Efektivët e Policisë kriminale të Burrelit kanë arrestuar mesnatën e kaluar 25-vjeçarin nga Gjilani i Kosovës, Liridon Salihi, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare që vjeshtën e vitit të kaluar. Ai akuzohet se mashtronte kryesisht pronarë të salloneve të bukurisë, gjoja për t’u reklamuar punën e tyre.
Burime policore bëjnë me dije se aktiviteti i Salihit ka nisur gushtin e vitit 2013, në qytetin e Sarandës, dhe ka përfunduar pasditen e 10 majit 2014, në qytetin e Peshkopisë, duke përfituar mijëra euro me mashtrime. Me 27 gusht 2013 Salihi i ka vjedhur nëpërmjet mashtrimit 1500 euro një qytetari të Sarandës. Në fillim të shtatorit të vitit të kaluar në qytetin e Vlorës ka mashtruar shtetasin E.K. duke i marrë 4500 euro. Që atëherë ai ishte shpallur në kërkim policor. Ndoshta kjo ka bërë që Liridon Salihi të sigurojë, në rrugë të paligjshme, një pasaportë false, me emrin E. Dinellari. Më 29 prill 2014 shtetasi kosovar ka mbërritur në qytetin e Librazhdit dhe nëpërmjet mashtrimit ka gënjyer tre shtetas, duke përfituar padrejtësisht një shumë të mirë të hollash. Hetimet për zbardhjen e aktivitetit kriminal të këtij shtetasi vijojnë.
Leave a Comment
