëm një standard të proteinës për importin dhe prodhimin e miellit, prej 12.5%. Ata nuk e shohin  të nevojshme që standardi i proteinës në miell të jetë  12.5% për miellin e bukës dhe vetëm 8% për miellin e ëmbëlsirave, çka e bën të thjeshtë  transportin e miellit me përqindje të ulët proteine në pikat kufitare.

Deputeti Halit Valteri tha: “Unë them hajde ta bëjmë normën të njëjtë dhe të merremi me traun në doganë, ta kapim që aty. Po na vrisni ngadalë se nuk e dimë çfarë po hamë, të paktën ta bëjmë te buka”.

Ish-ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, që tashmë ka postin e kryetarit të komisionit të veprimtarive prodhuese, tha se te çështja e bukës nuk duhet të ketë tolerancë, sidomos te niveli i proteinës, pasi është i vetmi parametër që kërkon ligji për prodhuesit.

“Franca ka 30 parametra, ne kemi vetëm këtë dhe duhet të jemi fanatikë të paktën te proteina. Dihet që po u rritën parametrat rritet çmimi dhe është sensitive”.

Përfaqësuesit e bizneseve kërkuan që Kuvendi të jetë më i qartë në ndryshimet që po bën në Kodin Penal dhe të ndëshkojë veprat që bëhen me dashje dhe jo ato për shkak të neglizhencës, siç është harresa e një produkti, që i ka kaluar data e skadencës në raft apo një gabim teknologjik i makinerive.

Një grup deputetësh të mazhorancës kanë kërkuar ashpërsimin e Kodit Penal për çështjet e sigurisë ushqimore duke tentuar për herë të parë në ligj vendosjen e masave penale me burg për ata që falsifikojnë, mashtrojnë e abuzojnë me konsumatorin.

Ndryshimet e tjera në kod lidhen me çështje të mjedisit, mjekësisë dhe qarkullimit rrugor, por që ky projekt-ligj të kalojë në Kuvend duhet 3/5 e votave, pra edhe bashkëpunimi i deputetëve të rinj.

Burimi: Klan

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *