Në kohën Gjykata e Tiranës linte në burg, njërin nga grupi i 4 ushtarakëve që u kap me lëndë plasëse C4, në dëshmitë e tyre ata pretentonin se eksplozivin e përdornin për t’ua shitur pronarëve të guroreve. Nën masa të rrepta sigurie togat e zeza të Tiranës lanë në burg ish-ushtarakun Pëllumb Daci, njeriun që mbante gradën major, ish-zëvendëskomndant pranë Forcave të Armatosura. Sakaq, 3 të tjerët do ta marrin të hënën masën e arrestit.
Dëshmitë dhe hetimet
Ilir Dhimo, ushtarak, specialist i forcave xheniere shpjegoi kapjen e rreth 1 kuintal C4 në shtëpinë e tij, duke e justifikuar me faktin që sipas tij kjo lëndë plasëse blihej nga pronarët e guroreve. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe Emil Taku dhe Artur Çelo, kurse personi që u la dje në burg, Pëllumb Daci tha se kishte në pronësi një grurore në zonën e Krujës dhe se lënda plasëse i nevojitej për punë atje. Prokuroria i akuzon për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit në sasi të mëdha”, në bashkëpunim. Nga hetimet është mësuar se Emild Taku, ka qenë efektiv i Batalionit të Transportit në repartin pranë Urës së Beshirit. Ilir Dhimo, njeriu të cilit iu kapën 86 kg në shtëpi, afër shkollës “Hasan Prishtina”, ishte kapiten në sektorin e asgjësimit të municioneve të Ushtrisë. Artur Çelo ishte kapterr, kurse Daci major. Ata thanë para prokurorëve se tërheqja e lëndës plasëse nga Ushtria u krye sipas të gjitha rregullave në fuqi, por prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore pretendojnë se pas nënshkrimit për asgjësim, lënda plasëse C4 hidhej në treg me rreth 1000 euro për kg. Policia e Tiranës ka kërkuar bashkëpunimin e Forcave të Armatosura, për mekanizmin e vjedhjes së eksplozivëve të shumtë që iu sekuestruan katër të arrestuarve. Një hetim nga komisariati nr 2 i Policisë së Tiranës, në lidhje me një plagosje, mundësoi gjetjen e gjurmët të grupit që dyshohet se në 3 vitet e fundit të ketë shitur mbi 100 kilogramë eksploziv. Kjo lëndë plasëse u sekuestrua më 19 maj në Tiranë, në rrugën “Sadik Petrela”, ku u kapën 4 persona dhe disa të tjerë, pra blerësit mundën të arratiseshin.
