Burimi i përbashkët dhe rrugët e veçanta të filozofisë, artit dhe shkencës

Leda Hysa

Dr. Nelson R. Çabej

I. Në fillimet e jetës shpirtërore

Lindja e mitit dhe besimit

Kërshëria për të njohur natyrën, veten e tij dhe shoqërinë njerëzore është e lashtë sa vetë njeriu.

Ajo lindi bashke me të, sapo ai doli nga bota e kafshëve, në përpjekjen e tij për ta njohur, shfrytëzuar dhe shndruar natyrën në dobi të tij. Në këtë përpjekje lindi dija njerëzore fillestare në formën e tërësisë së njohurive rreth sendeve dhe dukurive që ai zbulonte në mënyrë shqisore. Ato njohuri nuk ishin të sistematizuara në format që njohim sot, por lindën si një strukturë njohëse irracionale në evolucion e rritje të vazhdueshme, prej së cilës do të diferencoheshin me vonë si struktura të veçanta e të dallueshme nga njera tjetra, filozofia, arti dhe shkenca, në format e tyre fillestare.

Nga kjo përpjekje fillestare për të njohur botën lindi forma e parë e më e hershme e besimit të njeriut, animizmi, besimi se jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët e bimët, si dhe sendet jo të gjalla (guri, shkëmbi, mali, lumi, etj.) ishin “me shpirt”. Ky animizëm, me kohë, mori formën e totemizmit, që nënkupton një lidhje të veçantë shpirtërore të një bashkësijë njerëzore, fis a popull, me një kafshë a bimë, që konsiderohej si mbrojtëse e tij. Kjo ndodhi në atë kohë kur popujt filluan të ngulen në vëndbanime të përhershme dhe të mireshin me bujqësi. Kjo ilustrohet bukur nga emrat e shumë fiseve të lashta ilire që rridhnin nga emrat ilirë të këtyre kafshëve: delmatët nga fjala dele, taulantët nga dallandushe, enkelejtë nga ngjala, dardanët nga dardha, lopsi nga lopë, parthinët nga mbiemri i bardhë, etj.

Ndjenja e pasigurisë, në kushtet e vartësisë thuajse të plotë nga rrethina e bëri njeriun të hamendësonte se shumë gjëra, duke përfshirë qënësinë e tij, vareshin nga diçka e gjithëfuqishme dhe nënshtruese që ishte jashtë tij dhe natyrshëm ngjallte frikë dhe adhurim. Kjo shënoi lindjen e besimit antropomorf, besimit në ekzistencën e qënieve mbinatyrore. Ai kërkoi të gjente format për t’iu drejtuar kësaj qënie sunduese të padukshme por të gjithëfuqishme, kërkoi të gjente mënyra se si mund t’i lutej atij ta ndihmonte për të kapërcyer vështirësitë që i dilnin në çdo hap të jetës. Gjuha e parë që ai krijoi për të vendosur lidhje personale me këtë qënie mbinatyrore ishte magjia. Në këtë kuptim magjia ishte një zgjatim dhe fuqizim i forcës së vullnetit njerëzor, duke fituar ndihmën e qënieve hyjnore të gjithëfuqishme ose edhe të entiteteve fantastike si shpirtrat e të parëve, demonët, lugetërit, etj.

Kështu lindën mitet e para mbi natyrën, shoqërinë dhe forcat misterioze prapa dukurive natyrore e shoqërore, andaj me Jungun ende mund të pranohet se mitet përfaqësojnë një dukuri psikike të pavetëdijes kolektive. Se sa gjithësor dhe i vetvetishëm ishte ky besim fillestar, kjo ndjenjë e brendshme e njeriut, duket nga studimet që tregojnë se edhe në kulturat më primitive të epokës së gurit që u krijuan në kushtet e izolimit fillestar të bashkësive njerëzore si ato të ujdhesave të veçuara të Australisë, Zelandës së re, etj., temat mitologjike janë aq të ngjashme në formë e në funksion.

Miti përjashton argumentin, sepse ai rrjedh nga frymëzimi hyjnor që mishëron të vërtetën, andaj është vetëshpjegues. Miti është thirrje e kujtesës historike drejtuar anëtarëve të shoqërisë. Në një kohë të mëvonëshme të evolucionit të tij, miti mori funksionin e transmetimit në breza të historisë së fisit e të popullit në forma të koduara, shpesh të frymëzuara nga jeta shoqërore (kujto mitin e bijve dhe bijave të Ilirit, nga emrat e të cilëve dolën emrat e fiseve ilire të autariatëve, dasaretëve, dardanëve, etj.). Ai shënon fillimin, që në atë epokë të hershme, të traditës gojore në formën e poemave që përshkruajnë prejardhjen dhe luftrat e popullit në një formë të veçantë artistike, ku elementët mitikë ndërthurren me faktet historike në mënyra që shpesh është vështirë të ndahen qartë nga njeri tjetri. Nga epoka e mërgimeve indo-europiane modele të qarta të kësaj tradite gojore na kanë arritur nga lashtësia indiane në formën e katër poemave të shënjta, Veda (dituria), poemat me të lashta që kanë arritur deri ne ditët tona, si dhe Iliadës dhe Odisesë.

Elementë të veçantë të asaj poezije janë ruajtur edhe në emrat e lashtë ilirë, gjermanikë, italikë e sllavë, madje dhe në poemat e ndryshme nordike, kelte dhe në Ciklin e Kreshnikëve të Shqipërisë së Veriut. Nga lashtësia duket se në mitologjinë shqiptare janë ruajtur deri në ditët tona tre fosile mitologjike të përsosura të këtij stadi fillestar të zhvillimit të idesë që krijuan ilirët dhe paraardhësit e tyre joindoeuropianë rreth prejardhjes së botës dhe njerëzimit. Këto kanë arritur deri te ne në formën e tre miteve të famshëm shqiptarë, të regjistruara nga studiuesi gjerman Johan Georg von Hahn (1811-1869) (von Hahn, J.G. (1864). Griechische und albanische Märchen. Ë. Engelmann, Leipzig, 1864, f. 144-145 dhe f. 318)

Në mitin e parë, që von Hahn e mblodhi në rrethin e Elbasanit, Zoti krijoi çiftin e parë të njerëzve, por në procesin e krijimit mori pjesë edhe Djalli, të cilit nuk i pëlqeu modeli i njeriut që krijoi Zoti dhe Zoti e lejoi edhe atë të krijonte vetë diçka të mirë që përfundoi me krijimin e nje modeli të ujkut. Por, kur Zoti i tha atij t’i jepte jetë ujkut, Djalli nuk mundi, dhe Zoti me një të goditur me shkop i dha jetë modelit dhe e urdhroi ujkun: “Krijesë, haje krijuesin tënd!”.

Kështu, ujku hangri Djallin. Më vonë nga kjo në shqip doli edhe shprehja “Haje ujk e plase Shën-Mëhill” (von Hahn, J.G. (1854). Albanesische Studien. Mauko, Leipzig, f. 165.). Mësimi moral I mishëruar në këtë mit është se kjo botë e krijuar nga Zoti nuk është e nuk mund të jetë e drejtë, sepse ndonëse djalli u zhduk, krijesa e tij ujku, si personifikim i së keqes në përgjithësi, mbeti pjesë e botës sonë. Kështu, miti shpjegonte edhe shkakun e pranisë dhe përjetësisë të së keqes botën tonë të krijuar nga Zoti i mirë e i gjithëfuqishëm, shpjegim që nuk do të mund ta jepnin fetë e mëvonshme monoteiste (judaizmi, krishterimi dhe islami). Me përhapjen e krishterimit mitit iu vesh edhe nje petk tjetër fetar në mitin e dytë të mbledhur nga von Hahn-i, po në Elbasan.

Në atë mit, ashtu si në mitin nordik të ujkut Fenrir, Zoti e ka lidhur ujkun me zinxhirë (figura 1) në një shkëmb dhe një herë në vit, kur ujku është duke këputur vargonjtë, në mëngjesin së dielës së Pashkës vjen Shpëtimtari që e lidh ujkun me zinxhirë të rinj dhe e shpëton njerëzimin prej tij (von Hahn, J.G. (1864). Griechische und albanessche Märchen. Zëeiter Teil. Ë. Engelman, Leipzig. f. 144-146.).

 

Figura 1. Ilustrim i ujkut mitologjik i lidhur me vargonj nga forcat e së mirës.

Në mitin shqiptar të krijimit të botës janë përfshirë elemente që nuk mund t’i pranonte ndonjë filozofi, por ideja e së mirës (zotit) dhe e së keqes (djallit), që zhvillohet në atë mit përbën bërthamën e etikës që u zhvillua si pjesë e filozofisë së lashtë greke, ndonëse personifikimet mitologjike të së mirës e të keqes u zëvëndësuan me shpegime të bazuara në realitetin e njohur shoqëror. Në mitin shqiptar për tërmetin (“tërmekun”) mbledhur nga Maximilian Lambertz (1882-1963) (Lambertz, M. (1922). Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen

Volkskunde. Alfred Hölder, Ëien, f. 161) thuhet se shkaku i tërmeteve është një dem që mundohet të heqë rruzullin tokësor që mban mbi kurriz.

Në ciklin e kreshnikëve gjejmë gjurmë të ideologjisë tre-pjesëshe (trifunksionalizmi dymezilian) indoeuropiane ku vendi i klasës së shënjtorëve është rezervuar për figura mitologjike (zanat dhe orët që këshillojnë dhe mbrojnë klasën e luftëtarëve dhe shtresën e prodhuesve që natyrisht del e reduktuar në atë cikël).

Në materialet arkeologjike nga trojet e Ballkanit perëndimor, që do të ilirizoheshin nga fundi I mijëvjeçarit të tretë e fillimi i mijëvjeçarit të dytë, janë gjetur një sërë simbolesh që tregojnë se banorët e atyre trojeve mund të kenë arritur deri në atë shkallë të zhvillimit shpirtëror që karakterizohet nga shpjegimi mitik i botës dhe dukurive natyrore.

Lindja e artit: burimet e artit prehistorik

Vijat zig-zage dhe të kryqëzuara zbulohen shumë herët në evolucionin e species Homo, por ato janë karakterizuar si “krijime” fiziologjike, ende larg krijimit artistik që mbështetet në përfytyrimin dhe lidhet me një stad më të evoluuar të strukturave nervore që i lejuan njeriut ndërtimin e veglave, gjuetinë dhe më vonë krijimtarinë protoartistike dhe artistike si shprehje e përvojës subjektive të krijuesit. Krijimtaria artistike dy-përmasore (vizatim-pikturë) dhe tripërmasore (skulpturë e reliev) e paleolitikut, epokës së vjetër të gurit, kishte sigurisht një kuptim simbolik, magjik ose totemik, por ka arsye të besohet se ajo kishte dhe një funksion estetik për të kënaqur shijet jo vetëm të krijuesit por edhe të shikuesit. Kjo do të thotë se qysh në paleolitikun e vonë njeriu ishte ky i sotmi përsa i përket neuroanatomisë, proceseve mendore, përfytyruese dhe simboluese, edhe pse i prapambetur nga pikëpamja kulturore (Morriss-Kay, G.M. 2010. The evolution of human artistic creativity. J. Anat. 216, 158–176.)

Duke lënë mënjanë elemente të shkëputur të krijimtarisë primitive (ngjyrosja e trupit, përdorimi ruazave, latimi i drurit, prodhimi i veglave prej guri, etj.), si forma të hershme të veprimtarisë krijuese që pranohet përgjithësisht të përfaqësojnë krijime të vërteta artistike të njeriut, nisin vetëm duke filluar nga Paleolitiku i Vonë me pikturat shkëmbore që paraqesin skena natyralistike gjuetije ose nga bota e kafshëve të gjetura në shpellën CroMagnon dhe vizatimet e rinocerontëve (figura 2) në shpellën e Aurignac në jug të Francës, datuar 35 mijë vjet me pare dhe me Venusin e Hohler Fels-it, një figurinë në një shpellë (Hohler Fels) në juglindje të Gjermanisë, datuar 35-40 mijë vjet më parë e që besohet të jetë paraqitja e parë artistike e formës njerëzore (figura 3). Të shumtën e herës, ato janë parë respektivisht si elemente magjikë për gjueti të mbarë dhe riprodhim të shëndetshëm.

Figura 2. Vizatim me qymyr druri i rinocerontëve në shpellën Chauvet, France, datuar rreth

35,000 vjet më parë.

Figura 3. Venusi i Hohler Fels-it, prej fildish mamuthi, me organe seksuale të hipertrofizuara si simbol dhe ogur riprodhimit të mbarë. Gjetja e një fyelli 35 mijëvjeçar me vrimat në largësi të tilla që të japin pentatonin, të bërë nga

dhëmbët e një mamuthi (figura 4), tregon se sa herët njeriu iu fut artit të muzikës dhe krijimit të veglave muzikore të bazuara në njohuritë elementare akustike dhe teknologjike.

Figura 4. Një fyell fildishi prej dhëmbi mamuthi me tri vrima, 18 cm i gjatë, i gjetur në shpellën

(Hohle Fels) afër Ulm-it në Gjermani. Objekte të tjera të këtyre llojeve, që i takojnë kohëve më të vona, janë gjetur edhe në vende të tjera të Europës, nga Siujdhesa Iberike deri ne Ballkan. Figurina e hibridit njeri-luan (figura 5) dëshmon jo vetëm një mjeshtëri të pabesueshme teknike dhe artistike për Kohën e Gurit, por edhe mendohet se tregon se që në atë kohë njerëzit e Europës kishin krijuar mitologjinë dhe mund të kenë praktikuar shamanizmin ose magji për të shëruar sëmundjet.

Figura 5. Figurinë e njeriut luan (Löëenmensch) me trup njeriu dhe me kokën e një luani europian të shpellave. Kjo është skulptura më e vjetër e njohur deri më sot e datuar në mënyrë të besueshme 40 mijë vjet para erës sonë (42 mijë vjet më parë). Ajo është gdhëndur në fildish

mamuthi dhe është 31 cm e lartë.

Këto dhe shumë shëmbuj të krijimtarisë parahistorike na habisin me nivelin pabeueshmërisht të

lartë të shprehjes artistike të njeriut primitiv që shumëkush do t’i mirrte si prova të pakohësisë së

artit.

Nga rajonet e sotme shqiptare, në këtë grup bën pjesë edhe një figurinë “Venusi” me simbolet e

ariut, e një perëndeshe dhe e zogut, që është gjetur në rrethinat e Prishtinës (figura 6) dhe e

krijuar rreth 9 mijë vjet më parë.

Figura 6. Një figurinë e gjetur në rrethinat e Prtishtinës që i takon kulturës Vinça (Vinča) me

simbole ose shënja piktografike që luanin rolin e një shkrimi fillestar. Në interpretimin e Toby D.

Griffen (Griffen, T.B. (2007). Deciphering the Vinca script.

Internet: http://ëëë.fanad.net/vincascript.pdf. Nxjerrë më 19 shkurt, 2016.), ajo figurinë

përmban kokën ose maskën e një ariu dhe shënjat poshtë-djathtas shikuesit nga e majta në të

djathtë tregojnë përkatësisht ariun, perëndeshën dhe zogun.

Shumë figurina të tjera të gjetura në Ballkanin perëndimir i takojnë Mesolitikut, që këtu shtrihet

midis 10 mijë e 15 mijë vjet më parë.

Me fillimin e neolitikut ndodhi jo vetëm një rafinim i artit paleolitik por arti mori edhe një

funksion zbukurues në tempuj, poçeri, e në vazo dhe figura e njeriut zuri vendin qëndror në artin

neolitik, në dallim nga roli mbizotërues që patën kafshët në artin e Paleolitikut të Vonë. Në

epokën e Eneolitikut e të bronxit u zhvillua edhe arti zbukurues dy-përmasor në armët dhe arti

tre-përmasor i figurinave prej bronxi. Arti neolitik gjeti zhvillimin dhe përdorimin më të madh

me kalimin nga animizmi në fenë politeiste.

Nga bota ilire kemi trashëguar një numër mjaft të madh monumentesh, që dëshmojnë për

shkallën dhe stadet e zhvillimit të artit ilir. Perenditë ilire na dalin në shumë monumente e

skulptura si shfaqje të një arti primitiv që, më vonë, u ndikua dhe nga arti grek, etrusk e romak.

  1. Degëzimi i dijes primitive

Lindja e traditës gojore

Gjurmët më të lashta të traditës gojore indoeuropiane janë gjetur nga krahasimi i teksteve të

poemave të lashta indiane (vedat), greke (poemat e Homerit) dhe iraniane (korpusi teksteve

Avestane-Zoroastriane). Nga ato tekste del se në himnet e tyre proto-indoeuropianët i

drejtoheshin perëndisë së cilës i kërkohej ndihmë e nganjëherë dy perëndive së bashku.

Përmëndja e emrit të perëndisë rëndom shoqërohej me mbiquajtje dhe fraza lavdërimi. Lëvdatat

përfshijnë virtute të ndryshme të perëndisë e, mbi të gjitha, fuqinë e saj, simbolizuar zakonisht

nga lëshimi i rrufeve, por edhe rolin e domosdoshëm të saj për të arritur fitoren a qëllimin.

Pastaj në himne jepet një listë e gjatë e bëmave të mëparshme të asaj perëndije. Në himnet indoiraniane dhe greke lutja zotit i drejtohet me foljen nje reflex të rrënjës protoindoeuropiane *klu

“Dëgjomë/dëgjona”, që të kujton menjëherë thirrjen që del aq shpesh në mbishkrimet iliromesape “Klaohi Zis”- “Më dëgjo Zot” dhe vazhdon me nevojën për të cilën i lutet perëndisë.

Tradita gojore konsiderohet anonime ndonëse edhe ajo ka pasur krijuesit dhe modifikuesit e saj.

Ajo ka ndikuar thellësisht në letërsinë artistike siç shihet në poemat homerike që ndikuan

fuqishëm zhvillimin e letërsisë klasike greke e më tej.

Në fillimet e komunikimit shoqëror njeriu, veç gjuhës, filloi të përdorë edhe piktogramat,

simbole grafike të ngjashme në formë me objektet natyrore. Në territoret e Ballkanit, duke

përfshirë trojet e ardhshme ilire, piktogramat janë përdorur qysh rreth 8 mijë vjet më parë, që nga

mijëvjeçari VII p.e.s. Ekspertët mendojnë se ato piktograma nuk përfaqësojnë “shkrim”, por

mund të klasifikohen vetëm si një lloj “parashkrimi” (pre-ëriting) ose një hap i parë në rrugën e

krijimit të shkrimit të vërtetë në Mesopotami e në Egjipt vetëm rreth 5 mijë vjet më parë, nga

fundi i mijëvjeçarit IV p.e.s. Ato janë konsideruar edhe si një formë arti edhe si gjuhë shënjash.

Disa piktograma të Ballkanit perëndimor, sipas disa arkeologëve përfaqësojnë edhe hyjni, gjë që

flet për ekzistencën e një jete shpirtërore në Ballkanin paraindoeuropian.

Të vetmet vizatime shkëmbore të gjetura në Shqipëri deri sot janë ato të shpellës së Lepenicës

(figura 7), që datohen gjatë eneolitikut rreth 5 mijë vjet më parë. Ndër to dallohen jo vetëm

motive gjeometrike por dhe antropomorfe. Ç’kanë dashur të thonë me atë mesazh të parët tanë

mbetet ende një engmë dhe ende nuk ka patur përpjekje serioze për deshifrimin e kuptimeve të

tyre simbolike, një detyrë që mbetet matanë kufirit të së mundëshmes.

Figura 7. Piktogramat e shpellës së Lepenicës në rrethin e Vlorës.

Librat e parë që njihen të jenë shkruar nga një autor i përkasin një gruaje-princeshë sumere (nga

rajoni i Irakut jugor të sotëm), Enheduanna (2285-2250 para erës sonë), e cila njihet si autorja

dhe poetesha e parë e botës. Librat e saj janë kryesisht himne, poezi, lutje dhe psallme kushtuar

perëndeshës Inanna dhe perëndisë së hënës Nanna.

Nga miti te filozofia

Fillimisht, siç tregon vetë emri, filozofia ose dashuria për dijen [nga Gr. φίλος (phílos) “që

dashuron” dhe σοφία (sophía) “dituri”], përfshinte tërë përvojën, format e dijes dhe botëkuptimin

e njohjen njerëzore në përgjithësi. Për shkak të karakterit të saj mistik e spekulativ, dija e

shoqërive primitive parahistorike u zhvillua si një degë filozofike e mendimit. Ndonëse doktrinat

e para filozofike lindën në Indi dhe Kinë, filozofia në kuptimin e sotëm lindi në Greqinë e lashtë.

Filozofia si një degë e dijes lindi sapo njeriu nisi përpjekjen e tij për të njohur thelbin e jetës dhe

botës që e rrethonte, ndërmori hapin e shkëputjes përfundimtare nga idetë dhe konceptet

mitologjike që zhvilloi fillimisht për të njëjtin qëllim, duke mbështetur vetëm në arsyen dhe

logjikën që e shpunë në kërkimin e shkaqeve natyrore. Dhe fakti që Sokrati, Platoni dhe filozofë

të tjerë racionalistë përdorën mitet nuk tregon se filozofia e tyre mbeshtetej në mite; ata i

përdorën mitet, shpesh edhe të modifikuara, vetëm për të ilustruar idetë e tyre në mungesë të të

dhënave shkencore. Ata i përdorën mitet vetëm si mjete për të provuar konceptet e tyre.

Por edhe pse filozofia u shkëput aq herët nga miti, fryma mitologjike vazhdoi të mbizotëronte në

tërë fushat e jetës kulturore të Greqisë së lashtë; ajo ishte në bazën e mentalitetit dhe

botëkuptimit grek, por gradualisht brënda strukturës së mitologjisë së lashtë lindën elementë

racionalë që transformuan strukturën emocionale mitologjike të kulturës së kohës, të cilat shpunë

në lindjen e filozofisë dhe shkëputjen e saj prej mitologjisë si një degë e veçantë e dijes. Ka

shumë të gjarë, p.sh., që embrionet e filozofisë të kenë nisur në një mitologji e krijimit në të cilën

popuj të ndryshëm shpjeguan në mënyrë mitologjike prejardhjen e botës.

Feja dhe mitologjia

Ndërsa filozofia ndërpreu lidhjet me mitin e mitologjinë që në lashtësinë klasike, fetë politeiste

dhe monoteiste (judaizmi, krishterimi dhe islami) vazhduan të kenë në bazën e tyre mitet dhe

mitologjitë që lidhen me themelimin e tyre. Më vonë, gjatë Mesjetës, teologët e krishterë dhe

islamikë janë përpjekur që konceptin revelacional të profetëve mbi Zotin ta mbështesin edhe me

argumente teleologjike, kozmologjike dhe ontologjike, duke krijuar rrymat e njohura të

teologjive natyrore. Argumenti teleologjik, që është përdorur nga teologët arabë e të krishterë (e

më parë edhe nga filozofët e lashtë grekë) synon të provojë se ekzistenca e Zotit mund të

deduktohet nga vrojtimi se bota është regulluar sipas një plani që nënkupton edhe një krijues të

planit. Argumenti kozmologjik mbështetet në demonstrimin e lidhjeve shkakësore të tërë

sendeve dhe dukurive, të cilat lidhje nuk mundtë shpjegohen deri në fund, deri në shkakun e parë

të lëvizjes që vihet re në Gjithësi, pa pranuar ekzistencën e një qënieje që i dha shtytjen e parë.

Argumentet ontologjike përpiqen të provojnë ekzistencën e zotit në arsyen njerëzore sepse

krijimi dhe ekzistenca e botës nuk mund të përfytyrohet pa një qënie eprore të përsosur. Kështu,

në fetë e sotme monoteiste, krahas teologjisë revelacionale, u zhvillua edhe drejtimi, end më pak

popullor, i teologjisë natyrore.

Fetë monoteiste duket sikur u shkëputën nga magjia primitive, por ato ruajtën thelbin e vërtetë të

magjisë që është të drejtuarit ndaj forcave të mbinatyrshme për ndihmë. Magjia dhe feja kanë të

përbashkët ritualin, renditjen e caktuar të veprimeve dhe gjesteve dhe teknikave me të cilat u

drejtohen forcave të mbinatyrshme. Por mbi të gjitha magjia dhe feja monoteiste kanë të

përbashkët misticizmin, përpjekjen për të zbuluar gjatë të falurit atë që është e fshehtë, e

mjegulluar dhe sekret në jetën e përditshme të njerëzve. Magjia, ndryshe nga feja vepron në nivel

individual e jo në nivelin e bashkësisë, ndryshim që u përcaktua kryesisht nga një fazë më e lartë

e zhvillimit shoqëror dhe strukturës së shoqërisë me lindjen e feve monoteiste. Ndërsa magjia në

çdo rast mbështetet në lidhjen individuale të drejtpërdrejtë të magjistarit me forcat e

mbinatyrshme, besimtarit monoteist ndonjëherë mund të ketë nevojë për një ndërmjetës që të

bëjë të dëgjohet lutja e tij.

Shkëputja e shkencës nga filozofia

Shkenca lindi në gjirin e filozofisë e si pjesë e saj. Sokrati dhe Platoni studiuan njeriun,

mendimin, vetëdijen dhe sjelljen e tij, ndërsa Aristoteli ktheu shikimin edhe nga bota materiale

që e rrethonte duke u mbështetur kryesisht në një metodë racionale-introspektive, pa u përpjekur

t’i verifikonin idetë, spekullimet dhe konceptet e tyre në mënyrë empirike. Shkëputja graduale e

matematikës, fizikës, mjekësisë dhe biologjisë si degë të pavarura të dijes, e lehtësoi barrën në

rritje të dijes në filozofi dhe bëri të mundur diferencimin e brendshëm të saj në fusha të

specializuara të studimit që shënuan lindjen e ontologjisë, si studim i qënies, logjikës,

epistemologjisë ose teorisë së njohjes, etikës, etj.

Për një kohë të gjatë filozofia dhe shkenca u zhvilluan së bashku në kuptimin e një filozofije të

natyrës (philosophia naturalis). Vetëm me Rilindjen europiane shkenca u shkëput përfundimisht

nga filozofia, duke zhvilluar metodën e saj të veçantë të studimit, metodën shkencore propozuar

nga Francis Bacon (1561-1626), në shekullin XVII, që vinte në themel të studimit të natyrës

induksionin, vrojtimin e të veçantave për të mundur të zbuloheshin dhe kuptoheshin ligjet e

natyrës dhe kompleksiteti i dukurive natyrore. Në përputhje me konceptin kartezian (René

Descartes – 1596-1650) të dyzimit mendje-trup, në shekullin XVII, gradualisht u zhvillua

“filozofia e natyrës” dhe filozofia morale, që sot njihen përkatësisht si shkencat e natyrës dhe

shkencat shoqërore. Kështu, shkencat e natyrës, fizika, kimia, biologjia dhe degët e aplikuara të

tyre (inxhinieri, mjekësi, dhe shkencat e tokës) kaluan nga metoda racionale-introspektive në

studimin sistematik të natyrës, mbështetur në ngritjen e hipotezave shkencore dhe verifikimin e

tyre eksperimental, duke evoluar nga dije përshkruese në dije shkakësore-eksperimentale,

metodë që shpuri në zbulimin e një sërë ligjeve, parimeve dhe dukurive shkencore.

Shkenca studion objektet dhe dukuritë natyrore bazuar në metodën shkencore dhe kërkimin

shkencor duke u mbështetur fare pak në zbulimet e rastësishme. Ajo shkon drejt zbulimeve të

reja nëpërmjet përdorimit të metodës shkencore: duke ngritur hipoteza, të cilat i vërteton ose

hedh poshtë eksperimentalisht dhe mbi bazën e zbulimeve të arritura ngre rishtas hipoteza për

zbulimin e dukurive ose objekteve të reja në rrugën e pafundme të njohjes njerëzore. Kjo bën që

teoritë e krijuara në shkencë sado udhëhapëse dhe të sakta të jenë, vjen një kohë kur ato nuk

mund të shpjegojnë dukuri dhe objekte të reja të panjohura më parë duke përgatitur kështu

revolucione të reja në shkencë (Kuhn, T.S. 1996. The Structure of Scientific Revolutions. 3rd ed.

The University of Chicago Press, Chicago and London.). Është kjo pafundësi e së vërtetës

shkencore që e bën filozofinë përplotësuese dhe bashkëvepruese të përjetshme me shkencën.

Baza e njohjes njerëzore është njohja empirike që përftohet nëpërmjet perceptimit shqisor. Por

perceptimi shqisor nuk është vetë njohja sepse njohja lind nga përdorimi i arsyes që bën të

mundur zbulimin e lidhjeve shkakësore midis objektit në studim me sende me të cilat ai

bashkëvepron, një bashkëveprim në të cilin shfaqen vetitë e çdo objekti. Në këtë proces mendor

lind njohja empirike. Këtu del roli i filozofisë që kërkon të shpjegojë botën, të gjejë të vërtetat e

përgjithshme të saj me përdorimin e arsyetimit induktiv dhe deduktiv në studimin e përvojës

njerëzore.

Filozofia i parapriu shkencës the ndonëse ato sot kanë ndarë qëllimin, objektin dhe metodat e

studimit ato bashkëveprojnë për krijimin e tabllove realiste të natyrës dhe shoqërisë dhe

interpretimin e dukurive dhe ligjeve natyrore. Në kohën tonë një fushë e përbashkët dhe shumë

produktive e kërkimit për filozofinë e për shkencë është ajo që njihet si shkencë kognitive që

merret me studimin e proceseve mendore te njeriu.

Funksion shoqëror i shkencës dhe artit

Kërkimi shkencor në të gjitha nivelet e tij synon jo vetëm zbulimin e së vërtetës por ka dhe një

qëllim utilitar, t’i shërbejë rritjes së prodhimit ose mirëqënies së njeriut. Në fund të fundit, këtë

qëllim ka edhe kërkimi fundamental ose i ashtuquajturi “kërkim për hir të zbulimit”. Nga ana e

tij, arti ka funksion edukativ e hedonistic, për të krijuar të bukurën dhe për të kënaqur shijet

estetike të njeriut.

Funksionet magjike të artit fillestar të shoqërive primitive tregojnë lidhjen e ngushtë të magjisë

dhe besimit fetar me artin figurativ, me pikturën, skulpturën, muzikën dhe vallen. Por, a ka arti

funksion njohës?

Njohja njerëzore në kuptimin e mirëfilltë si process i njohjes së natyrës dhe shoqërisë nëpërmjet

përvojës shqisore dhe proceseve mendore, po ashtu si dhe zbulimi i së vërtetës rreth natyrës,

shoqërisë dhe të vetë njeriut janë funksione përjashtimore të shkencës. Kjo nuk nënkupton aspak

mohimin e së vërtetës së një lloji tjetër që njihet si e vërteta artistike që na jepet në forma që edhe

kur janë qartazi jo realiste tingëllojnë të vërteta. Në një farë kuptimi e vërteta shkencore dhe e

vërteta artistike mund të shihen si pjesë të një të vërtete të vetme gjithësore.

Shkenca synon dhe arrin të na japë të vërtetën objektive mbi sendet e veçanta të natyrës dhe

shkakësinë e dukurive natyrore e shoqërore në formën e ligjeve të natyrës, të evolucionit të saj e

të shoqërisë njerëzore, të cilat ne nuk mund t’i ndryshojmë, ndërsa arti mëton të japë një të

vërtetë alternative, shpirtërore por reale, dhe në këtë kuptim i afrohet besimit.

Në format e tij specifike arti mund të pasqyrojë natyrën e shoqërinë jo vetëm ashtu siç janë, por

edhe ashtu siç i percepton artisti ose siç do ai që të jenë. Ai mund luaj një rol të

pazëvendësueshëm në mobilizimin e energjive shpirtërore dhe orientimin e tyre në drejtime të

caktuara si patriotike, ideologjike, në luftë për demokraci, paqe, ose edhe drejtime të kundërta.

Këtë e bën me anën e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe monumenteve të heronjve

luftëtarëve e figurave të historisë kombëtare dhe në fushën fetare në formën e ikonave, muraleve,

skulpturave e pikturave të shënjtoreve dhe të ngjarjeve të shënjta. Funksioni shoqëror i artit është

pasqyruar edhe në arkitekturën e çdo kohe të historisë së njerëzimit. Lidhjet e shkencës me artin

janë mishëruar e kanë ardhur duke u forcuar në arkitekturë, në kinematografi, fotografi artistike,

në median audiovizuale, etj.

Si i komunikohet shoqërisë krijimi shkencor dhe artistik

Arti dhe shkenca ngjajnë edhe përsa i përket procesit dhe praktikës së komunikimit të krijimit

ose të zbulimit.

Demokratizimi i shkencës kërkon që ajo t’ia komunikojë shoqërisë zbulimet dhe zhvillimet e reja

në mënyrë logjike dhe të kuptueshme në disa nivele që, në një renditje kohore, janë niveli

shkencor, niveli didaktik dhe ai popullarizues.

Arti gjithashtu u komunikohet artistëve, amatorëve të artit dhe artdashësve në përgjithësi, në

gjini të tilla si piktura dhe skulptura, të cilat ngacmojnë mendimin nëpërmjet formave artistike

vizuale që komunikojnë jo vetëm përmbajtjen, por edhe idetë e mishëruara pas formave kurse

letërsia, si forma më demokratike e krijimtarisë artistike përqafohet nga një masë e gjerë

lexuesish, të cilët gjejnë të pasqyruar në të aspekte të ndryshme të jetës.

Mënyra rigorozisht e qartë e komunikimit shkencor, përgjithësisht nuk lë shteg për interpretime

të gabuara (duke përjashtuar rastet kur kjo mund të bëhet për motive politike e propagandistike,

që nuk kanë të bëjnë me shkencën). Ndryshe nga mënyra deklarative e hapët e komunikimit të

zbulimeve shkencore dhe të rezultateve të kërkimit shkencor në përgjithësi, vepra letrare,

përmbajtja dhe forma e paraqitjes së saj, lë vetë lexuesin ose shikuesin të kuptojë, sipas formimit

dhe perspektivës së tij, idetë, mesazhet dhe botëkuptimin e autorit. Mesazhi artistik dhe e vërteta

artistike nuk jepet në formë deklaratash të dejtpërdrejta, por nënkuptohet nga ngjarjet që

përshkruhen, nga veprimet, qëndrimet e personazheve si dhe nga qëndrimi emocional i autorit.

Veprat e artit, duke përfshirë letërsinë artistike, mbartin në mënyrë të pashmangshme qëndrimet

etike, ideologjike, politike, etj. të autorit, të cilat shpien në pasqyrimin e drejtë ose të gabuar të

ngjarjeve të pasqyruara.

Botimi i një zbulimi shkencor shumë herë e mbyll historinë e zbulimit. Kështu ka ndodhur me

zbulimin e ligjeve të Neëton-it, me ligjet e trashëgimisë, me relativitetin special, me strukturën e

ADNsë, etj. Përkundrazi, në art një rrugë e re shpesh bëhet shtrat për një rrymë të tërë artistike

në të cilën kontribuojnë artistë të shumtë. Kështu, piktorët e parë impresionistë të Parisit të mesit

të viteve 70-të të shekullit XIX i hapën rrugën dhe u dhanë modelet e krijimit një brezi të tërë

piktorësh jo vetëm në Francë por anembanë botës.

III Në botën e krijimit shkencor dhe artistik

Procesi krijues në shkencë e në art

Karakteri kumulativ i njohjes shkencore bën që zbulimi shkencor të jetë i parashikueshëm dhe i

pritshëm, në kuptimin që, duke qënë vazhdim i zhvillimit të mëparshëm (kujto Neëton-in që

thoshte se kishte parë më larg se sa të tjerët sepse kishte qëndruar mbi supet e gjigandëve), ai

vjen në mënyrë të pashmangshme në një stad të caktuar të zhvillimit të shkencës. Shkencëtari

zakonisht niset të gjejë zgjidhjen e një problemi a shpjegimin e një dukurije duke shfrytëzuar

njohuritë ekzistuese të grumbuluara me kohë. Kështu, kërkimi shkencor është i drejtuar nga

qëllimi. Kur kërkuesi ia mbanëdel themi se rezultati i kërkimit ishte jo vetëm i pritur, por edhe i

parashikuar. Por kërkimi shkencor shumë herë e shpie dijetarin në zbulime të paparashikuara, që

ndodhin në rrugën e kërkimit të diçkaje tjetër. Edhe artkrijuesi rëndom nis punën me një qëllim

të përcaktuar në vija të përgjithëshme. Por rezultati i punës së tij nuk mund të parashikohet në

hollësi sepse ai varet edhe nga rastësitë e rrugës së degëzuar të krijimit artistik.

Zbulimi shkencor dhe njohja shkencore, duke qënë objektive janë ideologjikisht e politikisht

neutrale, andaj të vërtetat shkencore janë të vërteta gjithësore. Njutoni dhe Darëini, mekanika

kuantike dhe biologjia molekulare janë studiuar dhe vlerësuar njëlloj në të gjitha sistemet

politike që ka provuar bota gjatë dy shekujve të fundit. Përkundrazi, subjektiviteti i

pashmangshëm i veprës artistike, bën që vlerësimi dhe mënyra e kuptimit të saj të varet nga

formimi intelektual dhe botëkuptimi i shikuesit/lexuesit të veprës artistike.

Procesi i kërkimit shkencor shpie në rezultate të parashikueshme ose të pritshme. Për të ilustruar

këtë mjafton të kujtojmë zbulimin e parashikuar të elementëve të rinj në tabelën periodike të

elementëve kimikë ose zbulimin e planetit Neptun prej devijimeve të orbitës së Uranit në

shekullin XIX, zbulimin e ADNsë nga mesi i viteve 50-të të shekullit të kaluar pas zbulimit të

raporteve sasiore midis bazave azotike në atë molekulë. Në këtë kuptim edhe zbulimet më

gjeniale në fushën e shkences janë të pritshme dhe të tëra ato janë rezultat një i një modeli të

përgjithshëm të tipit provë-e-gabim, në një proces në të cilin hipoteza që ngrihet për të shpjeguar

një dukuri i nënshtrohet kritikës teorike ose vërtetimit eksperimental, pas të cilit ajo vlerësohet si

e vërtetë ose hidhet poshtë.

Zbulimi shkencor mund të “kuantifikohet” në bazë të përparimit që ai shënon në njohjen

shkencore, dhe shtytjes që mund t’u japë kërkimeve të mëtejshme në vazhdim të zbulimit ose

dhe në drejtime të tjera. Shumë herë ndodh që zbulimi shkencor të mos kuptohet ose vlerësohet e

shpesh edhe mund të hidhet poshtë si i pavërtetë. Nganjëherë kjo është rrjedhim i përgatitjes së

pamjaftueshme të opinionit shkencor të kohës, që është një mënyrë tjetër për të thënë se ishte

zbulim i parakohshëm. Si shëmbuj tipikë të zbulimeve “të parakohshme” mund të përmënden

zbulimi i ligjeve të trashëgimisë nga Gregor Mendeli (1822-1884), që mbeti në haresë për 35

vjet, derisa u rizbulua vetëm pas vdekjes së tij në vitin 1900, njëkohësisht nga tre biologë në

Hollandë, Gjermani dhe Austri. Fat të ngjashëm pati edhe teoria e pllakave tektonike të formimit

të kontinenteve të Alfred L. Ëegener-it (1880-1930), që u njoh dhe u pranua vetëm pas vdekjes

së autorit dhe 5 dekada pas zbulimit, etj.

Edhe krijimi artistik mund të mos gjejë vlerësimin e merituar në kohën e tij për shkak të

subjektivitetit të lartë të veprës artistike. Kjo ndodhi me Johann Sebastian Bach-un (1685-1750)

në muzikë që u vlerësua në shkallën e merituar më shumë se dy shekuj pas vdekjes dhe me një

gjeni si Vincent Ë. van Gogh-u (1853–1890), pikturat e të cilit nuk u vlerësuan siç duhej në të

gjallë të tij.

Procesi i krijimit në shkencë shpie në zbulime që edhe kur mund të jenë emocionuese, madje

mahnitëse, nuk mbeten të tilla përgjithënjë; objektiviteti i zbulimit shkencor është “i ftohtë”, i

zhveshur nga subjektiviteti ngjitës dhe mban më pak vulën dhe identitetin e zbuluesit, siç e mban

vepra e artit. Krijimi artistik ka subjektivitet të lartë, në kuptimin që në të mishërohet bota

shpirtërore e krijuesit në forma vizuale, auditive dhe letrare estetikisht dhe emocionalisht të

sofistikuara, bazuar në perceptimin që ai ka për botën.

Mbi të vërtetën shkencore dhe të vërtetën artistike

Shkenca është në kërkim të së vërtetës objektive që na jepet si informacion shkencor përmes

shqisave, dhe koncepteve që krijon truri njerëzor nga përpunimi i atij informacioni. Kjo e vërtetë

zbulohet nëpërmjet vrojtimit shqisor dhe nëpërmjet hipotezave që janë konstruksione teorike të

bazuara në vrojtime ose të dhëna eksperimentale për vërtetimin e të cilave shkencëtarët ngrënë

eksperimente, që vërtetojnë ose e hedhin poshtë hipotezat. Natyrisht, në kohën tonë shkenca ka

monopolin e së vërtetës mbi sendet dhe dukuritë e natyrës e të shoqërisë.

Shkenca kërkon të gjejë të vërtetën që fshihet nën formën dhe sipërfaqen e sendeve dhe

dukurive, të vërtetën që fshihet pas misterit dhe duke zbuluar të vërtetën e ligjin natyror

demistifikon të panjohurën kurse arti mundohet që nëpërmjet formave artistike ta paraqesë dhe ta

komunikojë të vërtetën në mënyrë subjektive, ashtu siç e percepton artisti. Për këtë arsye, që nga

Aristoteli e këtej është folur e flitet edhe për një të vërtetë artistike me të cilën jo gjithkush

kupton të njëjtën gjë. E vërteta në art nuk zëvëndëson të vërtetën shkencore sepse ka një kuptim

të ndryshëm prej saj. Ajo lidhet me gjuhën e veçantë të komunikimit që lejon pasqyrimin artistik

të realitetit. Në veprën letrare e vërteta artistike nuk gjëndet thjesht në paraqitjen realiste të

objekteve, njerëzve ose fakteve, por del edhe përtej asaj, duke zbuluar ndjenjën dhe emocionet

njerëzore që shkakton e vërteta.

Të vërtetën historike rreth veprës dhe jetës së Skenderbeut, natyrisht me kufizimet e përcaktuara

nga metodologjia historike kohës e gjejmë te Barleti, kurse te Historia e Skënderbeut e Naim

Frashërit gjejmë një alternativë të së vërtetës historike, në të cilën faktet e të dhënat historike

humbasin vlerën e tyre dokumentare për hir të krijimit të një të vërtete të ndryshme, emocionale

dhe estetike. Në letërsinë artistike nuk mund të mësohet historia dhe e vërteta historike por vetëm

thelbi racional dhe morali i saj, që jepen në forma që nxisin emocione positive te lexuesi.

E vërteta në art mund të jepet në forma artistike që lënë vënd për interpretime të ndryshme, që

mund të jenë të ndryshme edhe nga të vetë autorit, në përputhje me mentalitetin dhe formimin

artistik e estetik të shikuesit ose lexuesit. E njëjta vepër arti mund të nënkuptojë gjëra të

ndryshme për njerëz të ndryshëm. E vërteta në art është kontekstuale, d.m.th. ajo shpreh të

vërtetën artistike ashtu siç konceptohej ajo në kohën e krijimit. Shqyrtimi i një vepre artistike

jashtë kohës kur u krijua, mund të shpjerë në interpretimin e gabuar të ideve që ka dashur të

shprehë autori. E vërteta artistike është një e vërtetë alternative, që i shërben artistit si një kanal

komunikimi nëpërmjet të cilit ai transmeton te lexuesi idetë, botëkuptimin dhe frymëzimin e tij.

E vërteta në një vepër artistike nuk ka lidhje me të vërtetën historike, gjeografike, etj. Shkrimtari

jo vetëm në poezi e në prozën e zakonshme artistike, por edhe në romanet historike është i lirë t’i

vendosë personazhet e tij në mënyra nga më të ndryshmet në hapësirë dhe në kohë e në

marëdhënet e ndërveprimet e tyre. Sjellja e personazheve në veprën letrare është rrjedhim logjik i

formimit të tyre dhe rrethanave në të cilat ata ndodhen e veprojnë; kur ndodh e kundërta thuhet

se sjellja e tyre dhe vepra nuk pasqyron realitetin. Për shkrimtarin e vërteta historike ka pak ose

aspak rëndësi; për shkrimtarin ka rëndësi e vërteta artistike, një vërtetësi e shpirtit njerëzor që

verifikohet nga lexuesi dhe shkrimtari nuk e ka arritur atë të vërtetë nëqoftëse zgjidhjet që jep në

veprën letrare nuk perceptohen si reale nga lexuesi dhe nuk e bindin atë. E vërteta artistike prek

shpirtin dhe zemrën më shumë se sa mendjen e njeriut.

Në artin dypërmasor e vërteta artistike jepet në poza momentane, por megjithatë edhe ato arte

mund të japin tabllo të vërteta të realitetit. Ndryshe është puna me muzikën si një art abstrakt, ku

nuk mund të flitet për përmbajtje kuptimore dhe të vërtetë artistike më shumë se sa për shprehje

emocionale të ndjenjave e të shpirtit njerëzor që, në fund të fundit, mund të pasqyrojnë

emocionet dhe ndjenjat e krijuesit.

Baza e njohjes njerëzore është njohja empirike që përftohet nëpërmjet perceptimit shqisor. Por

perceptimi shqisor nuk është vetë njohja sepse njohja lind nga përdorimi i arsyes që bën të

mundur zbulimin e lidhjeve shkakësore midis objektit në studim me sendet me të cilat ai

bashkëvepron, një bashkëveprim në të cilin shfaqen vetitë e çdo objekti. Në këtë proces mendor

lind njohja empirike. Këtu del roli i filozofisë që kërkon të shpjegojë botën, të gjejë të vërtetat e

përgjithshme të saj me përdorimin e arsyetimit induktiv dhe deduktiv në studimin e përvojës dhe

njohjes njerëzore.

Frymëzimi në shkencë e art

Në Greqinë e lashtë frymëzimi artistik-letrar konsideroheshin si dhurata të hyjnive të veçanta si

muzat (μοῦσαι), Apolloni dhe Dionisi. I tillë dhe mistik u konsiderua ai edhe gjatë tërë Mesjetës.

Sot, përgjithësisht frymëzimi, qoftë në shkencë qoftë në art, konsiderohet si një proces mendor

me një bazë të sigurt, ndonëse pak të njohur, neurobiologjike.

Frymëzimi në shkencë është një gjëndje e tejmbushur shpirtërore, që në dukje shpërthen befas,

por shpesh mund të jetë produkt i përqëndrimit dhe përpunimit mendor të informacionit të

grumbulluar rreth subjektit. Kjo është tipike për rastet e shumta të zbulimeve në të cilat një ëndër

u ka dhënë shkencëtarëve hapsin për zgjidhjen e një problemi të caktuar. Kujto rastet e Dmitri

Mendelejevit (1834-1907), Friedrich A. Kekulé-së (1829-1896), Otto Loeëi-t (1873-1961), etj.

Gjëndje të tjera frymëzimi mund të nxiten nga sende dhe dukuri jo të zakonshme në jetën e

njeriut.

Frymëzimi shkencëtarit mund t’i vijë nga njohja me një send a dukuri të re ose dhe me një

zbulim të ri që e bën që përtej tij të shohë shpjegimin e një dukurije të lidhur me të. Frymëzimi

në shkencë është frutëzim i një ideje rrënjët e së cilës mund të gjenden në pavetëdijen e

shkencëtarit. Kështu u frutëzuan në zhvillimin e teorisë së seleksionit natyror vrojtimet që bëri

Darëini mbi varietetet e zogjve në ujdhesat Galapagos gjatë udhëtimit me anijen Beagle. Po

kështu, vrojtimet statistikore nga eksperimentet me bimët, që bëri Mendeli në një kopsht të vogël

të një manastiri, shkrepën në mendjen e tij idenë e ekzistencës së geneve (Anlagen, siç i quajti

ai), që i jepen pasardhësit nga një kopje prej çdo prindi. Po kështu, punimet e Lorenzit dhe të

Poincaré-së e shpunë Einstein-in drejt teorisë së tij të relativitetit të veçantë, kurse punimet

sasiore të Erëin Chargaff-it dhe roentgenogramat e fizikanëve të grupit të Londrës frymëzuan

zbulimin e strukturës së ADNsë nga Ëatson dhe Crick.

Edhe dijetarë të tjerë ishin në dijeni të fakteve të mësipërme, por nuk mundën t’i “lidhnin” dot

ato për të arritur në zbulimin. Dhe përgjithësisht kjo aftësi për të lidhur faktet e njohura varet nga

shkalla e njohjes së problemit nga shkencëtari. Pikërisht këtë kishte parasysh Louis Pasteur-i

(1822-1895) kur theksonte se “Fati ndihmon mendjet e përgatitura”. Me fjalë të tjera, frymëzimi

në shkencë mund të shpjerë në një vështrim më të thellë të momentit në një send, dukuri a

process, në një “Eureka!”, ose siç thuhet ndonjëherë, në një moment “Aha!”, që e shpie atë drejt

zbulimit. Në procesin e krijimit “shkëndija e përfytyrimit” dhe një asociacion fatlum mendor si

rrjedhim i procesimit të informacionit të mëparshëm dhe përfytyrimit, nganjëherë shpie në

shfaqjen e ideve udhëhapëse në shkencë. Nga ana e tij, vetë zbulimi shërben si një burim i ri

frymëzimi për t’ia komunikuar atë botës shkencore dhe botës në përgjithësi. Këtë shkencëtari e

bën duke thurrur logjikisht idenë dhe duke paraqitur dhe botuar zbulimin në formën e një teorije

ose hipoteze shkencore.

Në studimet e fundit është argumentuar shpesh se, të paktën në fushën e shkencës, ajo që quajmë

frymëzim në të vërtetë nuk është faza e parë, por faza e dytë e procesit krijues, faza kur ideja e re

që lindi në sajë të një vështrimi depërtues (insight) shkakton te krijuesi frymëzimin si një gjëndje

e lartë emocionale që motivon aktualizimin e idesë së re. Kështu, frymëzimi ka filluar të shihet si

faza e vetdijshme në procesin e krijimtarisë, që lidh idenë e re me krijimin e produktit

përfundimtar.

 

Shumëkush do të mrekullohej kur të mësonte së pari se qelizat e kreshtës nervore që prodhohen

në tubin nervor (truri fillestar) janë “programuar” për të shkuar në pjesë të caktuara të embrionit

e për tu shndërruar aty në qeliza të tipeve që kërkon vendi. Vetëm një hap të ndan nga kjo te

ideja e re se tubi nervor, pararendësi i trurit, mund të jetë “programuesi” i tyre dhe i zhvillimit

embrional në përgjithësi. Në këtë mënyrë, një informacion i ri (funksioni i qelizave të kreshtës

nervore) shpuri në një vështrim depërtues (insight), një shkëndijë intuitive që hodhi dritë mbi një

funksion të panjohur më parë të trurit.

 

Neurobiologjia e frymëzimit ose mekanizmat dhe cirkuitet nervore që shpien në atë gjëndje të

vështrimit depërtues nuk njihen, por përvoja e gjatë dhe historia e zhvillimit të shkencës, letërsisë

dhe arteve tregojnë se frymëzimi rëndom është kurorëzim i punës dhe përvojës së mëparshme.

Të gjitha këto nuk duan të thonë se frymëzimi është antitezë e përpjekjes së vullnetshme. Sot

dihet se sa i tepëruar ishte pohimi i shpikësit të famshëm, Thomas Edisonit (1847-1931), se

“Gjeniu është 1 përqind frymëzim dhe 99 përqind djersë” (Genius is 1 percent inspiration and 99

percent perspiration). Idetë e reja dhe frymëzimi që pason ato zakonisht lidhen me një punë të

madhe paraprake, që lehtëson ose shkurton rrugën për të dalë në mbretërinë e zbulimit.

Në një nivel neurobiologjik kjo ka të bëjë me ruajtjen dhe zhvillimin e plasticitetit të trurit, me

aftësinë e tij jo vetëm për të forcuar lidhjet nervore të mëparëshmë, por edhe për të krijuar lidhje

të reja jo vetëm brenda cirkuiteve nervore por edhe midis miliona cirkuiteve të tilla që përmban

truri i njeriut.

Unikaliteti ose papërsëritshmëria e krijimit në art e në shkencë

Zbulimet shkencore shpesh janë të parashikueshme dhe shqyrtimi i historisë së tyre tregon se ato

do të ndodhnin, në mos kur ndodhën, atëhere në një kohë tjetër, e në mos në vendin ku ndodhën –

në një vend tjetër, por rruga që shpie në zbulimin e tyre është unikale në kuptimin që po të

ndodhte në një kohë a vend tjetër zbulimi nuk do të ndiqte të njëjtën rrugë.

Një formë tipike e shprehjes së papërsëritshmërisë së krijimit në shkencë është botimi i

njëkohshëm dhe i pavarur i zbulimeve në të cilat u arrit duke ndjekur rrugë të ndryshme. Charles

Darëin-i dhe Alfred R. Ëallace (1823-1913) erdhën në idenë e seleksionit natyror nga rrugë të

ndryshme. Po kështu arritën edhe Albert Einstein-i (1879-1955), Henri Poincaré (1854–1912),

Hendrik A. Lorentz (1853-1928) në teorinë e relativitetit special e kështu ndodhi edhe me

Einstein-in dhe David Hilbert-in (1862-1943) për relativitetin e përgjithshëm ose më tej me

zbulimin e njëkohshëm të ekuacionit valor nga Erëin Schrödinger (1887-1961) dhe mekanikës

matricore nga Ëerner von Heisenberg (1901-1976). Rizbulimi i ligjeve të Mendelit, nga Carl E.

Correns (1864-1933) në Gjermani, Hugo M. de Vries (1848-1935) në Hollandë dhe Erich

Tschermak (1871-1962) në Austri, gjithashtu tregon vetëm se si në shkencë te i njëjti zbulim

mund të arrihet me metoda dhe eksperimente të ndryshme (në lloje të ndryshme bathësh,

karafilesh e misri), duke pasur secili karakteristikat e tij të papërsëritshmërisë. Një shëmbull

tjetër i madh i papërsëritshmërisë së rrugëve të zbulimit shkencor ishte zbulimi i strukturës së

ADNsë nga James D. Ëatson (1928) dhe Francis H.C. Crick (1916-2004) në vitin 1953.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *