Burgjet e Hondurasit nën dominimin e të burgosurve

anazapta

Prej kohësh burgjet në shtetin e vogël të Amerikës Qendrore janë nën kontrollin e vetë të burgosurve që shpërfillin plotësisht autoritetet shtetërore. Shpesh “koordinatorët” e zgjedhur për të organizuar jetën aty brenda i përkasin bandave kriminale. Së fundi presidenti i vendit ka dërguar ushtrinë për të rimarrë kontrollin

 

Hondurasi, republika e vogël amerikanoqendrore, renditet si shteti i dytë më i varfër i Amerikave dhe një ndër të parët në botë për nivelin e dhunës dhe kriminalitetit të lidhur kryesisht me trafikun e kokainës.

Kush përfundon në burgjet e Hondurasit nuk i nënshtrohet ligjeve të shtetit, por atyre të imponuara nga vetë të burgosurit. Sipas një raporti të Komisionit interamerikan të të Drejtave të Njeriut, në të 24 burgjet e vendit janë vetë të burgosurit që organizohen midis tyre, duke zgjedhur të ashtuquajturit “koordinatorë”(pjesë e bandave kriminale) që përcaktojnë rregullat aty brenda dhe vendosin sanksionet.

Roje të pafuqishme

Sipas raportit, personeli i burgut nuk ka ndërhyrë për të frenuar këtë fenomen dhe shumë nga sanksionet e përcaktuara nga “koordinatorët” kanë ndodhur nën vëzhgimin e rojeve. Komisioni e përshkroi sistemin e burgjeve si “çnjerëzor dhe të korruptuar”. Të drejtat e të burgosurve dhunohen në mënyrë të përsëritur. Sistemi i kontrollit është aq i paaftë, sa ata mund të arratisen në çdo moment nëse vetëm vendosin ta bëjnë. Ky problem u vu në dukje kryesisht në burgun e San Pedro Sulas.

Sipas qeverisë, aktualisht janë 12.263 persona të mbyllur në burgjet e Hondurasit, ndërkohë që kapaciteti i përgjithshëm i tyre është për 8.120 persona. Mbipopullimi i bashkangjitet faktit që magjistratura po punon me ritme të ngadalta: gjysma e të burgosurve janë ende në pritje të gjykimit.

Sikur të mos mjaftonte korrupsioni brenda burgjeve, personeli nuk është i trajnuar mjaftueshëm dhe përfundon gjithnjë duke zbatuar kërkesat e të “fortëve” atje brenda. Autoritetet i lejojnë këta që të çojnë përpara trafiqet e tyre nëse kjo rezulton fitimprurëse për të gjitha palët.

Ndërhyrje e vonuar

Drejtuesit e vendit kanë dërguar ushtrinë që të rivendosë kontrollin në burgun më të madh të vendit, të pozicionuar në kryeqytetin Tegucigalpa. “Ka ardhur koha që t’i jepet fund dominimit të kriminalitetit nëpër burgje”, deklaroi presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo. Ai urdhëroi që pjesa më e madhe e tyre të kontrollohen nga trupat e ushtrisë , pasi gjatë një revolte të ditëve të fundit vdiqën 3 pjesëtarë të një bande dhe u plagosën 12 të tjerë, midis të cilëve tre roje sigurie. Përleshjet shpërthyen kur anëtarë të bandës “Barrio 18” u ndeshën me të burgosur të tjerë në burgun ku vuajnë dënimin rreth 3.351 persona. “Shpërthyen granata për t’u mbrojtur nga të burgosur të tjerë”, tha për mediat drejtori i burgut.

Vendimi i Lobos erdhi pasi Komisioni mbi të drejtat e njeriut publikoi raportin ku nënvizohej se shteti është dorëhequr nga roli i rehabilitimit të kriminelëve. Hetimi i Komisionit nisi qëkur një zjarr ra vitin e kaluar në burgun Comayagua dhe i mori jetën 361 të burgosurve. Sipas tij, autoritetet ishin të njohura që nga viti 2004 me rrezikshmërinë e lartë në raste zjarresh, por askush nuk mori masa në lidhje me këtë problem./D.Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *