Nga Ilirjan GJIKA
Strumi është një nga njësitë administrative të Bashkisë Roskovec, i cili ndodhet buzë rrugës nacionale Fier-Berat, pikërisht atje ku fusha e “Myzeqesë shkrihet me kodrat e buta të Mallakastrës. I njohur për kishën e Shën Gjergjit dhe afresket e rralla të saj, si dhe njerëzit punëtorë, ai ka qenë gjithmonë i pandarë nga bashkëjetesa me Roskovecin dhe një grup fshatrash përreth. Ndërkohë, Strumi, është i përmendur edhe për rrugën Egnatia, traseja e së cilës kalonte në të si dhe për legjendën e famshme të “Bukuroshes’’ së tij, e cila na vjen e gjallë nga thellësia e kohës.
***
Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1983, grupi artistik i Fierit, paraqiti në repertorin e tij edhe këngën “Bukuroshja e Strumit”. E kënduar nga dy këngëtarë të njohur të folkut myzeqar, ajo fitoi edhe medaljen e bronztë në këtë festival. Kështu pasi u transmetua nëpërmjet valëve të TVSH-së, ajo u bë e njohur për të gjithë publikun artdashës shqiptar, i cili mësoi se Strumi i Fierit, dikur na kish pasur edhe një ‘’vajzë të bukur’’ për historinë e dhimbshme të së cilës ishin thurur vargje dhe krijuar këngë. Pikërisht kënga e ‘’Bukuroshes së Strumit’’ mbart në vetvete një histori të rrallë dhe të papërsëritshme pavarësisht se ajo nuk është më krijimi autentik. Nga ngjarja ka mbetur e paprekur vetëm legjenda e cila në gjithë zonën e Roskovecit tregohet edhe sot. Ndërsa kënga rilindi vetëm në vitet e komunizmit ku protagonisti i saj u bë në mënyrë rastësore vetë Enver Hoxha.

Në Shqipërinë e kohës së komunizmit njihej shumë mirë fakti se, Enver Hoxhës, i pëlqente shumë muzika popullore. Gjithkush që i ka jetuar ato vite e mban mend shumë mirë shprehjen e tij të famshme se “nuk këndon bilbili në kafaz”. Dhe bëhej fjalë për një ndodhi ku një këngëtari të njohur që ishte dënuar penalisht dhe Radio Tirana nuk i transmetonte më këngët e kënduara prej tij. Një gjë e tillë nuk i kishte shpëtuar vëmendjes së Enver Hoxhës që ishte dëgjues i apasionuar i tyre. Për këtë qëllim një ditë ai i pyeti vartësit, se përse nuk ndodhte një gjë e tillë. Përgjigja që mori ishte se këngëtari ndodhej në burg për disa arësye dhe se ky ishte shkaku.
Ndërkohë tregohej se Hoxha kishte qeshur dhe me humor kish thënë shprehjen e famshme, e cila edhe sot qarkullon në formë anektode: Po nxireni mo, s’ka bërë ndonjë gjë të madhe, se “nuk këndon bilbili në kafaz”. Dhe “bilbilin”, d.m.th. këngëtarin e liruan, sepse këngët e tij i pëlqente i pari i udhëheqjes. Dhe kështu, duke ju rikthyer ngjarjes sonë mund të themi se aty nga fillimi i viteve 1980-të, Enver Hoxha ishte ndodhur si i ftuar në njërin prej kongreseve të rinisë që organizohej në Tiranë. Kujtesën e tij e kishte ngacmuar prezantimi që ai kish bërë në podium me njërin prej delegatëve të këtij forumi. Sipas ngjarjes së treguar nga shkrimtari dhe publicisti Mystehak Xhemali dhe të botuar në gazetën Roskoveci, (Bukuroshja e Strumit-Historia e një kënge), në një nga seancat e kongresit, Hoxhës, i kishte pëlqyer drejtimi i saj nga i riu në fjalë dhe e kishte pyetur se nga ishte me origjinë.
-Nga Strumi i Fierit, i ishte përgjigjur ai dhe më pas kishte vijuar një bisedë e shkurtër gjatë së cilës Enver Hoxha i kishte treguar dikur i kishte pëlqyer shumë kënga e ‘’Bukuroshes së Strumit’’. Më pas ai kishte vijuar tregimin se “në të ri kam fjetur një natë në Strum dhe më kujtohet kënga, por tani fjalët i kam harruar”….
I riu delegat kishte ngritur supet sepse nuk e kishte ndeshur këtë këngë dhe rreth kësaj ngjarje kishte raportuar menjëherë në zyrat e Komitetit të Partisë në Fier, duke shprehur shqetësimin për merakun e shokut Enver.
Kështu vijoi historia, ku Sekretarja e Parë e Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit kishte thirrur vartësit i kishte dhënë porosinë që kënga të gjendej dhe të vihej menjëherë në skenë. Ndërkohë problemi nuk ishte kaq i thjeshtë, se nga vëzhgimet në terren doli se në Strum, Roskovec apo në Fier nuk ekzistonte më një këngë i tillë. Dhe pasi ekspeditat kulturore nuk patën sukses në gjetjen e këngës u sajua këngë e re enkas për këtë qëllim, e cila pasi kaloi në duart e specialistëve u paraqit në Festivalin Folklorik Kombëtar si një krijim i mirëfilltë.
Për këtë Mystehak Xhemali thekson se: ‘’Kënga “Bukuroshja e Strumit” u paraqit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1983. Fshati Strum nuk ka lumë dhe atëherë kur u sajua kjo këngë u justifikua si një prove se “kjo bukuroshe’’ vertetë ishte nga Strumi, por ishte e martuar në Suk, fshat buzë lumit të Semanit, kufi me Strumin. Në fakt në Strum ka patur kënetë që shtrihej mes fshatrave Strum, Matkë e Zogëz. Por “Bukuroshja” nuk ka lidhje me kënetën. Ajo ka lidhje me lumin edhe nga një veshtrim metaforik: një vajze e bukur nuk mund të vendosej në një sfond kënetor. Kjo do të ishte fyese edhe për ish diktatorin. Për këtë arsye atëherë kur u sajua kjo këngë u tregua mjaft kujdes për të mos patur pasoja. Kjo eshte e verteta. Por ne kishim aq përvojë sa të mbulonim atë që nuk e zbulonim dot, pra e sajonin vetë, vijon në shkrimin e tij Mystehak Xhemali, ish drejtues i kulturës në atë kohë në Fier. Nuk ishte shaka që të vihej në dyshim ajo që kish thënë me gojën e tij Enver Hoxha. Më vonë këtë motiv e shfrytëzoi piktori Pandeli Lena, i cili në një tablo e paraqiste “Bukuroshen e Strumit” me shumë finesë e delikatesë, veshur me kostumin popullor të zonës, duke ecur këmbëzbathur e në majë të gishtërinjve buzë lumit, me një shami të hollë, që i valëvitej mbi supe, përfundon Mystehak Xhemali tregimin e tij (Gazeta Roskoveci, nr 5, viti 2011).
Ndërkohë që kjo ngjarje ka edhe sfondin e saj historik sepse protagonisti kryesor Enver Hoxha ka lënë dëshmi të shkruara rreth saj. Kështu në librin e tij “Vite të Vegjëlisë”, ai, midis të tjerave shkruan se: “Xhaxhai këndonte mirë, sidomos kur u plak. Kur i thosha xhaxhait t’ia merrte njëherë shtruar pranë oxhakut, ai me zor kandisej, por qejfin nuk ma prishte dhe ja fillonte herë labçe-gjirokastritçe, herë myzeqarçe. Plaku e donte edhe këngën myzeqare, që më pëlqen edhe mua shumë. Më kujtohet (dhe sa keq më vjen tash që nuk kam pasur atëherë magnetofon tja regjistroja) se plakut i pëlqente një këngë myzeqare, fjalët e së cilës ishin pak a shumë këto”.
O thëllëz e malit
Me llërë përveshur
Me shtëmba në duar
Ti shkoje buzë lumit
Ngreje ca shaminë
Moj Shën Mëri e Strumit… (E. Hoxha, 1983: 156-157).
Por ajo që shpreh Enver Hoxha që këngën e kishte dëgjuar në rininë e tij është mëse e vërtetë. Këtë ai e pohon po tek i njëjti libër në kapitullin “Udhëtim me Fluturudhë”, ku në në faqet 203-212 shkruan: “Një vit, nuk e mbaj mend mirë datën, por ishte akoma në kohën kur vazhdoja mësimet në Liceun e Gjirokastrës, dajkoja më ftoi të bëja pushimet në Fier, ku ai rrinte me gjithë fëmijë… Një mbrëmje tek po bisedonim në dyqan dajkoja me Sotirin, ky i fundit i tha:
-Shyqyri, ta marr edhe Enverin nesër në Roskovec?
-Merre, i tha dajkoja.
Unë u hodha përpjetë nga gëzimi. Do të veja në Roskovec! Seç ishte Roskoveci, as që dija gjë, por nuk më zuri gjumi atë natë dhe në mëngjes herët erdhi Sotiri me një qerre… Sotiri më mori edhe një herë tjetër, vajtëm në një fshat më duket në Marinëz, ku bashkë edhe me kushëririn dhe shokun tim të vegjëlisë, Sado Gamin morëm pjesë në dasmën e djalit të xha Janit, që më duket e quanin Joti….Unë rrija në një sofër me Sotirin dhe bëja eeeee, kur dasmorët këndonin. Që atëhere më pëlqeu dhe më pëlqen shumë kënga dhe vallja myzeqare”.
Dhe Joti që përmend Enver Hoxha nuk është vese këngëtari i shquar myzeqar nga Marinza: Joti Prifti. Ai së bashku me një tjetër këngëtar të njohur popullor LLazi Spiron e kanë kënduar këngën e famshme, vargjet e sotme të së cilës janë:
Më shkove tek burimi
U hodhe në vah.
Fol moj bukuroshe e Strumit
Me shtëmba në krah.
Moj thëllëzë e malit
Me llërë përveshur.
Dil të shoh njëherë me sy
Gocë moj ngrije ca shaminë.
Të shoh bukurinë,
Fol njëherë me gojë,
Moj bukuroshe e Strumit.
Një fakt të tillë na e dëshmon edhe studiuesi Kostandin Boçova në librin e tij kushtuar këngëtarit myzeqar Llazi Spiro-Shënpjetra, të titulluar “Bilbili i Myzeqesë” (K. Boçova, 1998: 106-107). Që kënga mund të jetë dëgjuar edhe nga ‘’Xhaxhai’’ (Enver Hoxha me termin xhaxha i drejtohej të atit) sepse historia e ‘’Bukuroshes’’ lidhej me një oficer shqiptar me origjinë nga Gjirokastra që shërbente në ushtrinë turke. Ja seç shkruan Boçova lidhur me këtë fakt: ‘’Për gojëdhënën e kësaj nuk i dihet se cila është e vërteta. Por një alternativë është, se ajo ka qenë realisht një vajzë e bukur, e rrëmbyer prej një oficeri nga Libohova e Gjirokastrës. Çasti i parë i takimit ishte tek burimi në Strum, aty rreth viteve 1850’’ (po aty: 106-107).
Ka shumë gjasa që Halil Hoxha ta këtë dëgjuar këtë këngë për ta kënduar vetë më pas, në vitet 1920-30, kur sazet e Përmetit frekuentonin rregullisht në turnetë e tyre qytetet e Jugut të Shqipërisë. Pasi e kanë dëgjuar në Fier këtë këngë ato e kanë bërë pjesë të repertorit të tyre duke e kënduar ndoshta edhe në Gjirokastër. Kështu Enver Hoxhës ajo i ishte ngulitur thellë në memorje e kënduar në ambientet e shtëpisë së tij në Gjirokastër dhe në Marinëz të Fierit.
***
Kjo është pikënisja e kësaj historie e cila pavarësisht zhvillimeve dhe politikës së kohës krijoi një këngë të re, e cila tashmë është futur në fondin e artë të këngës popullore. Sipas specialistëve të fushës “Bukuroshja e Strumit” është një këngë tipike myzeqare me të gjitha elementet artistike të kësaj gjinie. Ajo ka një shtrirje melodike të madhe dhe me amplitudë të gjerë, saqë këngëtari që e këndon duhet të jetë i sprovuar nga pikëpamja teknike dhe vokale. E konsideruar si një perlë artistike ajo është më e ndërtuar artistikisht edhe se këngët qytetare fierake. Kjo dëshmon faktin e mësipërm se ajo nuk është krijim popullor, por u krijua enkas për Enver Hoxhën dhe se ata që e kompozuan ishin mjeshtrat më të mirë të fushës. Megjithatë këto gjëra sot nuk kanë shumë peshë. E rëndësishme është të themi se ajo është shndërruar në sintezë të këngës myzeqare, sepse vërtet e pati nxitjen nga “lart” dhe u krijua për udhëheqjen, por nuk teksti i saj nuk pati politizime. Gjithsesi legjenda u shoqërua edhe me disa vepra të artit figurativ. Do të ishte fillimisht piktori Pandeli Lena që kompozoi i pari në artet figurative tablonë ‘’Bukuroshja e Strumit’’, pikturë që gjendet sot në ambientet e Galerisë së Arteve ‘’Vilson Kilica’’ Fier. Ndërsa më pas në 24 gusht të vitit 2016, Bashkia Roskovec, përuroi shtatoren e titulluar ‘’Vajza Myzeqare’’ vepër e skulptorit të njohur Ilmi Kasëmi. E bazuar në motivet folklorike të legjendës së ‘’Bukuroshes së Strumit’’ dhe e vendosur mbi një piedastal pozant në hyrje të qytetit të Roskovecit, ajo shërben sot edhe si simbol i legjendës urbane të kësaj treve.

Ky shkrim është shumë i dobët, pa nivel dhe mjaft kontradiktor. Kjo tregon se kush janë histirianet tanë të pa aftë, që fshehën, fallsifikuan dhe varrosën historinë tonë të lavdidhme edhe të krahinës se Myzeqese.
Turp, shumë turp historian analfabet.
Merru me diçka tjeter zotri dhe lere Elena Kicaqin të merret me këtë pune.