Burokracia me specializimet tek mjekësia, duhet ndryshuar ligji

anazapta

Dhjetëra kandidatë të diplomuar në fusha të ndryshme të shëndetësisë paraqiten në dyert e sekretarive mësimore të Fakultetit të Mjekësisë me shpresën se do të marrin një përgjigje pozitive në lidhje me aprovimin e vendimit që i hap udhë procedurave të konkurrimit për programet e specializimeve. Por më kot, pasi e vetmja përgjigje që marrin nga sekretaret është mungesa e miratimit të vendimit zyrtar nga Këshilli i Ministrave.

Prej vitesh specializimet tek mjekësia janë shndërruar në një çështje shumë të përfolur dhe problematike, jo vetëm për akuzat e ngritura nga studentët për favorizimin e përzgjedhjeve korruptive, por edhe për zvarritje procedurash deri në shpalljen e kuotave. Procedurat burokratike dhe shpërndarja e kompetencave po mban peng çeljen e procedurave të aplikimit edhe për këtë vit.

Madje specialistët e shëndetësisë shkojnë më larg duke deklaruar se kjo çështje problematike do të marrë zgjidhje vetëm nëse bëhen ndryshime ligjore sa i takon gjithë procedurës që duhet të ndiqet për specializimet. Ndërkohë që sistemi ynë ka nevoja të theksuara për staf të specializuar, kjo veçanërisht në rrethe, ku cilësia lë shumë për të dëshiruar si rrjedhojë e mungesës së kualifikimeve. Megjithatë, edhe për 2013-ën, duket se do të jetë e vështirë çelja e programit të specializimeve.

Në një prononcim të dhënë për gazetën “Dita”, ish kreu i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero bën të ditur se i mbetet detyrë Qeverisë së re që të vendosë se çdo të ndodhë me programet e specializimeve, duke qenë se kabineti në ikje deri në mbledhjen e dy ditëve më parë nuk miratoi asnjë vendim në lidhje me kuotat e pranimit në programet e specializimeve, çka do t’i hapte udhë procesit të konkurrimit. Duke iu referuar kësaj problematike, Pipero nënvizon se ka ardhur koha që këto burokraci të marrin fund, dhe puna për këtë duhet të nisë me ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë.

Sipas tij duhen bërë amendime në këtë ligj që t’u jepet fund procedurave të tilla zvarritëse. “Sa i takon problemit të specializimeve edhe pse gjatë kohës që ishim ne ministri u përpoqëm shumë për të mundësuar që procesi të ishte i vazhdueshëm, pra çdo vit ose të paktën çdo dy vjet, nuk ja dolëm. Gjithnjë për këtë proces ka shumë burokraci, ka shumë paqartësi, ka shumë dashakeqësi, dhe mbi të gjitha një ligj të arsimit të lartë, i cili lë shumë për të dëshiruar. Ky ligj duhet amenduar sa më shpejt të jetë e mundur.

Mbi të gjitha shërbimi shëndetësor, veçanërisht mjeku i familjes në gjithë vendin dhe shërbimi spitalor rajonal ka nevoja urgjente për specialistë dhe mjekë të specializuar. Edhe këtë vit ndodhi e njëjta gjë, me sa di unë kuotat ende nuk janë miratuar nga Këshilli i Ministrave, Këshilli i profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë dhe Universitetin Mjekësor ende nuk kanë miratuar rregulloren, edhe pse ka një vullnet pozitiv të dekanit të Fakultetit të Mjekësisë për t’i paraprirë procesit. Unë mendoj se ky proces do ngelet një nga detyrat e para të Qeverisë se re, por nuk besoj se mund të mbyllet brenda këtij viti”, deklaron Pëllumb Pipero. Ndërsa burimet zyrtare të universitetit bëjnë me dije se procedurat do të iniciojnë vetëm pasi Qeveria të miratojë kuotat e specializimeve.

 

Rregullorja e specializimeve

Për t’i paraprirë procesit të aplikimeve, Fakulteti i Mjekësisë ka detajuar rregulloren me procedurën se si do zhvillohet konkursi për përzgjedhjen e fituesve. Por, pavarësisht këtij dokumenti që gjendet i zbardhur edhe online në faqen zyrtare të fakultetit, asgjë nuk mund të bëhet pa vendimin e kuotave të miratuara. Në rregullore tashmë janë përcaktuar nga Këshilli i Profesorëve edhe disa nga kriteret që parashikohet të ndiqen gjatë procedurës së aplikimeve dhe përzgjedhjes së fituesve që do të pranohen tek  këto programe.

 

 Çfarë parashikon rregullorja

Konkurrimi bëhet për një numër të caktuar vendesh për çdo specialitet, bazuar në politikat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera shëndetësore të vendit, si dhe kapaciteteve pritëse të Fakultetit të Mjekësisë. Kuotat aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM).

Kuotat e miratuara, programi orientues, data dhe rregullorja e konkurrimit shpallen të paktën 6 javë para datës së konkurrimit. Duke iu referuar këtyre përcaktimeve kohore, bëhet edhe më shumë e vështirësia në çeljen e programeve të specializimit për vitin akademik 2012-2013. Ato afishohen pranë Fakultetit të Mjekësisë, shpallen në median e shkruar dhe televizive si dhe ju shpërndahen të gjithë kandidatëve në momentin e regjistrimit. Programi orientues për testin e konkurrimit, përgatitet nga Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë, mbi bazën e kurrikulës së studimeve universitare dhe miratohet nga Dekani.

 

Piket e konkursit

Vlerësimi i kandidatit do të bëhet me sistem pikësh (maksimumi 1000 pikë të konvertuara). Rreth 30 për qind e tyre, e konvertuar konkretisht në 300 pikë do të vijnë nga nota mesatare e rrumbullakosur. Rreth 600 pikë është kufiri i vendosur për testimin me shkrim që kandidati do të japë në secilën specialitet. Testimi do të përmbajë 60 pyetje e ushtrime në formë testi, me një ose më shumë zgjedhje. Ndërkohë që 100 pikëshi i mbetur i takon pjesës së intervistës, në të cilën do të kalojnë të gjithë kandidatët që do të dëshmojnë rezultatet më të larta në testimin me shkrim.

 

Pikët nga nota mesatare

Kandidatët që kanë notën mesatare 10, vlerësohen në këtë proces me 300 pikë të plota. Ata që kanë mesataren e studimeve të mëparshme 9 do të vlerësohen 225 pikë të konvertuara. Ndërsa notës 8 do ti korrespondojnë 150 pikë të konvertuara, notës 7 i takojnë 75 pikë, e kështu me radhë për pjesën e mbetur. Çdo 0.10 e notës mesatare është baraz me 7,5 pikë të konvertuara ( p.sh. nota mesatare 7,10 = 82,5 pikë të konvertuara, 8,20 = 165 pikë të konvertuara, 9.34 =250,5 pikë të konvertuara e kështu me radhë). Në specialitetin e Kirurgjisë Oro-Maksilo-Faciale do të mund të konkurrojnë kandidatë, të cilët janë diplomuar në degën Mjekësi e Përgjithshme dhe Stomatologji.

 

Kërkesa të përgjithshme për pranimet në konkurrim

Kanë të drejtë të regjistrohen për konkurrim në programet e studimeve të specializimeve afatgjata në mjekësi, të gjithë shtetasit shqiptarë (nga vendi dhe trojet) të cilët :

1. Zotërojnë Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë (DIND) në Mjekësi, të fituar në Fakultetin e Mjekësisë të Tiranës ose diplomë të huaj, të njëvlershme me të (të ekuivalentuar nga MASH).

2. Kanë notë mesatare të të gjitha viteve universitare ≥ 7.

3. Kanë moshë më të vogël se sa 40 vjeç  (të mos ketë kaluar në ditën e testimit me shkrim moshën 40 vjeç, të vërtetuar me dokumentacionin e kërkuar).

4. Nuk lejohen të konkurrojnë kandidatë që janë duke kryer ose kanë kryer një program të tillë specializimi të studimeve afatgjata.

5. Kandidatët kanë të drejtë të regjistrohen vetëm në një Departament/Njësi Bazë deri në ditën që mbyllet regjistrimi, duke e shprehur këtë në kërkesë-deklaratë me përcaktimin e Specialitetit brenda Departamentit. Kandidatët kanë të drejtë të shprehen për një preferencë të dytë të Specialitetit, brenda fushës së Departamentit apo njësisë Bazë ku janë regjistruar.

6.  Duhet të zotërojnë të paktën një gjuhë të huaj (përkatësisht Anglisht, Italisht, Frëngjisht, Gjermanisht), për të cilat kanë dëshmitë përkatëse. Janë të vlefshme vetëm dëshmitë e lëshuara nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, nga Instituti Italian i Kulturës, nga Instituti i Aleancës Franceze, Instituti “Goethe”, testi TOEFL (minimumi 500 pikë), “Cambridge”, FCE, ILTSE. Diploma duhet të jetë fotokopje e noterizuar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *