Bukuroshja e Durrësit

DITA Online

Është mozaiku më i vjetër i zbuluar në Shqipëri deri më sot. Ky mozaik i përket shekullit IV para Krishtit dhe është i punuar me gurë zalli shumëngjyrësh.

Ai ka vlera të rralla dhe shquhet për hijeshinë e figurës dhe mjeshtërinë e realizimit artistik. Mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” u zbulua për herë të parë në vitin 1916, kur një grup ushtarakësh austriakë, mes të cilëve edhe arkeologu Camillo Prashnicher, zbuluan gjatë hapjes së një transheje 150 metra larg qendrës së sotme të qytetit një shtresë mozaiku, e cila u quajt një “kryevepër figurative e artit”.

Por mozaiku i mrekullueshëm me emrin “Bukuroshja e Durrësit” është bërë i njohur në të gjithë botën shkencore vetëm në vitin 1959. Këmbëngulja e arkeologut të shquar Vangjel Toçi risolli në dritë rreth 50 vjet më parë një nga veprat më të shquara të lashtësisë. Toçi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga arkeologët austriakë në fillim të shekullit XX lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit.

Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra, diametrin e vogël 3 metra dhe zë një sipërfaqe afro 9 metra katrorë. Në qendër të mozaikut është figura e një gruaje të re me një qëndrim monumental, flokë të verdha, baluket e vogla i rrinë si kurore dhe mbi to dallon një diademë në formë spirale me ngjyrë të zezë.

Punimi i veçantë dhe shumë delikat, sidomos fytyra engjëllore e gruas, e ka bërë këtë mozaik shumë të famshëm, duke e kthyer në një nga simbolet e qytetit tonë. Nëpërmjet linjave të zeza dhe gri evidentohen qartë konturet e hundës, mjekrës, syve dhe gojës.

Mozaiku ka një punim tepër të veçantë: është ndërtuar me gurë të vegjël zalli natyral shumëngjyrësh të vendosur mbi një shtresë llaçi dhe është një nga shembujt më të vjetër të kësaj mënyre të të bërit art, zbuluar deri në kohën tonë.

Ky mozaik ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

v.l/Dita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *