Fëmijët qajnë dhe janë të bukur edhe kur qajnë. Burri duhet të jetë i fortë dhe nuk duhet të qajë. Aq më pak burrat e shtetit. Qaramanët janë burra të dobët, të cilët nuk i do as gruaja, as familja, pale më shteti…
Xhevdet Shehu
Ikja e Dritëro Agollit më 3 shkurt të këtij viti shkaktoi një dhimbje të madhe për shkak të përmasave të pakrahasueshme si personalitet i madh i kulturës sonë kombëtare, si poet e shkrimtar i nivelit të lartë, por edhe si një figurë politike me shumë dinjitet dhe për boshllëkun që ai la pas.
Fakti që herë-pas here i rikthehemi bisedave të tij, intervistave, shënimeve dhe veprave që ai na la, tregon për vizionin që shkrimtari ynë i shquar kish dhe për largpamësinë e tij. Ai ishte dhe mbeti një poet popullor shumë i dashur dhe me një aktualitet të habitshëm… Ndaj dhe nuk mund ta mbulojë pluhuri i harresës.
Unë po sjell këtu mbresat që ruaj nga një takim në shtëpinë e Dritëroit, pesë vjet më parë, një ditë fundviti të 2012-s. Dritëroi fliste rrallë e më rrallë për politikën e ditës, pavarësisht se e ndiqte atë me një vëmendje shumë të madhe dhe herë-herë, kur e shikonte të arsyeshme, shpërthente si dinte ai në një mënyrë krejt origjinale dhe të paparashikueshme.
Nesje, edhe atë ditë, ai nuk donte të flisnim për politikën. “Se ju gazetarët jeni qerratenj, bëni muhabet e pastaj mbushni gazetat”, më thoshte shpesh ai. “Ashtu siç ke bërë edhe ti dhe siç na e ke mësuar vetë këtë zanat”, ia ktheja me gjysmë shakaje.
Hajde flasim më mirë për poezinë, tha Dritëroi dhe tregoi për fillimet e tij në vitet e gjimnazit në Gjirokastër, kur bashkë me Ismail Kadarenë u bënë të njohur si poet.
-Atje erdhi e na takoi një ditë K. Th. Spiri, ai vjershëtori popullor zagorit dhe që njihej nga të gjithë. Erdhi e na kërkoi vetë në shkollë dhe ne shkuam dhe e takuam se ai ishte më popullor se ne në atë kohë. Na kërkoi t’i recitonim vjershat që kishim bërë dhe ai, pasi na dëgjoi, na tha: Nuk janë gjë. Poezi janë këto që bëj unë… dhe na recitoi një vjershë që ishte ca banale…
***
Diskutimi për poezinë në shtëpinë e Dritëro Agollit është gjëja më e zakonshme dhe me natyrshme që mund të ndodhë. Ja, papritur e pa kujtuar, ai ngrihet nga tryeza, shkon te rafti i librave dhe rrëmben një vëllim poetik. “Hapat e mija në asfalt”. Dhe fillon e lexon më zërin e tij karakteristik poezinë “Burrave të ardhëshëm të shteteve”. E kam shkruar dhe botuar në vitin 1961, thotë.
Pastaj ai hap librin në faqen përkatëse dhe fillon dhe e lexon, apo më mirë recitoi vetë poezinë e tij. Dritëroi e bënte shpesh këtë me poezitë e tij që kur i kishte në dorëshkrim për të parë se si tingëllonin, si ishte muzikaliteti, çfarë stononte. Kështu ai ishte dhe interpretuesi i parë i krijimeve të tij dhe kishte dëshirë të dëgjonte dhe mendimin e bashkëbiseduesve.
Dritëro Agolli është jo vetëm një nga poetët më të talentuar të vendit, por edhe ndër më prodhimtarët. Nuk është bërë ende ndonjë statistikë e saktë e krijimtarisë së këtij poeti, , por besoj se është i pakrahasueshëm për nga numri i poezive që ka shkruar, për nga larmia në tematikë dhe si një krijues që nuk e tradhtoi asnjëherë poezinë.
Dhe me një diagramë përherë në ngritje të krijimtarisë së tij, ai dëshmon se është një nga krijuesit më konsekuentë në letrat shqipe, një krijues që e ka ditur qysh në krye të herës rrugën që do të përshkonte.
Ai ka qenë përherë i qartë në krijimtarinë e tij dhe për këtë gëzon një admirim të lakmueshëm midis lexuesve të panumërt që ka. Këtë e dëshmon dhe poezia e tij për burrat e shtetit që qajnë në maternitet, të cilën po e risjellim sot për lexuesit tanë, pikërisht për aktualitetin që mbart dhe mesazhet e forta filozofike dhe estetike që përcjell. E shkruar në vitin 1961, në kulmin e një situate tejet të vështirë për vendin pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, poezia shquhet për një guxim të madh artistik dhe qytetar.
Pas një buzagazi të lehtë që të përshkon leximi i saj, vihesh në mendime dhe kujton kohët, udhëheqësit, burrat dhe pseudoburrat e shtetit që na kanë drejtuar. Në thelbin e poezisë është shqetësimi i poetit për një botë më të mirë, për një jetë më të lumtur për njerëzit, jetë që garantohet nga burra të fortë të shtetit, nga burra vizionarë dhe humanë…
Fati i atdheut në këtë periudhë përbën shqetësimin maksimal të poetit. Atdheu është kryetema dhe kryefjala, është strumbullari rreth të cilit vërtitet parreshtur fantazia e tij poetike. Për këtë atdhe ai ka shkrirë tërë jetën, ka kënduar me të gjitha fuqitë e shpirtit dhe, sikurse shprehet edhe vetë, i ka bërë shërbëtorë çdo muskul, çdo kockë e çdo gisht.
Ai nuk u pendua aspak për këtë që ka bërë si poet dhe si njeri për atdheun e tij. Por kënga e tij për atdheun në vitet e fiindit, është një këngë ndryshe, një këngë e trishtë. Dikur në mesin e viteve ’80 ai pati shkruar vëllimin “Udhëtoj i menduar”
. Në vitet e fundit ai ishte tepër i menduar… Poetit i dhimbte shpirti për këtë atdhe të drobitur dhe të shpërfytyruar. Poeti në vargjet e tij qan, vajton më shumë se këndon për atdheun. Nuk ka patetizëm dhe aq më pak emfazë në këngët e Dritëroit për atdheun gjatë dy dekadave të fundit. Dhe nuk ka se si të ketë. Dhe për këtë atij i vinte tmerrësisht keq, mërzitej dhe vuante si rrallëkush tjetër, gjë që edhe e shprehte në intervistat që jepte.
Por le të kthehemi te poezia e tij. Dritëro Agolli këndon se është poet i madh dhe këngën e ka domosdoshmëri, por edhe sepse i qan zemra…
Po të ishte njeri i rëndomtë, Dritëroi do të qante si gjithë të tjerët, do fshinte lotët me shami në publik për shumë gjëra të rënda e të shëmtuara që na kanë ndodhur gjatë këtyre viteve. Por ne nuk e kemi parë dhe s’kemi për ta parë asnjëherë në këtë gjendje poetin tonë të madh. Ai ka mënyrën e tij të të kënduarit dhe të të vajtuarit.
Kjo vuajtje e poetit ndihet tejpërtej në poezinë e tij.
E, dashuria për atdheun sërish është e thellë dhe e pakufishme te poeti. Madje më e dhimbshme e, njëkohësisht, më e sinqertë. Sepse është dashuri në kohëra të vështira. E, për këtë dashuri dhe përkushtim ndaj atdheut ai s’kërkon shpërblime e grada.
Dhe këtë e bën me ndërgjegjen më të lartë si qytetar dhe si poet, si bir i denjë i këtij trualli. Sepse: “Atdheu nuk është as ofiq, as meritë/ Nuk është as mëkat dhe as faj,/ Po thjesht trupi im, trupi yt…” – shkruan ai në poezinë “Trupi”. Për këtë atdhe që vuan e heq, ai shqetësohet e përpëlitet, rri natën pa gjumë e mërzitet si askush. Dhe, si kapedan i madh i letrave që është, nuk mund të rrijë kurrsesi i tërhequr, të bëjë sehir, por turret në ballë të dallgëve të jetës me penën që di ta përdorë mjeshtërisht dhe këtë penë, kur ia do puna, e kthen herë-herë në shpatë dhe… shkruan e shkruan parreshtur. Duke iu drejtuar këtij atdheu, ai konstaton me dëshpërim faktin tragjik se:
Fati ç’po të hedh
Si kaçak në vitet,
Gjysma jote vjedh,
Gjysma përgatitet.
Po përse ndodh kështu? Në një poezi tjetër me titull “Majtas dreqër, djathtas djaj”, poeti, i zhgënjyer mesa duket së tepërmi nga realiteti politik i kësaj dekade të ashpër, pohon sërish me dëshpërim:
Ku të futem, s’gjej vend tjetër,
Ku të qesh e ku të qaj?
Majtas vmp më dalin dreqër,
Djathtas vijnë e presin djaj…
Duket e thjeshtë poezia e Dritëroit, pasi është e kapshme menjëherë, madje lehtësisht për t’u mbajtur mend strofa e vjersha të tëra, si aksioma filozofike. Sepse poezia e Dritëro Agollit, sa është poezi e mendimit dhe e ndjenjave të holla, aq është dhe Poezi Filozofike.
Dhe kjo ngjet vetëm me poetët e mëdhenj. Pas një akumulimi kaq të gjatë jetësor, me suksese dhe zhgënjime, pas një përvoje krijuese më se gjysmë shekullore, është krejt e natyrshme që poeti të filozofojë.
Të filozofojë e profetizojë. Por filozofia qëndron me thjeshtësi brenda zhguallit të poezisë dhe nuk është kurrsesi qëllim në vetvete. Ajo vjen harmonishëm bashkë me mendimin dhe emocionet e poetit. Si te kjo poezi për burrat e shtetit që qajnë në maternitet, por që po të analizohet, mund të shkruash faqet të tëra për të…
Poezia origjinale
Burrave të ardhëshëm të shteteve
1.
Nga dritaret e maternitetit
Po dëgjoj si qajnë burrat e shtetit,
Po dëgjoj si qajnë burrat e ardhëshëm
Në një kor të madh të përbashkët.
Qani,
O burra,
Me zë të lartë,
Qani!
Se ju ka në gji materniteti,
Se pastaj ju vehten do ta mbani,
Me të qara nuk drejtohet shteti.
2.
Qajnë si ju sot në botë
Ndër maternitetet
Burrat që nesër do drejtojnë shtetet.
Sot ata nuk kanë emra e përgjegjësira,
Nesër do drejtojnë qeverira…
Vetëm se nevojë s’do të kenë
Të mbledhin OKB-në, Asamblenë,
Të shtrojnë si probleme çarmatimin,
Çështjen koloniale, mossulmimin…
3.
Ç’do të bëni ju, o burrat e shteteve,
Që qani nëpër botë brenda materniteteve?
Ju do mblidhi tok në tavolinë
Dhe do flisni për të shtuar lumtërinë,
Si të ketë gaz nëpër shtëpitë,
Si të ketë lule edhe dritë,
Si të shkojnë ndofta pasagjerë
Për në Hënë, Mars apo Venerë…
… Sot ju s’kini emra e përgjegjësira,
Nesër do drejtoni qeverira.
1961

Ja dhe biseda që kam bërë me Dritëro Agollin atë ditë, duke marrë shkas nga poezia e sipërcituar:
“Burrat e sotëm nuk kanë qarë kur kanë qenë fëmijë”
– I dashur Dritëro, kam këtu përpara një poezi tënden, atë me titull “Burrave të ardhëshëm të shteteve” të shkëputur nga një prej vëllimeve të tua të hershme “Hapat e mija në asfalt”. Po të mos ishte data në fund të poezisë, 1961, kjo poezi duket sikur është shkruar sot. Ku qëndron aktualiteti i kësaj poezie?
– Krijimet nuk komentohen nga autori, të tjerët i marrin, i lexojnë dhe i komentojnë. Por ka disa krijime që mbeten. Si për shembull, kjo poezia për burrat e shtetit që unë e kam bërë që në vitin 1961.
Kjo mendoj se i ka rezistuar kohës, pikërisht se mbart brenda saj një të vërtetë të thellë filozofike për mënyrën se si udhëheqësit e mëdhenj duhet të drejtojnë vendin dhe botën për një jetë më të mirë. Ky është dhe mesazhi i poezisë: Me të qara nuk drejtohet shteti!
– Pra, ju mendoni se njeriu është mirë të qajë kur është i vogël?
– Po, fëmijët qajnë dhe janë të bukur edhe kur qajnë. Burri duhet të jetë i fortë dhe nuk duhet të qajë. Aq më pak burrat e shtetit. Qaramanët janë burra të dobët, të cilët nuk i do as gruaja, as familja, pale më shteti.
– Do, s’do, Dritëro, hymë në politikë. Si thoni, këta udheheqësit tanë të sotëm, a kanë qarë kur kanë qenë të vegjël?
– Jo, këta nuk kanë qarë. Nuk kanë ditur të qajnë ose nuk i kanë lënë të qajnë. Këta kanë lindur burra shteti! Madje këta nuk shkojnë as në nevojtore! Si mund të mendohet që një burrë shteti shkon në nevojtore?! Kështu mendojnë këta për t’u dukur të mëdhenj.
Në fakt zvogëlohen… Burrat e shtetit kanë mbi supet e tyre hallet e vendit dhe të një populli të tërë dhe nuk duhet të kthehen në kalamaj qaramanë, kështu sikurse shohim të bëjnë.
– Ju me këtë që thoni duket se bëni përgjegjës drejtuesit e shtetit të sotëm për prapambetjen, për varfërinë dhe për hallet që ka vendi?
– E kë të bëj tjetër? Ata i kanë dalë për zot vendi dhe të bëjnë atë që u takon. Shiko, po të tregoj një histori që më ka ndodhur me Evgeni Jevtushenkon në fillimin e viteve 1990, kur ai erdhi në Shqipëri.
Ai kishte ardhur këtu bashkë me një poet tjetër, me mikun tim të viteve studentore në Rusi, Ilia Fonjakov. Më erdhën në shtëpi për drekë. Me vështirësi gjetëm pak mish, pasi ishte krizë e madhe. Sadija e racionoi mishin dhe bëri aq biftekë sa veta ishim. Dhe ne u shtruam për të ngrënë.
Duke ngrënë e duke bërë muhabet. Macja e shtëpisë ndjeu erën e mishit e filloi të vinte vërdallë tavolinës. Në një moment, macja pikasi se Jevtushenkoja nuk e kishte mendjen te pjata por tek biseda që po bënim dhe fap ia rrëmben biftekun.
Më shumë nga të gjithë u zu ngushtë Sadija, se nuk kishte mish tjetër. Por Jevtushenkoja e kaloi me të qeshur e tha kështu e kanë macet, njëlloj janë, sidomos kur janë të uritura. Kështu ka ndodhur, ne e kaluam me të qeshur, por nuk ishte dhe aq për të qeshur.
Mua më shumë se uria e maceve, më shqetëson uria e njerëzve. Ata nuk duhet të vuajnë nga uria dhe këtë kërkojnë nga burrat e shtetit. Prandaj dhe unë këtu e më shumë se 50 vjet të shkuara thashë se s’mbahet shteti me të qara. Iu drejtova foshnjave të maternitetit, që ta dëgjonin burrat e shtetit. Po se sa dëgjojnë burrat e shtetit, kjo është çështje tjetër dhe meriton trajtim më vete…

Pse e kini çensuruar faqen e ‘Dites’ online sot!?
Per burrat e shtetit per fytyren e Agollit me te madhit te shekullit,se jane mbledhur burrat e shurres se Ballkanit apo per komentin e Gramsh……%%%%%%%%%
Pse nuk botohet faqja e pare online sot!?
Une kujtova se me ne fund kishim shpetuar nga ky mashtruesi i madh Dritreo Agolli, por DITA mesa duket i ka vene mision vehtes qe te na perzieje zorret e barkut, ne mos me Enverin, me Driteroin, ne mos me Mehmetin, me Hysniun. Dhe pastaj eshte nje idiot ketu qe flet per kanibalizem.
Dritero Agolli me vepren dhe personalitetin e tij ka vendin e tij te padiskutueshem si THESAR i KOMBIT shqiptar