Sektori i minierave po i nënshtrohet një disiplinimi të fortë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë deri tani mësohet se janë propozuar per revokim 150 leje minerare, ndërkohë që janë marrë 85 masa administrative me gjobë ndaj subjekteve që operojnë në këtë sektor. Burime zyrtare të ministrisë bëjnë të ditur se aktualisht, është në proçes krijimi i një portali të Shoqërive të liçensuara i cili do të japë informacion të përditësuar mbi mbajtësit e liçensave, kushtet, dhe nëpërmjet një harte dixhitale ndërvepruese, do të paraqesë liçensat të dhëna në çdo zonë dhe zonat e lira. Me anë të tij do të përsosen praktikat e deritanishme dhe do të rritet transparenca. Sipas ministrisë, për mungese fondesh ne vitin 2013 nuk përfundoi kontrolli i subjekteve minerare, ndërsa vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2014 janë kryer kontrolle konform ligjit minerar, pa përjashtim për të gjitha subjektet dhe pranë çdo subjekti janë lënë aktet e konstatimit. Deri në fund të vitit 2013 janë vjelë të gjitha garancitë e rehabilitimit të vitit 2011 dhe 2012 dhe janë duke u vjelë ato të periudhës 2013 – 2014. Raporti 2011 i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse bën të ditur se shoqëritë raportuan aktivitetin e tyre për 461 leje minerare nga 673. Aktiviteti prodhues i raportuar nga të licensuarit tek AKBN për vitin 2011 arriti në shumën 217.5 milionë dollarë. Bazuar në të dhënat e publikuara nga AKBN prodhimi i kromit në 2011 kishte një vlerë prej 143 milionë dollarë. Bulqiza kontribuoi me rreth 70% të prodhimit total të kromit, vlerësuar në shumën 100 milionë dollarë. Kromi kontribuoi me 66% të vlerës totale të mineraleve të prodhuara. Nikeli nxirret më shumë në formën e hekur-nikelit dhe nikel silikatit, në Elbasan, Pogradec dhe Librazhd. Prodhimi në vitin 2011 u gjenerua nga shoqëri minerare me shkallë të vogël dhe të mesme aktiviteti. Në vitin 2011 disa të licencuar që mblidhin prodhimin e nikelit nga shoqëritë e vogla dhe të mesme. Një numër i madh shoqërish të vogla vepronin ne nxjerrjen e guriëve gëlqeror dhe materialeve të tjera të ndërtimit në vend.