Trajneri i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaki, ka habitur jo pak në koferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme kundër Ukrainës.
Ai nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që “Dardanët” të mundin skuadrën e vendit të katërt në grup, por që ende ka shanse për dy vendet e para që të shkojë në “Rusi 2018” dhe këto shanse vijnë pikërisht nga Kosova, që në letër quhet një ndeshje e fituar.
Bunjaki e tha këtë seriozisht, në ndeshjen e tij të parafundit në drejtim të Kosovës, diçka që ka bërë përshtypje edhe në kampin e miqve.
“Ndeshjet e kaluara kanë treguar se mund të kemi paraqitje të mira. Pres lojë më ndryshe nga ajo që patëm zhvilluar në Poloni.
Shpresoj ta befasojmë Ukrainën, edhe pse është favorite për ta fituar ndeshjen.
Ne jemi ndeshur njëherë me ta dhe jemi mundur, por pres që kjo të jetë një ndeshje më ndryshe, duke pasur parasysh peshën, rendësinë që ka kjo sfidë për Ukrainën”, – deklaroi Albert Bunjaki.
Ndeshja mes Kosovës dhe Ukrainës do të zhvillohet nesër në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 20:45.
