Me kohë, në Shqipëri kanë funksionuar mblesëritë, por kur vitet ikin, as kjo nuk të bën më punë. Për këtë arsye, në botë ka agjenci të ndryshme që ofrojnë shërbim për gjetjen e partnerit. Nëse mendoni se në Shqipëri nuk ka një të tillë, e keni gabim. Edhe në Tiranë tashmë ka agjenci martesore që u mundësojnë të gjeni shpirtin tuaj binjak. Administratorja e saj, Ermelinda Sholla, me profesion ekonomiste, e pa si një shërbim të munguar në shoqërinë tonë dhe i lindi ideja që pse jo, ta ofronte. Me ato që tregon, nuk ka bërë keq, madje del më shumë e fituar nga ç’mund të mendohet.
E takojme Ermelinden ne ambjent pune në katin e parë të një pallati pranë ish-Kinema “17 Nëntorit”, në qendër të kryeqytetit. Ambientet janë të këndshme dhe të ndara sipas fazave të njohjes së një çifti. Informacioni se kush vjen aty mbahet sekret, për të ruajtur privatësinë e klientëve. “Dita” foli me gruan, e cila ka thyer një tabu në vendin tonë. Pyetja e parë për që na vjen ndërmend për Ermelindën është nëse ajo ka pasur sukses në të shkuarën e saj me mblesëri. Ajo me buzën në gaz shprehet: “T’ju them të drejtën, nuk jam marrë më parë me mblesëri. Ka ardhur si ide thjesht për shkak të mungesës së këtij shërbimi në tregun shqiptar. Bëra një lloj analize dhe pothuajse të gjitha llojet e shërbimeve e shit-blerjeve kishin mbërritur. Mendova, pse në Shqipëri të mos ekzistojë një shërbim i tillë. Unë jam e ndërgjegjshme që ky shërbim është i pazakontë për realitetin ku jetojmë, por është një shërbim shumë serioz dhe ligjor”, tregon ajo.
Ermelinda e ka me shumë pasion dhe dashuri këtë punë, por ku qëndron serioziteti sipas saj? “Jemi me zyrë regjistrimi, jemi me ambient mikpritës, aty ku çiftet njihen dhe kalojnë të gjitha proceset e tyre sipas dëshirave. Nga ana tjetër, kjo agjenci është e para e regjistruar sipas të gjithë parametrave ligjorë, e vetmja e regjistruar në QKR. Megjithatë, përveç egos, duhet të ketë një ngacmim fillestar, qoftë edhe miq beqarë përreth për shembull, që mund të të frymëzojnë… Patjetër, kam parë që jo vetëm në shoqërinë time ka interes të tillë, por edhe më gjerë. Sot, jeta është bërë e vështirë, njerëzit janë të përkushtuar gjithë kohës në gjërat e tyre, i rrëmben përditshmëria, janë të përkushtuar pas karrierës profesionale, aq shumë sa lënë pas dore jetën e tyre personale. Edhe nëse kujtohen në një moment për t’iu kushtuar më shumë apo për të hapur sytë mirë përreth, nuk është e lehtë”, tregon administratorja e kësaj agjencie, sigurisht duke u nisur nga eksperienca e deritanishme me punën e saj.
Kategoritë
Çdokush mund të pyesë se cilat mosha dhe kategori mund t’i drejtohen kësaj agjencie. Sipas Ermelindës nuk ka limite. Nivelet dhe arsimi mund të jenë nga më të ndryshmet, vetëm një gjë që bën përjashtim është statusi. Aty mund të vijnë vetëm beqarë, të divorcuar ose të ve. Është një shërbim delikat. Po ashtu, për moshën ka një lloj limiti, për femra mbi 23, ndërsa për meshkuj mbi 30 vjeç. Dokumenti që kërkohet është certifikata familjare, e cila duhet të jetë e muajit të fundit, aty përcaktohet qartë edhe statusi. Përveç kësaj, punonjësit e kësaj agjencie bëjnë verifikimin pranë zyrave përkatëse, nëse kjo certifikatë është e vërtetë apo jo. Ndërsa kur bëhet fjalë për kategoritë, aty mund të gjejmë nga më të ndryshmet. Sholla tregon: “Kjo më ka habitur dhe nuk më ka habitur. Nuk dua të them shumë detaje, por ajo që kam parë deri tani është që njerëzit që punojnë në banka, meshkuj e femra, janë të shumtë. Mund të jetë izolimi i tyre në vendin e punës, a nuk e di. Një kategori tjetër janë mjekët edhe të një farë moshe, të themi te të 40-at, që i janë përkushtuar shkollimit e specializimeve, në një kohë të konsiderueshme të jetës së tyre. Mësuesia e pedagogjia është një tjetër kategori e interesuar. Më shumë se kaq nuk mund t’ju them, respektohet privatësia e gjithsecilit”.
Çmimi?
Pagesa e parë është ajo e fazës fillestare, regjistrimit pra, që kushton 2000 lekë. Kur personi arrin në fazën e përzgjedhjes dhe të takimit, paguan edhe 8000 lekë. Me këtë 1000 lekësh të paguar ka të drejtë që të zgjedhë dhe të zgjidhet për 1 vit. Brenda vitit mund të takohet me disa profile pa bërë pagesa të tjera. Fazat Janë tri faza kryesore. Faza e parë është ajo e njohjes së klientit me kontratën ligjore, çka siguron se të dyja palët janë të mbrojtura nga çdo informacion i shtrembër i tjetrit, sepse agjencia ka agjentët e saj në terren, që verifikojnë çdo të dhënë që klienti ka paraqitur të dokumentuar. Bashkë me kontratën, klienti jep një kopje të pasaportës a kartës së identitetit, certifikatën familjare dhe dy fotografi. Faza tjetër është ajo e përzgjedhjes mes aplikantëve. Në një pikë të formularit është ajo që quhet “preferencat” dhe që përcakton shijet e klientit sipas moshës, arsimimit etj. Në bazë të këtyre të dhënave, kategorizohen grupet që mund të përshtaten me njëri- tjetrin. Mes grupit, secili nga klientët ka të drejtë të zgjedhë profilin që mund t’i përshtatet dhe të vijojë më pas me fazën e takimit të parë.
Takimi
Takimi i parë bëhet nën vëzhgimin e personelit. Ata kanë ambiente mikpritëse, që vëzhgohen nga kamerat. Aty çifti takohet për herë të parë dhe po aty personat pastaj janë të lirë të vendosin nëse duan të shkëmbejnë numrat e telefonit apo të kalojnë në një fazë tjetër, por deri aty janë të vëzhguar.
Moda e agjencive
Në botë sot ekzistojnë qindra uebe vetëm me një qëllim: prezantimin e njerëzve të cilët nuk kanë mundësi apo janë të lodhur duke kërkuar dikë në rrethin e tyre të punës apo të shoqërisë. Agjenci martesash po ashtu ka shumë, madje, sipas një studimi, 70% e amerikanëve kërkojnë partnerin e jetës pikërisht në këto agjenci online. Tani edhe shqiptarët, të cilëve nuk u ka ecur në këtë drejtim, mund t’i drejtohen agjencisë për të gjetur shpirtin e tyre binjak. Kategoritë që i drejtohen agjencisë janë nga më të ndryshmet. Duket se ky trend po përqafohet lehtë edhe në Shqipëri, megjithëse është herët për të nxjerrë përfundime.

Ne shqipot kemi nje shrehje : merre me leng se mishi mbaroj , keshtu eshte dhe kjo pune Agjensi Martese made in Parisien , kesaj zonjes i lumte per shkathtesine e treguar per asortimentet e tregut por si pak te rende e paska doren 10000 Lek te reja , d.m.th. 2 pale kepuce nga 1 qe i jepeshin mblesit dikur .
Ne fakt ne SHBA funksionon mire programi i internetit “Harmony.com”. paguan nje koute dhe futesh ne rjet ku ke mundesi te gjesh partnerin. por per kushtet e Shqipersie eshte per t’u pergezuar Ermelinda.
Me fal, por shume ka folur zonja, por nuk ka thënë adresën se ku mund ta gjejmë! Gjithësesi është për t’u përgëzuar kjo iniciativë sepse ka vërtet persona që mundësitë e njohjes i kanë të kufuzuara, apo thjeshtë për çështje fati nuk kanë gjetur personin e duhur.
ju lutemi na jepni nje nr tel te kesaj axhensie