Në galeritë e minierës së Bulqizës çdo ditë punohet pa asnjë masë sigurie për të fituar bukën e gojës. Askush nuk pyet për ta, për jetët e tyre, për atë minierë ku fitohen miliona në kurriz të luftës për të mbijetuar, për bukën e gojës… Punëtorët e kësaj miniere pranojnë të luajnë me rrezikun për jetën, pasi është e vetmja mundësi për të fituar bukën e gojës… Administratorët e pronarët e kësaj miniere që u siguron të ardhura marramendëse duket sikur nuk jetojnë në të njëjtin realitet me ne, një jetë e humbur për ta duket të jetë bërë tashmë rutinë për të mos u shqetësuar aspak…loja me pushtetin, lidhjet e ngushta me të dhe aferat korruptive duket qartë se kanë triumfuar mbi nevojën për të jetuar.
Shteti ynë tashmë ka pranuar që “kjo gjëja, me emrin pak siguri për jetën” që ne e kërkojmë si të drejtë nuk mund të llogaritet, gjithçka duket se ecën mirë për pushtetin dhe klanet e tyre në kurriz të jetëve të atyre që duhet të pranojnë të luftojnë me vdekjen vetëm për kafshatën e gojës, për të mbijetuar…. Pushteti dhe qeveria janë të pafajshëm sigurisht, ata nuk mund ta lënë planin për llogaritjen e votave, për karriget që do të sigurojnë nga zgjedhjet e ardhshme, për të bërë diçka që të ketë më pak viktima në këtë vend tashmë të njohur për punën e vazhdueshme në kushte mjerimi që vazhdon të marrë jetë, dhe ironikisht, me një sarkazëm që dhemb, pranojmë atë që shohim çdo ditë, jetë që shuhen dhe ikin pa u vënë re…
Rjepje mitike nga mafiozë të pangopur
Në krom ka mbi 20 vjet që nuk kryhen punime gjeologjike për të rritur rezervat e tij. Janë shfrytëzuar e po shfrytëzohen ato çka janë zbuluar dikur. Dhe rezervat po shterin!
Në krom ka mbi 20 vjet që nuk po ndërtohen punimet e mëdha kapitale të programuara dikur dhe po shfrytëzohen rezervat e hapura dikur! Dhe rezervat e hapura po shterin!
Niveli i prodhimit të kromit ka rënë me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të njerëzve që kanë leje shfrytëzimi për të mbajtur në këmbë këtë degë të rëndësishme të ekonomisë tonë.
Sheti jep leje, merr rentën dhe konsideron të vetin kromin, por nuk bën asnjë punë të zgjerojë zonat dhe të shtojë rezervat e mineralit të kromit!
Për shtetin Bulqiza është në Durrës, jo në Bulqizë
Bulqiza, ku dikur nuk trembej as lepuri, sot jeton në ankthin e krimit. Vrasjet, tritoli, kërcënimet, ultimatumet e kan kthyer atë në një Sicili të dytë. Mafja këtu është ulur këmbëkryq.
Në Tiranë firmosen leje mafiozësh, që nuk e dinë nga bje Bulqiza, ndërsa ata që rropaten shpateve të mali për të mbledhur krom stoqeve të vjetra luftojnë vetëm për bukën e gojës. Ata grumbullojnë krom, të cilin ua blejnë xhaba, për një kothere bukë. Jo vetëm mafiozët nuk e dinë nga bje Bulqiza, por as shteti nuk e di. Për shtetin Bulqiza është në Durrës, aty ku kromi ngarkohet në anije dhe merret renta. Aty bëhet evidenca e prodhimit dhe e shitjes së kromit! Çka ngjet ne Bulqize nuk prek xhepin e shtetit! Eshte punë e atyre që janë aty, le të vrasin veten!
Kromi
Një mineral shumë i kërkuar në industritë e çelikut dhe të prodhimit të makinave, pasi forcon hekurin në shkrirje dhe është kundër ndryshkut. Formohet në thellësi si shkëmb dhe lëviz për në sipërfaqe të dheut. Nxirret në pak vende dhe kërkohet shumë nga tregu. Nga makutëria e shitësve, përfitojnë blerësit në çmime që pësojnë rënie thuajse çdo tre vjet e ringrihen sërish. Vendi ynë është krenuar me kromin, i cili ka qenë shpëtim ekzistencial për zonat ku nxirrej, në luftë për mbijetesë të njerëzisë, por dhe burim fitimesh të larta për ata që drejtojnë tregtimin dhe shitjen.
Çudia
Paradoksalisht, megjithëse Bulqiza “fle mbi flori”, është zona më e varfër në Shqipëri, një geto e vërtetë, ku vërehen të gjitha këqiat e atyre zonave dhe vendeve ku sundon Mafja.
Kromi, në vend t’i bënte njerëzit të pasur, i ka lënë në një varfëri ekstreme dhe me plagë të tmerrshme sociale, vrasje e hasmëri. Infrastruktura është në mjerim. Ka mbi 12 vjet që ka filluar rruga e Arbrit dhe është ndërtuar vetëm segmenti nga Ura e Qytetit në Qafën e Buallit. Njerëzit luftojnë për jetën me jetë në zonat e kromit!…
Miniera e Kromit ”Todo Manço”
Miniera më e rëndësishme e kromit në Shqipëri, në rrethin e Dibrës, që jepte sasi të mëdha prodhimi dhe me cilësi të lartë deri në 42-46 % oksid kromi. Vendburimi është më i madhi i vendit. Trupi i kromit i rrudhosur dhe i ndarë në blloqe nga tektonika shkëputëse, ndodhet brenda shkëmbinjve ultrabazikë, kryesisht peridotite dhe është i mbështjellë nga një këmishë duniti. Vendburimi u diktua nga një gjurmues popullor më 1940. Punimet e para u kryen nga një shoqëri koncesionare italiane, që u detyrua të ndërprese punimet nga veprimet luftarake të njësive partizane. Pas Çlirimit me 18.2.1948 u ngrit miniera dhe filloi nxjerrja e kromit. Pas krijimit të shërëbimit gjeologjik në vitet ’50, u zgjeruan punimet e kërkimit, u zbuluan rezerva të konsiderueshme dhe nxjerrja e xeheroreve të kromit u shtua me ritme të larta. Në fillim u zbatua sistemi i shfrytëzimit me mbushje në pjesën e trupit xeheror afër sipërfaqes, duke përdorur galeri të shkurtra. Më vonë u hapën traverbanke e galeri me gjatësi 2-3 km, puse vertikale 200-500 m të thella dhe përdorej gjerësisht sistemi i shfrytëzimit me galeri nënkati. Miniera kishte shkallë të lartë mekanizimi, përdoreshin makina të rënda si elektrotërheqës 3-7 t, makina ngritëse vetëngarkuese etj. Ndihmonte edhe minierat e reja me punëtorë të kualifikuar e specialistë të mjaft profileve.
